Hulumtime leksikore te “Perla” (prozë e zgjedhur)

VIKTOR BAKILLARI

Në fundnëntorin (2015), fati e desh që falë mikut tim të vyer Akad. Kopi Kyçykut, personalitet poliedrik shqiptar, të shkonim në Rumani për të marrë pjesë në një Kongres të përvitshëm të botës shpirtërore rumune.
Aty (në Bukuresht; mega(lo)pol me rreth 2 milionë banorë), është ngulitur dhe vazhdon veprimtarinë e tij (shkencore-krijuese) edhe shkrimtari Ardian Kyçyku (*Pogradec, 1969). Veprimtaria e tij letrare është dygjuhëshe: në shqipe dhe rumanishte.
Prof. Kyçyku, aktualisht rektor i Universitetit Rumun të Shkencave dhe Arteve “Gheorge Cristea” të Bukureshtit, është një ndër penat më dinjitoze të letërsive bashkëkohore shqiptare dhe rumune njëkohësisht.
Libra dhe pjesë nga vepra e tij janë përkthyer në mbi dhjetë gjuhë të huaja.

Teksa ndahesha prej tij, për t’u kthyer në Shqipëri, ai më dhuroi librin me prozë të shkurtër “Perla”, Botim i Sh. B. “DIJA Poradeci”, 2012.
Ne, këtu, tek ky libër, do të ndalemi tek fjalësi i tij i pasur, duke nxjerrë në pah ndihmesën e tij në lëmin e leksikografisë.
Në këtë libër, krahas tematikës së larmishme, stilit elegant gjithë fjali të goditura që mund të shërbejnë fare mirë edhe për citate, humorit të hollë e shpotitës vende-vende, na bëri përshtypje edhe fjalësi i tij i (për)zgjedhur, herë-herë dialektor, herë-herë edhe neologjik.
Pikërisht, këtu do të përqendrohemi.
Duke lexuar tregimet e këtij libri një më një, kemi nxjerrë fjalët “jashtënormative”, të cilat nuk gjendet në fjalorët kryesorë gjuhësorë të shqipes (1980, 1984, 2006).

***

Por, para se të radhisim fjalë dhe shprehje të veçanta të autorit, le të japim, sa për kërshëri të lexuesit disa copëza fjalish a fjali të plota të mbrujtura me ngarkesë emocionale, të cilat nuk mund të kalohen pa na lënë mbresa.

Te tregimi:

 NA T’BIRT E METAFORËS

Kamerier trimosh, sill edhe katër kana dhe na i lër këtu që të vjetrohen! Dhe hap sytë mos na hedhë njeri helm e na i bën planet lesh… (f. 13)

Është e tmerrshme kur gruaja vret veten. Në një vend ku e vrasin veten gratë, s’para ka vend për burra të vërtetë. (f. 14)

RRËFIM PËR GUACKËN DHE URINË

Në fakt, ... të gjesh vërtet dhe të besosh se ke gjetur, nuk kanë ndonjë ndryshim të dukshëm (shkruar me shkronja kursive). (f. 21)

Vetëm një dashuri të vërtetë ka jeta! ... Të tjerat janë dashuriçka... (f. 21)

AR

... pinte për të mbytur hallet, mirëpo hallet paskëshin mësuar not tashmë (f. 30)

Merrte hua për të mos vdekur urie e etjeje, mirëpo huatë qenë si dënimet me burgim të përjetshëm: s’i falte kush. (f.30)

NJË DASHURI E TILLË

Më mirë e cofur dhe e dashuruar,..., se sa e pavdekshme dhe e ngordhur (f. 122)


JO MË LARG SE ESHTRAT

E kam thënë: tani vetëm fatkeqësia është globale; shirat e mortjet janë lokale. (f. 134)


TRIUMPHALLUS

Plaku ishte një hudhër e vërtetë: kokën të bardhë, bishtin të gjelbër. (f. 155)


SOUL – APPEAL
(Përjetim-e)

Ajo – shtatzënë, me të vetmin fëmijë në bark, unë – shtatzënë në kokë (mos lexo: i çmendur) me disa nga librat e ardhshëm. (f. 180)


BUZËQESHJA QË S’DO KALOJË

Sipas mendimit tonë, tregimi i mësipërm është më i bukuri i kësaj përzgjedhjeje. Është një tregim à la Xhibran (Gibran). (Halil Xhibrani (1883-1931) – shkrimtari më i madh i Libanit, autor i veprës madhore “Profeti”).

