Sytë e jetës

MUSTAFË  XHEMAILI

(Ardian-Christian Kyçyku: «SY», roman, 
botoi ARVIN PRES, Bukuresht, 2004)

Prozë moderne e suksesshme

Nga opusi i romaneve të Ardian-Christian Kyçykut (1969), i suksesshëm nuk është vetëm romani SY, të cilin këtu do ta kem në shqyrtim, por të suksesshëm janë edhe romanet “Në perandorinë e gurit”, roman shqip, 1993; “Viti kur u shpik mjellma”, roman i shkruar në rumanisht, 1997; “Mortët”, roman shqip, 1997; “E fshehta e ëmbël e marrëzisë”, përmbledhje me novela shkruar në rumanisht, 1998; “Nata pas vitit zero”, përmbledhje me novela shqip, 1998; “Një fis i lavdishëm e që jep shpirt”, roman i shkruar në rumanisht, 1998; “Përkthimi”, roman shqip, 1999; “Muza e Lojës”, trilogji shqip, 1999; “Lumenjtë e Saharasë”, roman shqip, 1999; “Hyu Epigon”, roman-ese shkruar në rumanisht, 2000; “Dashuri me shikim të fundit”, prozë rumanisht, 2000; “Oreksi për bukën e qiellit”, roman shqip, 2000, “Diva ose Ngrënësi i Luleve”, roman shqip, 2001; “Engjëjt e tepërt”, roman shqip, 2002, “Kristali dhe hienat”, roman shqip, 2002; “Si u pushtua Çmendustani”, roman shqip 2004 e vepra të tjera.

Profesorin i ri pogradecar, doktor në shkencat filologjike dhe teologji, që në Universitetet e Rumanisë ligjëron lëndët “Elemente të kulturës dhe qytetërimit ballkanik”, “Gjuhësi e përgjithshme” dhe “Fenomeni Audio-vizual”, kritika rumune kaherë e quan “Markezi i Evropës Lindore” (Vasile Andru) ose “Një Markez ballkanik” (Titus Vîjeu) dhe në Rumani është “Kadare i ri me strehë jo në Paris, por... në Bukuresht” (Dan Stanca). Kështu nuk është pohuar për t’ia bërë qejfin autorit të ri nga Pogradeci, por është pohuar pasi që kritika letrare në Rumani ka shoshitur mirë e mirë romanet që A. Kyçyku i shkroi dhe i botoi në gjuhën rumune. Kritikët e rreptë letrar në jetën letrare rumune, siç janë Dan Stanca, Vasile Andru, Corneliu Vlad, Geo Vasile, Dan-Silviu Boerescu, Alcor C. Crisan, Titus Vîjeu, Iolanda Malamen e të tjerë, veprën e shkrimtarit shqiptar e kanë vënë në majën e kritikës së tyre, veçanërisht pas publikimit të romaneve “Viti kur u shpik mjellma”, “E fshehta e ëmbël e marrëzisë” dhe “Një fis i lavdishëm që jep shpirt”.
Derisa ky autor yni me vepra të suksesshme, në hapësirën jo të vogël letrare rumune, bënë një jetë aktive duke u përcjellë hap pas hapi nga kritikët e specializuar dhe me kompetencë të Rumanisë, në hapësirën letrare shqiptare në Ballkan ka ndodhë e kundërta. Përkundër një numri të mirë të veprave të Ardian Kyçykut, të botuar nga “Buzuku” dhe “Dukagjini” të Prishtinës si dhe  “Onufri” e “Botimpex” të Tiranës, kritika letrare shqipe, thënë këtu në mënyrën më të zbutur - ka heshtur! Përse ka ndodhur dhe po ndodh kjo ndaj një opusi letrar të njërit ndër prozatorëve më të suksesshëm të ditëve të sotme, është një çështje që këtu, dhe kësaj radhe, nuk e kam për shqyrtim.
Në këtë rast mund të them këtë: disa shkrime kritike dhe përpjekje analizash si të Virgjil Muçit, Elvira Dones, Ragip Sylës, Hiqmet Meçaj apo edhe i Robert Elsies, janë fare të pakta, për një vepër letrare siç e ka krijuar dhe po e krijon Ardian-Christian Kyçyku. Vepra e këtij autori tashmë është bërë një vepër që assesi nuk mund të kapërcehet e anashkalohet nga kritikët e letërsisë sonë.
Duke i lënë anash arsyetimet e ndryshme për kushtet dhe rrethanat e “tranzicioneve” të shqiptarëve, që po zgjasin pafundësisht, kritikët e letërsisë shqipe duhet ta kenë parasysh se duhet hedhur sytë, jo vetëm në Prishtinë e Tiranë, sepse, sot, betejat e letërsisë shqipe, nuk zhvillohen vetëm brenda atyre oborreve, por edhe brenda oborreve letrare në Paris, Nju-Jork, Romë, Cyrih, Munih e Berlin, Barcelonë, Londër, Athinë... dhe domosdoshmërisht në Bukuresht. Ky metropol evropian, dikur ka qenë vatër e rilindësve tanë, ndërsa sot ai flet me nderim e krenari për Markezin nga Ballkani.

