"Perla" - rreziku i humbjes së ndjeshmërisë dhe ndërgjegjes

BELFJORE QOSE

Vëllimi me tregime dhe novela “Perla” paraqet një njeri që në momentet e rrezikut ndaj tëhuajësimit kërkon të ruajë thelbin njerëzor. Lidhja e lojës narrative komplekse me brendinë ideore dhe zhvillimin psikologjik janë rrënjësisht të lidhura me gjuhën simbolike-metaforike. Kujtesa njerëzore lidhet me një vend-kohë real sa edhe me realitete mbikohore, ndaj libri premton një shijim të thellë dhe refleksiv te lexuesi shqiptar, i cili ka të njëjtën kujtesë si individi i përvijuar në këto tregime.

Disa gjëra i shkruan, që të mund të rrosh;
Disa gjëra nuk i shkruan që të mund të vdesësh.
Dhe anasjelltas.

Përmbledhja me proza “Perla” është libri i disatë letrar i Ardian-Christian Kyçykut dhe, siç mund të shohim nga citimi me të cilin fillon përmbledhja, është një shkrim i lidhur me fatin ekzistencial të një individi, i cili nuk e sheh jetën e tij pa të shkruarin, pa dëshminë e tij letrare.
Autori është një figurë e rëndësishme e botës akademike rumune dhe jovetëm; doktor i shkencave filologjike, doktorant në teologji dhe docent në shkencat humane dhe të komunikimit; ai sot është Rektor i Universitetit Rumun të Shkencave dhe Arteve “Gheorge Cristea” të Bukureshtit. Vepra letrare e Ardian-Christian Kyçykut është mjaft e gjerë dhe e larmishme, ndërsa një pjesë e veprave të tij janë të shkruara në rumanisht. Disa prej veprave në shqip përmendim: “Mortët”, “Nata pas vitit zero”, “Lumenjtë e Saharasë”, “Oreksi për bukën e qiellit, “Engjëjt e tepërt” etj.