Ja një pjesë nga ky tregim:

“Kush dashuroi, mbeti edhe nëse iku; kush nuk dashuroi, u shua edhe nëse mbeti.
Dashuruam shumë e pak na dashuruan, por ishte mjaftueshëm – mbase më shumë dashuri vërtet s’do ta kishim duruar dot, edhepse e lusnim.
Si fruta të një vjeshte mendimtare, orët e lumtura u thërrmuan mbi kokat tona, orët e zeza u shkrinë edhe ato në Dritë. Lumturia dhe hidhërimi u stërlodhën nga ne, edhe vetë njeriu u rraskapit prej tyre, ne jo!
As nga to, as nga ne vetë.
Jemi shkulur nga dashuria, Dashuria nuk është shkulur nga ne.
Në vend të dashurisë tek ne mbetën plagë, në vend tonë tek dashuria mbetën plagë, por tonat ishin plagë njeriu, të sajat ishin plagë drite, si sy të Zotit, dhe nuk mendonim për plagët në kurm të saj, se mendonte ajo për plagët në shpirtrat tanë.... (f. 192).

...

(Shkurt, ia vlen të lexohet krejt libri me prozë të përzgjedhur, por sidomos ky tregim!)


***

Tani, le të shikojmë disa fjalë e shprehje nga tregimet e këtij libri të qëmtuara e mbajtura shënim. Sqarojmë se shpjegimi i tyre, duke qenë se nuk figurojnë në fjalor, është bërë duke u nisur nga konteksti.


NA T’BIRT E METAFORËS

Ncuk (f.12) – Jo, (mohim) (Në Skrapar thuhet “cuq”.


AR

Kthetruar: Mbaj diçka të kthetruar – Mbaj fort, të gozhduar, siç mban zogu grabitqar prenë me kthetra. (f.29)
Ditënatë / ditënet / ditënetëve – Shkrirje ditë + natë në një fjalë të vetme (f. 30)
... bythëgrisur që lan borxhet me borxhe të tjera (f. 31)
... damarët e duarve i qenë kaltëryer... – mavijosur (f. 34)
Flatrimtar, - e (mb.) mjegull flatrimtare – që davaritet, që fërfëllon.
Shkund supesh – (f. 36) – tund nga supet. (f. 36)

NË-

Trandje: – Tronditje, shqetësim i madh. (Në Fjalor kemi “trand”, por mungon emri përkatës trandje.) (f. 54.)
I panënë / të panënë – që nuk ka nënë, që i ka vdekur nëna. (f.55)
Varrimtar: Njeri që rron me ushqime e veshmbathje të dhuruara nga të afërmit e të vdekurve. Konteksti: ... e ca ish-shoqe pune të nënës u shpërndanë të pranishmëve, - përfshi dy të çmendur të parrezikshëm dhe tre varrimtarë lëkurëndritur, - ... grurë.... (Krijim i autorit) (f. 55).
Lëkurëndritur (mb., ose em. sipas kontekstit): - Që i ndrin lëkura.

VEGIMI I JETËS SË TYRE

Vejevij – vete dhe vij, shkoj e vij. (f. 58)

ATA QË RRIJNË SI DRAPRI

Tel me gjemba të qethur = tel pa gjemba (f. 65)
I mbamendshëm (mb.)= që mund të mbahet mend. Fjali të mbamendshme (f. 68)
Turravrap (em.) = vrap me të katra. Në Fjalor është si kategori gramatikore ndajfolje, Kyçyku e përdor si emër (marr turravrapin) (f. 69).
Usta thashethemesh / ustallarë thashethemesh (f. 70)
Bashkëfatzi (em.) = Që është fatzi, fatkeq si të tjerët. (f. 71)

ANTHROPOS / TUM

Zvargi (ie, em.) (Zvargia e shtizave të sahatit ia mat pa mëshirë durimin...) = Tik-taku i pandërprerë i akrepave të sahatit...) (f.74)
Fërrmim (qirinjsh) (em.) = Dridhmë, mërmërimë (e flakës së qirinjve). (f. 78)

