Vepër e një lirizmi të kulluar

RAGIP SYLAJ

Ardian-Christian Kyçyku, Nata pas vitit zero, botoi “Dukagjini”, Pejë, 1998

Prozator tashmë i sprovuar, Ardian-Christian Kyçyku (1969) është mjeshtër i rrëfimit. Këtë e ka dëshmuar edhe me romanin e tij të parë të botuar në Kosovë "Mortët" (1997), po edhe me librin më të ri të prozave "Nata pas vitit zero". Motivet e ritmeve të gulçuara të jetës nën diktaturën komuniste janë preokupim i këtij autori për ta strukturuar veprën e tij artistike. Por, ajo që është me rëndësi parësore në këtë vepër është origjinaliteti estetik. Krahas intrigës interesante, edhe lirizmi i kulluar i bënë tërheqëse prozat e këtij libri, që janë strukturuar dhe realizuar në novela, të cilat i shquan stili i mëvetësishëm. Këto dispozita zënë fill që nga titulli metaforik i librit, "Nata pas vitit zero", në të cilin heronjtë e tij janë katandisur në një kohë të vdekur, brenda së cilës kërkohen orvatjet edhe shenjat e gjallimit njerëzor, të identitetit shpirtëror, social e kombëtar. Në faqet e librave të lidhur stilistikisht është shtrirë harta shpirtërore e narratorit, ku janë vënë piketat që e ndajnë fushën e së bukurës e të së shëmtuarës, mbi të cilën identifikohet filozofia poetike, si filozofi e ekzistencës. Lënda e këtij vëllimi është e ndarë në shtatë libra. Në vend të hyrjes është vënë teksti i natyrës së përmendur, "Shkretia", ndërsa në fund ai, "Buzëqeshja s'do kalojë".

Karakteristikë tjetër e këtyre prozave, që shpërfaqin vetëdijen e lartë artistike të krijuesit të tyre, është edhe e dhëna relevante se ato mund të lexohen edhe si tregime (për nga subjekti) dhe si novela (për nga struktura dhe forma) të mëvetësishme, por edhe si tërësi me synime harmonike letrare, ashtu siç janë konceptuar nga autori i tyre.

Kapërcimi i konvencionit të kohës

Ngjarjet e këtyre prozave, duke filluar me tregimin e parë, me titull homonim të librit "Nata pas vitit zero" zhvillohen në një hapësirë të imagjinuar (një prej përmasave të universalitetit), aty ku ndodh tretja e nocionit të kohës dhe ku zhvillohet bixhozi i zemrave. Këto pamje me thekse tronditëse, nga autori janë paraqitur me mjaft elokuencë dhe dramaticitet, p. sh. “Njëri iku nga dora e tjetrit dhe ia kaloi vuajtjet e tij të mundshme vrasësit të tij. Si të thuash: ia bëri ngarkim”, (fq. 27). Kjo atmosferë tmerri e terrori, që fatkeqësisht ende mbetet aktuale në botën shqiptare mund të cilësohen edhe si përsëritje të fatkeqësisë, apo metamorfoza të fatit e të fatalitetit shqiptar, prandaj autori, në po atë faqe, do të shtojë: “Mezi presim që ta ndajmë terrorin e mëkateve tona me dikë tjetër, t’ia lyejmë edhe ndokujt tjetër duart me gjak…”. Sipas tij ne nuk e kemi përvetësuar mësimin kryesor “se si mund të duhet falas”.
Ardian-Christian Kyçyku disa herë arrin ta kapërcejë konvencionin e kohës së zakonshme, ashtu siç arrin që të ngrihet edhe mbi rrafshin e reales, duke përftuar habitshëm përmasën e prozës fantastike, sidomos me dimensionin metafizik që kërkon njohje, invencion, intuicion dhe forcë të madhe krijuese, përkatësisht imagjinative. Kronologjia artistike e këtij shkrimtari është tepër e veçantë në letërsinë tonë, sepse në materializimin e subjektit të tregimit, përkatësisht në ‘shpjegimet’ e tij ai përdor të folur jo vetëm elegant, por tepër të figurshëm, ku narracioni dhe gjuha poetike me thellësi filozofike, janë në harmoni, p. sh. “(…) asnjëri nga ne s’e dinte ç’domethënë ta hash bukën me helm e të të duket tortë”, (fq. 51). Edhe vetë emërtimet e personazheve disa herë dalin si sintagma kuptimplote, të parëndomta, si bie fjala, Shefi i ruajtjes së kujtesës (postieri i vjetër), Shefi i mungesës së kujtesës (postieri i ri), “063372” etj., apo origjina e narratorit, vendi “Nga çdo vendosje e këpucëve” në sytë e mi. Figurën e paradoksit në tregimet e librit të përmendur, Kyçyky e realizon qoftë duke i përmbysur format e njohura konvencionale të thënieve të urta popullore (“Për inat të nuses unë helmoj tim bir”, fq. 64), qoftë duke i transformuar botëkuptimet ose njohuritë konvencionale edhe për gjërat e zakonshme, p. sh. “Kush ka thënë se zogjtë nuk ëndërrojnë të zvarriten dhe gjarpërinjtë të fluturojnë”, (fq. 64). Paraqitjet e tilla invencionale me një zhdërvjelltësi të pazakontë janë mjaft intriguese, sepse autori ia del që ta paraqesë trivialitetin me mjaft ekspresivitet, gjë që në këtë libër zgjon mjaft asociacione te lexuesi. Urtia e narratorit me sintagma ironike për ta paraqitur apo materializuar fakticitetin (a realitetin) artistik ka këtë pamje domethënëse: “punët e shtetit shkonin mirë, ndonëse burgjet ishin plot, barqet bosh, kafenetë plot, kokat e zyrtarëve bosh, varrezat plot, xhepat bosh – pra, kishim të bënim me një shtet të zakonshëm”, (fq. 73).

