Triumfi i Proteut

IOAN ADAM

Në gjysmën danteske të jetës, Ardian-Christian Kyçyku ka një bibliografi, për të cilën senjorët e shkrimit rumun do të ndjenin smirë. Qysh më 1989, ende e pranguar nga një diktaturë skizofrene e shkallës më të lartë, Tirana letrare i jepte Kyçykut një çmim kombëtar për romanin “Triumfi i Proteut”. Simbolik ky titull! Sepse Proteu është autori vetë, me luhatjet e pazgjidhshme ndërmjet novelës dhe romanit, letërsisë dhe pikturës, filologjisë dhe teologjisë, poezisë dhe gazetarisë, dhe rreshtimi i dubleteve mund të vazhdonte…
Është thënë, me një formulë fatlume, se ky shqiptar me banim në Rumani mund të quhet një Markez i Ballkanit. Por proza e tij, herë lakonike e herë voluminoze, nuk zhbiron vetëm gjeografinë e ngushtë të një hapësire të nëmur, por edhe kushtet e ekzistencës së mirëfilltë njerëzore. Në thellësitë e qënies së vet, Kyçyku është një filozof, për të cilin bota nuk ka më të fshehta, madje edhe nëse ajo struket tash për tash në mjegull.

Shtetrrethim-i “roman i shkruar me shumë pak thonjëza” është një oratorio sarkastike, në të cilën “zërat e natës” ngjizin një epos burlesk, me një humor të zi rrënqethës. Helio (greqisht helios = diell), jo-heroi që thith si një timpan vigan dëshmitë e zërave përkatës, është qëndra e një kopernikianizmi të shndërruar në qesharak: nuk mund të përhapë as edhe “një kub drite”. Në një natë kozmike, - që më sjell ndërmend “Makinën e kohës” të Wells-it, - zhvillohet krejt “aventura” e tij, krejt migrimi i tij i pavullnetshëm nga një “çerdhe” në tjetrën, nga një “kujdestar” në tjetrin.
Më fort mizantrop, se sa meliorist, prozatori ushtrohet në artin mijëvjeçar të karaktereve, duke na ofruar ekstrakte nga njerëzimi i prishur, që shihet sot në Lindjen pastotalitariste, por që ka ekzistuar dikur edhe në Perëndim, po qe se kujtojmë dominikanin Savonarola, i cili i shndërronte fëmijët (simbol i panjollësisë) në hafije të frikshëm në mjedisin e “Kështjellës”. Të bashakangjitura pas një ekspozeje gjithëpërfshirëse, ato përftojnë një kortezh demoniak maskash, në të cilat parakalojnë Veterani, apo Denoncuesi (Kyçyku i ka ngjitur këtij të fundit edhe nofkën “Këgëbesku”, duke përdorur kësisoj, me shije të epërme, metodën e dikurshme të Budai-Deleanut dhe Filimonit[1], të cilët i pagëzonin heronjtë Durimmadhi, Kopracesku etj), Aristokrati i rënë nga vakti (romancieri e quan edhe Saturnos, duke na çuar kështu tek Deus Absconditus, Hyu i Epërm i strukur pas shfronëzimit të tij nga Jupiteri), Lavira (me emër lermontovian – Tamara), Dijetari, Banditi dhe, surprizë: Shkrimtari (Ful Botezu, domethënë njeriu që ka libra të mëdhenj nëpër duar). Me anën e këtij të fundit, Kyçyku rimerr në mënyrë parodike intrigën e romanit të vet, duke e shpjeguar dhe, në fakt, duke e proiektuar më thellë në mjegull, sipas rregullave të prozës rrethore, që e relativizon perspektivën. Të gjithë këta “engjëj mbrojtës”, të pervertuar dhe të tepërt, të cilët e rrethojnë me konfesione, ndjejnë një nevojë të papërmbajtshme për katarsis verbal. Për këtë arsye ata janë të padukshëm dhe vetëm mund të dëgjohen.
Po të kërkonim një barazvlerës ikonografik të romanit modik të Kyçykut, atëhere ky nuk do të kish qenë përveçse alegoria Dëgjimi i suitës së famshme të tapicerive (të Klyni-së) kushtuar Zonjës me likorn. Asediu (Shtetrrethim) është një histori par ouïr-dire e Lindjes në tranzicion të ankthshëm, por edhe rrëfimi për një njerëzim të korruptuar nëpërmjet Fjalës. Fakti që në aventurat dhe në avatarët e tranzicionit, të rrëfyera me një gjallëri të tmerrshme, mund të dallosh edhe rumunët e sotëm, të grumbulluar dikur në Sheshin e Fitimtarëve, për t’u tubuar më pas nën flamurin funeral të kapitullimit, kjo është tjetër çështje, është vetëm njëri nga vegimet e Proteut[2].

2005




[1] Shkrimtarë rumunë klasikë.
[2] – Kjo ese u transmetua edhe në një emision të posaçëm në Radio Romania Cultural.