"Home" - ana tjetër e pasqyrës

AGIM BAÇI
 Shënime për romanin “Home” të Ardian-Christian Kyçykut

Po shtojmë se mungesa e një pikëze dashurie falas, jo më e madhe, por as më e vogël se një pikë loti, i shtynte të ngatërronte Hiçin me vetë Zotin” (“Home”, Ardian-Christian Kyçyku, f.7)
Është një prolog që duket se thotë fundin dhe fillimin njëkohësisht, duke të futur në hullinë e një proze që gati thuajse e di se çfarë do të ndodhë me një emigrant. Por kurthi rrëfimtar është se kujt do t’i ndodhë. Personazhi në pamje të parë vjen krejt çuditshëm nga emri- Home Çkena. Një emër që përputhet me një përshëndetje popullore (Ho me!), gati shpërfillëse. Në fakt, kështu është ai të cilit historia i ka hipur mbi samarin e ditëve dhe i duhet veçse ta shëtisë përpara nesh, thjesht për ta mësuar.

I ftohtë në kufijtë e absurdit, por çuditërisht edhe me shumë dashuri në kufijtë e së pamundurës, Kyçyku ka mundur t’i japë “pasaportë personazhi” një njeriu të zakonshëm, gati të papërfillshëm në axhendat e mendimit. Madje, duke e rindërtuar pas vdekjes në emër të një vdekjeje të paralajmëruar, si gjakmarrja. Por ja që Home Çkena mbart jo vetëm pikëpyetjet e veta, por edhe është një pasqyrë e pikëpyetjeve të botës përreth, sidomos të atyre që vijnë “nga gjaku i njëjtë”, siç shihen bashkatdhetarët nga njëri-tjetri.
Nëse ikim diku, a mundemi të mos kemi pjesë nga ajo ku kemi qenë më parë. Thuajse çdo emigrant do të përgjigjej: kurrsesi. Edhe pse mund ta dijë se atje, në vendlindje, askush mund të mos pyesë. Sepse udhëtar-shtegtari është gjithnjë një Odise, që mban mend gjithçka përmes mallit, madje edhe përmes zmadhimit të asaj që dikur mund të ketë qenë kotësi. Ndërkohë që për to dikush mund të kujtohet përmes detajeve e pa kurrfarë malli.
“-E ç’të duhet jeta ndonjëherë? Ata që kishe në atdhe kanë vdekur, ndërsa ti je mëse i vdekur për të gjithë ata që kanë ngelur atje… Je si ndonjë shpikje…”.(“Home”, Ardian-Christian Kyçyku, f.47)
Emigrantë që jetojnë diku me një emër të huaj, a thua se kështu mund të mbartin vërtet një fat që s’kanë dashur të jetë i veti. Kështu është Home Ç’kena, plot enigma dhe dashuri. Një rrëfim që duket se kalon edhe nga vetë autori, i gjendur mes dy botëve, një në vendlindje e një në vendin që tashmë e ka bërë si të vetin prej vitesh.
Dashuria e Home Çkenës për Suzin, adhurimi i fëmijëve, jeta e menduar diku si e lumtur dhe dëshira për të mos parë keq qoftë askënd, as edhe ato vajza që ka bërë një jetë “jashtë binarëve” e kthen Homen nga një udhëtar në një luftëtar të përpjekjes drejt dashurisë për jetën. E ai, nga mesi i së zakonshmes, kthehet në një motor për të dashur përditshmërinë atje ku na ndodh, atje ku mbyllim e hapim qepallat.
Mosgjetja e shtëpisë së vendlindjes së Homes nga miqtë që i kërkojnë një varr vjen e kthehet në pamundësinë e gjetjes së gjërave siç i kemi lënë kur jemi nisur për diku. E sa herë dëshirojmë t’i gjejmë gjërat ashtu “si dikur”, siç ndodh me shumicën e udhëtarëve të botës, mund të gabojmë në kohë. Ai është dikush tjetër që sapo nis udhëtimin në një vend tjetër. Ai nuk mund të jetë më ai që ishte në nisje. Ai është një dëshirë për të udhëtuar më mirë. Ndaj Home Çkena është më shumë pyetje sesa emër, sepse çfarëdo që të arrijmë dikur larg, mund të mos na duket e plotë pa atë që kemi dashur të na ndodhë.
Meqë s’kishim arritur të rimbushnim në të Vërtetë zbrazëtinë e lënë nga vdekja e Home Çkenës, vendosëm ta shpiknim me shpikje e sajesa. Duke e përftuar Home Çkenën si ndonjë shpikje të vetmive tona prej mërgimtarësh, si hijen shkëlqimtare të njëfarë shenjti pa emër e të paqenë, do të bindeshim në vetvete se ai pat qenë miku ynë, hallexhi si ne, me mish, eshtra e dhembje të pathëna, të cilat i pat marrë në botën tjetër”. (“Home”, Ardian-Christian Kyçyku, f.86)

Botuar në MAPO, Tiranë, 2015