Kah e dashura - Viola

Narratori i novelës, që herë identifikohet si Preja (ndoshta nocioni pre mund të lexohet figurativisht edhe si trofe ose viktimë e dikujt) e herë vetëm me (sh.y), (n.y) etj. një rekrut ushtrie a i burgosur në kohën e diktaturës evokon kohën e dhunës, e cila e shpërfytyron qenien njerëzore së brendshmi e së jashtmi. Duke rrëfyer, ajo kohë me të gjitha bëmat a peripecitë, narratorit në ndërdije i rrjedh në trajtën e monologut të brendshëm. Trajtat e atyre reminishencave edhe në jetën që e jeton i bëhen vetëm prodhuese të helmit, i cili rrjedh nëpër damarë. Dashnorja e tij Viola (“Arma Doloris”), në këtë prozë është edhe kurvë, dashnore, mikeshë, nënë dhe pse jo edhe një armë për të vrarë apo për t’u vetëvrarë. Këto janë mbase disa nga arsyet që, në këto përçapje, biruca sa është burg po aq është vaginë e herën tjetër - edhe varr. Në këtë pakuptimësi të të jetuarit gjëllin bota e mëkateve, bota e ferrit tokësor, shthurja, perversiteti dhe dashuria incestare.
Rrëfimet e këtij libri, në të shumtën e herave, shtrihen në retrospektivë dhe perspektivë, që janë dy nivele të tij pothuajse paralele të domethënieve e të mesazheve në marrëdhënie korresponduese. Këto karakteristika mund të hasen edhe te novelat “Një dashuri e tillë”, “Arti për të vetëvrarë”, “Vëllai pranë”, “Therrtoriada” etj.
Novela “Arti për të vetëvrarë”, ku kryeprotagonistë ka Poetin dhe Edën, të kujton dashurinë e Lasgush Poradecit në pleqëri. Në këtë rrëfim, me sensibilitet dhe gjuhë të pasur në raportet jeta-vdekja, sikur jepet shkëmbimi i vdekjes me dashurinë, ku nuancat kuptimore me përmasa metafizike lënë mundësinë e perceptimit të vdekjes si dashuri eterne dhe të dashurisë, si vdekje apo si transfomim i një frymëmarrjeje mbase infernale.
Në këtë prozë (por edhe në prozat tjera të këtij vëllimi) lexuesi mund të shijojë muzikën shpirtërore të një bote tjetër, ku diçka e lartë e zgjon shpirtin që po fiket dhe ku njeriu është një kurm jo prej mishi, po prej shpirti. S’do mend se shkrimtari Ardian-Christian Kyçyku kësaj ia del me shkathtësi, ku shkrihen në raporte harmonike dija e tij si krijues, ndjeshmëria subtile e njeriut dhe mjeshtëria e rrëfimit të kallëzimtarit. Prandaj, lexuesi te këto proza mund ta gjejë edhe subjektin (a syzheun) interesant, edhe mendimin filozofik, edhe lirizmin poetik, si lehtësi e leximit dhe e përjetimit të tekstit të tyre.


 Prandaj, mund të përfundojmë se, fraza gracioze, mendimi i thellë dhe sugjestiv, materia fluide e mbrujtur me një ndjeshmëri dalldisëse, librin "Nata pas vitit zero" e shquan ndër veprat më të veçanta në prozë tonë dhe autorin si mjeshtër të saj.