Tregimet e vëllimit “Perla”, edhe pse autori ka shumë vite që jeton jashtë Shqipërie, i marrin subjektet, episodet dhe detajet nga jeta shqiptare, qyteti i vogël është arena tipike ku zhvillohet rrëfimi. Atmosfera është ajo shqiptare, ose së paku ballkanike. Nuk kemi të bëjmë gjithsesi vetëm me një realitet, por abstragohet dhe universalizohet mbi të.
Tregimet karakterizohen nga një vështrim i thellë dhe shpirtëror i ngjarjeve, të cilat zakonisht i referohen kronotoposit shqiptar të pas nëntëdhjetës dhe të gjatë diktaturës, kohë të cilat ndërthuren duke krijuar efektin e kontrasteve. Subjekti nuk është shumë i rëndësishëm në këto proza dhe rrëfimi vjen e bëhet gjithë e më shumë refleksiv dhe asociativ. Parabola e rrëfimit ngrihet mbi të, paraqitet fragmentare dhe i jep kësisoj vend kujtesës historike, personale dhe letrare. Është pikërisht zgjerimi i skenave dhe episodeve me perceptimin e fuqishëm që i jep prozës ngjyresa individuale dhe një fill ndjeshmërie që lidh tregimet me njëri-tjetrin. Në letërsinë shqipe, ku kemi volum shkrimesh me ndikime te fuqishme dhe pak herë të vërteta, proza e Kyçykut ka vlerën e një letërsie intelektualiste, por e mbështetur në perceptime individuale dhe shoqërore, ajo është një letërsi, të cilës nuk i mungon botëvështimi dhe qëndrimi kritik.
Titulli “Perla” përdoret si fjalë në disa prej tregimeve të këtij vëllimi dhe gjeneron kuptime të ndryshme, përherë duke ruajtur semën e diçkaje të shtrenjtë dhe sublime. Perla del në kuptimin e shpirtit, por të shpirtit të munguar apo të krijimit poetik kur e gjejmë si “perla poetike”. Traditat letrare dhe kulturore i kanë dhënë “perlës” kuptime mistike, në lindje perla është syri i tretë i Shivës, në perëndim ka kuptimin e shpirtit (imazhi i perlës brenda guackës), nisur që nga ngjashmëria e njeriut sferik të Platonit, apo besimit se perla është bashkim i ujit me zjarrin. Të gjitha këto kuptime i japin dorë një letërsie, pika e rëndesës së të cilës është gjuha dhe loja me nëntekstin.
Përzierja e temave të mëdha (vdekja, vetvrasja, qëllimi, sublimja, dashuria), përzihen me gjëra të rëndomta, dialogje gjysmake, vetëdije të pavendosura, siç del simbolikisht aroma e kajsisë me nëntekstin e mospërzierjes së shpirtit me gjërat e ndyra të kësaj bote dhe të qytetit-magje të botës moderne.
Tema e boshit përvijohet pothuaj  në tërë tregimet. Shkretia shpirtërore lidhet me mungesën e çështjeve për të cilat të meritohet një therori që të kuptimësojë jetën në planin shoqëror, qoftë në realitetin totalitar, qoftë dhe në kaosin pastotalitar: “Paskeni mbushur plotin me bosh dhe boshin me vetvete”, thuhet në një pasazh. Femrës nuk i lind “perla” (dashuria, shpirti) as për dashuri, as për mëshirë. Megjithatë, heroi-rrëfimtar është kontrastues me këtë bosh rrethues, vetë ndjeshmëria e tij disi e marrë, e demonstron këtë. Kotësia e qëllimeve dhe e ekzistencës nuk e dëmton ndjeshmërinë, pasi ndërgjegja është gjithnjë aktive e përzier me një etikë klasike, e cila nuk e përtyp dot dhimbjen e tjetrit.
Përmasa e dhimbjes e bën humane dhe të thellë prozën e Kyçykut. Dhimbja si vuajtje e brendshme, për pasojë e ndjeshmërisë, është një ndjesi e lënë pas dore në letërsinë moderne. E dhënë pa patetizëm, madje me nota banaliteti, ajo bëhet atribut herë i shpirtrave të bukur e herë është dhimbje për vogëlsi neveritëse, atribut i një njeriu të tëhuajësuar dhe të shëmtuar.
Lakonizmi dhe gjuha metaforike është tipar i një proze të shkurtër, e cila ngjesh kuptime dhe asosacione: “Na t’bijt e metaforës”, “Vox Dei”, “Soul apeal”, “Rrëfim për guackën dhe urinë”, janë disa prej titujve të tregimeve. Simbolet dhe nëntekstet krijohen nga kuptimet e reja që i jepen trashëgimisë etnike, biblike, pagane dhe letrare në përgjithësi. Ajo që duhet nënvizuar është se përftesat moderne dhe risitë e stilit si p.sh. në tregimin “Shkrim dhe këndim”, ku rrëfimi është një dialog shumëzërësh për të dhënë idenë e mungesës së unit; nuk janë të pakuptueshme për lexuesin e zakonshëm. Pavarësisht intelektualizmit të saj, kemi të bëjmë me një prozë me mesazhe të kuptueshme, e cila i drejtohet çdo lexuesi, duke i thirrur vetëdijes së humbur, qëllimeve të flashkëta dhe dashurive të  munguara. I tillë trajtohet bie fjala koncepti i vdekjes, e cila nëpërmjet dëshirës për të mos e pranuar si të tillë, por si ndërrim jete, përzihet me koncepte religjioze dhe kulturore, por asnjëherë nuk kthehet në ligjërim filozofik a religjioz; duke mbetur një shqetësim njerëzor, i përshkruar me detaje ritualesh dhe kujtimesh mëse te ndjeshme.
Ky libër është i këndshëm sa edhe zgjues i vetëdijes së njeriut modern, i cili i kthyer në nje vegël konsumi, humbet spiritualitetin, aq sa “marrëzia” bëhet shprehje e poeticitetit, ndjenjës dhe vërtetësisë. Tema e marrëzisë dhe e përjashtimit na rikthen në një universale të madhe: atë të moskuptimit të gjenisë, të moskuptimit të marrëzisë që sjell krijimin, të renë.
Tregimet e vëllimit “Perla” përmes gjetjeve artistike interesante dhe të përziera me një argëtim lodhës kanë rëndësi jo vetëm për lojën gjuhësore në vetvete, por sepse japin një kumt, paralajmërimin e rrezikut të humbjes së ndjeshmërisë dhe të ndërgjegjes, e cila shpreh, në fakt, besimin tek mbijetesa e njerëzores dhe shpirtërores.


Botuar në revistën Letrat të Universitetit të Tiranës.