„Ti më dëbove, nuk më dërgove” / „Ti më dërgove, nuk më dëbove”. Bisedë

Aida TuçiZoti Kyçyku ju jeni autor që shkruani në dy gjuhë, në shqip dhe rumanisht. Në historikun e shkurtër të çmimeve letrare kombëtare ju jeni i pari autor dy-gjuhësh (po ju quaj kështu për thjeshtësi kuptimi) që vlerësoheni me çmimin më të rëndësishëm kombëtar në fushën e letrave. Mendoni se është e vonuar juria në konsiderimin edhe të autorëve shqiptarë që krijojnë jashtë vendit dhe që, për fat të keq, pak njihen në vendin e tyre?

Ardian-Christian Kyçyku: Di se juria nuk ishte një grup robotësh. E kur autorët shkruajnë për të mbetur në përjetësi, si mund të gjykojnë nëse diçka ndodh më vonë, apo më herët se diçka tjetër?!

- A i shihni çmimet si një mënyrë për t’i afruar shkrimtarët e ekzilit me lexuesin në Shqipëri?

Çdo çmim letrar është një joshje turbullese për shkrimtarin, sepse, në thellësi, ose në cektinat e vetëdijes, i krijon përshtypjen sikur po vlerësohet nga të gjithë lexuesit e mundshëm, në mos po edhe nga vetë pavdekësia (pa përmendur të hollat, çertifikatat, dekoratat etj). Por çmimet kombëtare janë edhe një mjet që mund ta zbusë sadopak dhe ta çmojë publikisht vetminë e të shkruarit, sidomos kur shkrimtari jeton jashtë kufijve zyrtarë të një vendi dhe që – mund të thuhet: mbijeton në një vetmi të dyfishtë. Sepse çdo autor me vlerë që jeton në mërgim, edhe kur nuk e shpreh, i drejtohet vendlindjes ritmikisht me dy fjali: „Ti më dëbove, nuk më dërgove” dhe / ose „Ti më dërgove, nuk më dëbove”.

- Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, u shpreh se ky do të jetë viti i fundit që Penda e Argjendtë jepet sipas gjinive të letërsisë, duke deklaruar se në vitet e ardhshme do të ketë vetëm një çmim të madh. Mendoni se ky sistem i ri vlerësimi do ta nxitë cilësinë letrare, apo mund të ndodhë e kundërta, duke patur parasysh realitetin shqiptar dhe marrëdhënien e vështirë që ka sot letërsia shqipe me lexuesin?

Meqë vlerën e plotë dhe jetëgjatësinë e një libri, ose të një vepre letrare, nuk ka si ta caktojë një ministri, nuk më duket vendimtar numuri i çmimeve. Por me siguri pesha e një çmimi të vetëm zyrtar, me kalimin e kohës, zgjon forca, tundime dhe ua vegon ndryshe ca çështje shpirtërore shkrimtarëve.  

- Tashmë është kthyer në fenomen në letërsinë shqipe bilinguzimi i autorëve. Pyetja që shtrohet gjithmonë në të gjitha konferecnat shkencore dhe letrare që zhvillohen në Shqipëri është: Këta shkrimtarë dhe poetë që shkruajnë në gjuhë të huaj duhet të përfshihen në historinë e letërsisë shqipe, apo duhet të konsiderohen pjesë e letërsisë së gjuhëve në të cilat krijojnë? Ju si mendoni?


U mbushën njëzet vjet që kur shkruaj edhe në rumanisht. E nisa me esenë „Statujë për një zog të zhdukur”, kushtuar veprës poetike dhe jetës së Lasgush Poradecit, dhe tani kam pothuajse po aq libra në secilën gjuhë. Meqë çdo autor dygjuhësh ka një përvojë krejt të vetën, prandaj nuk do flas në emër të askujt tjetër. Në një bisedë të mëparshme, thashë se duhen parë më me dashuri këta autorë, sepse edhe shqipja e flamurit ka dy kokë, jo një. Ngado që ta marrësh, bëhet fjalë për të njëjtin gjak, por që shkruan me dy bojëra të ndryshme. Autorët dygjuhësh nderojnë letërsinë e një kombi, ndonëse, ose pikërisht ngaqë disa prej veprave të tyre ua dhurojnë letërsive të tjera. Si do të kish qenë historia e letërsisë shqipe, për shembull, po të lihej jashtë Naim Frashëri, ose De Rada, meqë kanë shkruar edhe në greqishten e vjetër, në persisht, italisht etj?! ... Mjafton të studjohen veprat e shkruara në shqip të autorëve përkatës, nëse kanë, dhe gjërat qartësohen. Për fat te keq, deri tani, historitë tona të letërsisë janë përshkruese, si ca blloqe telefonash, dhe duan të prishin sa më pak qejfe. Por vjen dikur një teprim i mburrjes me të vdekurit ‚e gjallë’ (dëshmia më e qartë është tepria e mburrjes së të gjallëve ‚të vdekur’) dhe kjo e bën të pashmangshëm hartimin e një historie të ‚egër’ dhe e paanshme, ku autorët janë të letërsisë dhe jo e kundërta.