Aristokrat i fjalës dhe i mendimit të çuditshëm

Rreth romanit ‘’Home’’ të Ardian-Christian Kyçykut

ARQILE V. GJATA


Romani ‘’Home’’ (Ç’kena) është një bukuri e vajtueshme, pikëlluese dhe një realitet që ka një qendër shikimi të çuditshëm, ku fuqia e fjalës e Markezit tonë (Ardian-Christian Kyçyku) na bën të jetojmë në një kohë jo normale, që lexohet si një histori e mërgimtarëve. Si lëvizje të personazheve që kryqëzohen mes ndjenjave të fuqishme ku ndeshen e çuditshmja me realen, fjala brilante me absurdin estetik, bota e madhe shpirtërore me vrojtimet e tejdukshme kristaline të mendimit, të shtrira në kohë sipas trekëndshit dje, sot dhe nesër .
Përmes tablove të shumta plot ngjyrime të pleksura deri në rrënjë me elementë të botës mistike, autori na çon në jetën e padukshme mes ngjyrimeve dhe artikulimeve mistikë, çka s’është veçse një bashkësi jetësh të mirëpranuara dhe që të ndjellin kënaqësi deri në joshje, por dhe copëza jete pak si të frikshme.

Autori i romanit ‘’Home’’ ka një dhunti të jashtëzakonshme letrare. Ai mund të lëvizë edhe malet. Ardian-Christian Kyçyku e zhyt gjithë romanin në qiejt e metaforës dhe nëpër lëndinat e figurave letrare, ku toka e askujt është toka jonë dhe qiejt u përkasin vetëm personazheve të Home Çkenës. Këta lloj personazhesh, me në krye Home Çkenën, shpikin rrëfenjza sa të çuditshme, aq dhe të botëkuptueshme dhe që mban brenda vetes aq fatkeqësi dhe lumturi.
Nuk besoj ta njohë njeri tjetër botën reale dhe atë jo reale, ashtu siç kemi fatin ne (gjatë leximit të romanit) ta njohim nga dinakëria e ngjarjeve, që të pranojmë se në botë ndodhin gjëra që i beson vetëm Home Çkena (nënkupto A. Kyçyku)
Njerëzit e librit, personazhet e tij, po mundohem t’i përfytyroj dhe t’i shoqëroj me entusiazëm në bazë të atyre të vërtetave, të asaj autopsie ( të personazheve) të shpirtit të tyre të dukshëm dhe të padukshëm. Gjatë gjithë kohës që lexova dhe rilexova romanin e A. Kyçykut, jetova duke thithur aromën e shpirtit, kënaqësinë e gjesteve dhe tingujve ‘’dalë nga qepallat e neonta, nga qëniet më të shtrenjta që i pat lënë gjallë jeta e skalitur duke zbritur drejt kryeqytetit me kokat që iu gumëzhinin si oda ku hanin drekë të vdekur e të gjallë‘’. (pjesë e cituar nga romani)
Në të gjithë romanin bie në sy, dallohet dhe je nën pushtetin e fjalës dhe të funksionit të saj, e lidhur kjo në rrafshin historiko-shoqëror, ku autori ka një konceptim bashkëkohësie shqiptare në rrjedhat e ngjarjeve dhe në karakteret e personazheve veç e veç, pasi gjithë relievi i romanit ka funksionet e veçanta të fjalës dhe forcës medituese të ndryshme në kohë dhe hapësirë .
Mjeti më i shëndetshëm, për mos u tharë lëçitja e romanit në fjalë, është çmenduria e përfytyrimeve poetike në fuqi të tretë dhe në të pestë me ndjenja të koklavitura të mbjella nga gjuha shumë e pasur letrare, që na ngop me “të qeshurën’ si një lëng drite, ku u mundova të gjej një dëshmi, një vegim, a një shpikje për jetën” (lexo në faqen 68).
Mbrapa perdeve të mendimeve të Home Çkena, në dialogun me Shefin e Dheut fshihet një filozofi sa njerëzore dhe e pastër, aq dhe e derdhur si monument, që duhen mendje të përgatitura ta përtypin në mënyrë të shëndetshme (faqe 72)
Autori përshfaqet si një personazh aktiv potencial, që i kalon kufijtë e normales drejt tërbimit estetik dhe trilleve të pathëna. Si pasojë e rrjedhojë e tipave të tillë të pashmangshëm (neve lexuesve), pra edhe mua na lindin një varg pyetjesh, që zor se një lexues i sërës mesatare do t’ia dalë dot mbanë t’i japë përgjigjje estetike dhe morale të kuptuarit të jetës që personazhet e romanit kanë hedhur mbi veten e tyre:
Së pari, çfarë përfaqëson fotografia dhe dëshmitë e tejdukshme të Home Çkena në jetën e romanit në fjalë.......!?
Së dyti, pse personazhet e dubluar, si Martina, Shefi i Dheut apo Kulla dhe Suzi dhe në veçanti vetë Home Çkena janë gjaku dhe shpirtrat tanë nëpër vite, nëpër hapësirat e kohës të koklavitura me ngjyrime dhe vlera e kundërvlera të patjetërsueshme?
Dhe së fundi, çfarë ndodhi dhe po ndodh në jetën tonë këtej dhe andej nëpër botë, si po e jetojmë ne këtë realitet dhe pse e mbylli jetën e tij Home Çkena tragjikisht dhe vetë ai a mund të harrohet!?
Ai është sot e gjithë jetën shqiptari i lindur në djepin e pushkës për të qënë i lirë dhe që duhet të përballet me realitetin, me mendimet dhe ciklonet e fuqishme të jetës....
Çdo lexues është i detyruar gjatë leximit të romanit të përballet dhe të verë në punë gjithë vlerat intelektuale për të asimiluar atë sofër me format e arsyeve dhe kontrastet për të gjurmuar realitetin e të tria qosheve...të ngrehinës së romanit .
Autori i romanit ‘’Home‘’ ka pasur një vizion, një ndërthurrje, një arkitekturë shumë të veçantë në zhbirimin e ngrehinës fatlume, të kujtesës, të tragjikes dhe të asaj estetiko-morale, krahas shumëllojshmërisë dhe dukurive të jetës së Home Çkena dhe në tërësi të romanit.
Do të doja të shtoj një mendim pak si ndryshe: Gjatë rrjedhës së romanit, në ndonjë rast bie në sy dhe përsëritja e të njëjtave mendime, si dhe ka çaste që ndjen dhe pak sforcim në të lexuar. Mos ndoshta këto janë efekte që më vijnë nga paaftësia për t’i përthithur normalisht?! 
14-3-2009, Athinë