NJË DASHURI E TILLË

Njënatësh / njënatëshe (mb.) = që është ose që e përdor vetëm për një natë (femër njënatëshe) (f.90), të dashurave njënatëshe (f. 100)
Qen bredharak = qen rrugësh, endacak. (91)
Krenari e sëmurë dhe sëmurëse = Sëmurësë: që të sëmur. (f. 94)
Bie kokekëmbë në dashuri = Kokë e këmbë. Përdorim ndajfoljor (f.95)
Heraherës (ndajf.) = Herë pas here, shumë herë (f. 96)
Mall përlotës = që të përlot. (f. 97)
Diçka më mërgon = më largon, më çon, më shpie. Një zë njerëzor më mërgonte... drejt Himalajës (f. 98)
Kthjellti hyjnore = Shkurtim i emrit “Kthjelltësi”. (f. 99)
Rijetoj = Çfarë po rijeton nga e kaluara apo nga e ardhmja... = përjetoj (f. 99).
Rëndomtësi (em) = Zakonshmëri (f. 99)
Rëndomtësoj (f) = Bëj të zakonshme, banalizoj (f. 99)
Marrok (em.) = I marrë, i çmendur. (f. 101)
Fjalë të bymyera = lavdëruese të tepruara (f. 104)
Përpëlitet si gjarpri në sfurk = përpëlitet shumë, nuk gjen rehati (f. 104)
Oreçast (ndajf.) = orë e çast. Rrethuar oreçast. (f. 105)
Paqe fluturake = paqe kalimtare, e përkohshme (f. 106)
Bashkëfatës = që ka(në) të njëjtin fat. (111)
I paçmendur (em.) = njeri normal, që nuk është çmendur. (...me një stoicizëm që rrallë rastis ta kenë të paçmendurit) (f. 122)
Huajësi (em.): Jashtë huajësisë sime = jashtë asaj që është e huaj për mua. (f. 125)
Përdhëmbur (mb.): (Pas kaq jetësh të përdhëmbura me vdekje... = të kafshuara nga dhëmbët e vdekjes) (f. 127). Përdhëmb = kafshoj; i ngul dhëmbët.

ARRATIA

I trishtëm (mb.) = i trishtuar (sy të trishtëm) (f. 129).
Letërz (em.) = Pusullë, copë letre e shkruar. (f. 129)
Ikës (em.) = njeri që ikën që largohet, syrgjyn, mërgimtar, refugjat. (f. 129)
Gropkë (em.) = gropë e vogël.
... si kishte rënkuar ajo, si kishte dihatur ai... (f. 130) (dikotomi brenda një fjalie: rënkoj / dihat).

JO MË LARG SE ESHTRAT

Zjarrmitem = Kalamendem si pasojë e etheve (f. 136)
Shpretkë: Ia ha shpretkën = ia ha, ia gërryej shpirtin; ia nxij jetën (f. 137).
Lesh surrati = mjekër + qime në faqe (përdorim me ironi, qesëndi): Rruaji ata lesh surrati (f. 138).
Ndaj më shumësh = Ndaj në më shumë se dy. (f. 140)
Rrufezë = Dritë që lëshojnë aparatet fotografikë kur shkrepen. Rrufezat e aparateve (f. 140). Neologjizëm që mund ta zëvendësojë plotësisht fjalën e huaj “blic”.
Çarvalit = Shqyen një kafshë grabitqare prenë e saj (Shtazët e shkretëtirave... çarvalitnin kafshët më pak të fuqishme) (f. 142).
Qesh me vrer = qesh vëngër. (f. 143)
Nënjetoj = Gjalloj, jetoj në një farë mënyre, mezi jetoj, bëj një jetë shumë poshtë asaj që mund të quhet normale (f. 143). Sipas dikotomisë mbijetoj / nënjetoj.
Qorrolleps = qorrollis, prish. Mendimet ia qorrollepsi një uri e beftë. (f. 144)
Lesh i dëbortë = i bardhë si bora, tregon ngjyrën. (f. 146)
Syvranë (mb.) / Syvranët = Me vetulla të vrenjtura, rrudhura, i vrazhdë, jo i qeshur. (f. 148)

TRIUMPHALLUS

Triumphallus – fjalë e krijuar nga autori, duke përdorur me ironi fjalët triumf dhe fallus.
Guriçkë qiellore = meteorit. (f. 152)
Vërtikthi = me vërtik, rrëmbimthi (f. 157).
Shpirtkë = Shpirt i vogël (me përkëdheli), xhan, zemër, loçkë. (Moj shpirtkë, më pyeti...) (f. 163).

ARS CANINA

Kiskë / kiska = Kërci i hollë. Pjesa e këmbës nga gjuri deri tek nyelli, fyelli i këmbës. (Merr një shkop dhe bëj sikur do t’u thyesh kiskat...) (f. 171)
Rrethkë = rreth i vogël (172)
Thiçkë = thikë e vogël, brisk (thikë) xhepi, biçak. (f. 172)

SOUL – APPEAL
(Përjetim-e)

I huajësuar = i huaj për tjetrin. (Ishim ...gjithnjë e më të huajësuar...) (f. 176)
Kurreshtem = tregoj kureshtje, kërshëri. (Kur ajo kurreshtej,..., ia kthente buzagaz...) (f. 177).
I tërmetshëm = i tmerrshëm, i frikshëm. (Hamendjet m’u ringjallën në atë nëntor të tërmetshëm...) (f. 179).
Çmësysh = Heq syrin e keq. E kundërta e shprehjes: marr mësysh. (f. 184)

TI

I floritur = që ka marrë një ngjyrë të verdhëlleme, floriri, ari. (Mes gërmadhave të floritura nga hëna) (f. 197)

Fundít, fundet, (f.) = fundoset zhytet thellë, në fund (të ujit, detit). (f. 198).