Udhëzues për të vrarë vetveten

VIRGJIL MUÇI


Ka disa rregulla, ose më mirë të themi, një ritual të caktuar, që lypset respektuar medomeos, po qe se një ditë prej ditësh ju ngrihet mendja për t’ia hequr vetvetes. Një kumt që duhet mbajtur parasysh, po qe se do t’i marrim si të mirëqena e do t’i besojmë personazhit të Ardian-Christian Kyçykut, në romanin e tij më të fundit “Engjëjt e tepërt”, që për arsye të panjohura për ne si lexues, autori ka parapëlqyer ta thërrasë me një emër të përgjithshëm, shqiptari. “E hëna dukej dita më e përshtatshme për të hedhur trutë në erë.” Me këtë frazë shkon e hapet romani.
Skota e njerëzve rëndom rreket t’i përvidhet Vdekjes, ta shtyjë sa më shumë që të jetë e mundur pikë-e-kohë takimin me atë zonjë të mnershme, e cila në mënyrën më skematike që mund të bëhet (paradoksalisht krijuar nga artistët), kurdoherë na është përshkruar si një shtrigë e shëmtuar e veshur me të zeza dhe me një kosë në dorë. Thënë me fjalë të tjera, një farë kasapi i rëndomtë. Por, ja që kështu as mendon e as vepron “shqiptari” i Kyçykut, i cili ndonëse është në lule të moshës, e ka paravendosur vetë ditëpjekjen me Vdekjen dhe këtë hap e ndërmerr pa iu dridhur qerpiku, me një qetësi jo të zakonshme, me një vetëzotërim që mund ta kenë veç ata njerëz, që shtyhen nga arsye, të themi, hyjnore, për të cilët vdekja nuk është fundi i botës dhe vetëvrasja aspak një krim i ndëshkueshëm nga Zoti, siç na mësojnë librat e shenjtë. Dhe për këtë mjaft që të ndiqen rregullat e përmendura ca më sipër.
Edhe pse një refugjat i rëndomtë, në kuptimin se ashtu si shumë nga bashkatdhetarët e tij edhe shqiptari i Kyçykut rropatet në dhera të huaja, në rastin tonë në Rumani, për t’i rënë pas yllit të fatit që herë duket e herë zhduket nga sytë, në një farë mënyre, ai i përket sojit të zhdukur prej shekujsh të artistëve filozofë në kërkim obsesiv të gurit të vet filozofal, që për të është një mekanizëm i çuditshëm i pagëzuar me emrin Sahati Shërues dhe jo ngaqë vetë shqiptari është marrë me tregtinë e orëve të dorës. Pasi mbi gjithçka tjetër, ai na shpaloset si një dashnor ideal, i përjetshëm, ashtu si bashkëkombasi i tij Demir, një qenie që do ta shkonte jetën në dimensionin e pakufi të Dashurisë, ku njeriu jo vetëm mund ta shprehë vetveten, por edhe të arrijë atë që një budist rreket gjatë gjithë jetës, Karmën, vetëperfeksionin.
Udhëtimi i shqiptarit drejt Vdekjes zhvillohet në një skenë biblike, bukur fort gjetur nga autori. Në një farë mënyre, treni i tij i shembëllen Arkës së Noes, ditën e përmbytjes së madhe, kur toka vjell nga rropullitë e veta, gjithçka ka gëlltitur me hir e me pahir, madje edhe të vdekurit. Por, në Callatis, qytetin e këndshëm bregdetar, mes kurvave, mejhaneve dhe turistëve të huaj, shqiptari has Narcisën, një femër të bukur, e cila ashtu si edhe Bianka, Klaudia e shumë të tjera, para saj, janë mishërimi i Virtytit dhe i Mëkatit bashkë. Dhe dihet, kur Virtyti puqet me Mëkatin, pjellin Dashurinë dhe Dashuria është një paradoks, një gjendje mes ëndrrës e zhgjëndrrës. Dhe shqiptari e njeh këtë truk, ndaj luan me Narcisën, ashtu siç ka luajtur gjatë gjithë jetës së tij me vetë Dashurinë, në çfarëdo trajte që ajo i është shfaqur e mishëruar, i vetëdijshëm se kësisoj i qaset Vdekjes, të cilën e sheh si paradhomën e Zotit, krijuesit të madh e të pakrahasueshëm të të gjithë kohërave. Dhe romani shkon e mbyllet me dilemën e përjetshme: ne lindim për të vdekur apo vdesim për të lindur?
Ndonëse me një dimension të fuqishëm metafizik, romani i Kyçykut ka edhe një dimension tjetër, ndoshta po aq të fuqishëm realist. Madje, pa mëtuar të shprehem në mënyrë absolute, kam përshtypjen se "Engjëjt" është vepra më realiste e tij, një realitet i përshkruar me ngjyra të ndezura, që na jep shkas e mundësi të depërtojmë më mirë në botën e tallazitur të karaktereve.