Tronditja

Romani “SY” është një tronditje. Apo më mirë të thuhet një ritronditje. Sepse autori do të sjellë Shqipërinë nën diktaturën komuniste nga një këndvështrim i veçantë. Do të sjellë me mjeshtëri të rrallë pamjet tronditëse të rrëzimit të diktaturës në Shqipëri në fillim të viteve 90-ta, të shekullit njëzetë; do të sjellë vëlimet postkomuniste dhe traumat e saj për njeriun shqiptar. Gjatë leximit të romanit “SY” lexuesi duhet të jetë i përgatitur t’i nënshtrohet një gjendjeje të veçantë: në leximin e tekstit, të shikimit të pamjeve tronditëse që ofron ai, të ballafaqimit me gjuhën e autorit dhe të personazheve, të jetë i përgatitur për një rikthim e ritronditje të një kohe jo të largët, të ashpër, vrastare e vdekatare, por edhe të një kohe shpresëmadhe; të shikoj pastaj riciklimin të gjendjeve në kohëra të ndryshme në një hapësirë të njëjtë e të ngushtë etj. Lexuesi duhet të ballafaqohet me tranfosmimin dhe konvertimin e jashtëzakonshëm të personazheve duke iu përshtatur rrethanave të jashtme me thelbet e tyre të brendshëm, gjithmonë të njëjtë, sikur në vitet shtatëdhjeta, si në ato tetëdhjeta, si në nëntëdhjeta, si në hyrje të mileniumit të ri dhe deri më sot. Për të hyrë mirë në romanin “SY”, lexuesi duhet të përgatitet të lexoj një roman që, (siç kanë vepruar pak prozatorë tanë deri tash), ka thyer, ndoshta përfundimisht, klishetë e romanit tradicional, lexuesi i cili është mësuar ta dojë e respektojë prozën tradicionale vetëm për shkak të rrëfimit në stilin: ai hyri brenda e mbylli derën prapa vetes dhe u ulë në karrige... aty qau me lot dhe pasi u ngrit nga karrigia doli nga dhoma duke hapur derën me dorezën e saj të metaltë dhe u zhduk nëpër natë!
Emri sy, për sytë e njeriut, dhe përgjithësisht të gjallesave (për shembull për sytë e peshqve të liqenit të Pogradecit, personazhe të rëndësishëm në roman), kanë marrë kuptimin e metaforës. Madje të një metafore tronditëse e cila gjatë tërë romanit është e përsëritur me një funksion të jashtëzakonshëm shprehës.
Sy gjithkah, SY: sytë e mendjes, syzemre, syndërsy, sy qyteti, sy liqeni, sy njeriu, sy qelqi, sy zemre, syzjarr, sypeshk, syakull, sykopjuara, syshkruara, sypërlotura, syverbër, syshpuar; sy lakuriq, sy delesh, symizë, syrofil, syçka, sy shqiptarësh, sy djalli, sy engjulli, sy armiku (të jashtëm e të brendshëm), syzi, symajtë, sy përgjërues, sygozhdë, sylesh, sykalesh, po dilte më fort sysh se mëndësh, sythëngjillur, na nxjerrë sytë, s’më bënin sytë dritë, sytë shkëndija, hap sytë, syhapur, mos mbyll sytë, symbyllur, syfryrë, syth, sylëbyrës, Iliri me një sy, si ma ke syçkën, me një shtjellë sysh, sy të ngritur lugetër, sytë e babëzitur, sy vezullues, sy shkëlqimtarë, humbnin sysh, sytë e rojeve, sy murgeshash, sy çapëluar, sy tejqyre, syri i vetëm, hodhi syrin, syri iu ndal mbi muranë, ku ke sy ti, sy të ngritur, syri i së ardhmes, sa sy kam bërë të qajnë, sy të gjallë, merrni mësysh, sytë e kokës, sytë e ballit, sy të trashëguar etj., të shpërndarë në gjithë romanin “SY”.
Një gjendje e tillë që të shkaktojnë mijëra sy, mijëra vështrime, reale apo imagjinare, është një gjendje fantastike, të cilën autori Ardian Kyçyku e krijon me mjeshtëri të rrallë gjatë gjithë romanit “SY”. Mund të them lirisht se lexuesi asnjëherë më parë, në asnjë lexim të tij, nuk ka mundur të gjejë një etje kaq zhuritëse vështrimesh nga sytë, zhbirim kaq këmbëngulës sysh, mallëngjim e lutje aq përgjëruese sysh, dëshirë sipërore që rrjedhë nga syri njerëzor, epësh çakërdisësh deri në vrasje me burim nga sytë, thellësi mahnitëse nga ata sytë e jetës për të parë visoret e jetës, për të parë jetën dhe mrekullitë e saj të prekshme e imagjinare... nga njeriu shqiptar, personazhe të romanit  “SY”.

Tirania e diktaturës dhe e postdiktaturës - zhveshja e tyre

a) personazhet dhe karakteret

Paraqitja e një harku të gjerë kohor në romanin SY, të jetës dhe veprimeve të personazheve, nga autori, është bërë me një plan artistik. Ai rrok disa kohë të rëndësishme të jetës shqiptare nën regjimin diktaroial dhe postdiktatorial në Shqipëri. Janë të rralla prozat në gjuhën shqipe, që me aq qartësi e lakuriqësi jepen tirania e diktaturës, veprimit të saj, kulmi i saj, vdekja e diktaturës, vajtimi për të nga ata njerëz që pastaj do të konvertohen në demokratët më të thekur në botë, pastaj shembja e diktaturës dhe pasojat. Personazhet e romanit SY janë njerëz nga shoqëria e zakonshëm e qytetit rreth liqentqytetit ose anasjelltas qytetliqenit – Poradecit. Autori e njeh shumë mirë atë rreth, ngjarjet, personazhet dhe karakteret e tyre. Personazhi kryesor Iliri me një sy (ia kanë plasur me  tortura në burg), Themistokliu, sekretari i Partisë, Haki Ujera, Afrim Katrahura, (dikur edhe ky e humb njërin sy) Jaho Myneveri, (i cili vritet në kufi ku “Shqipëria e tij nuk mbaronte aty ku ra. Atje fillonte” (f.48), Melihaja, gruaja e Themistokliut, Xha Mistoja, fotograf, (që ka fotografuar çdo gjë në qytet madje edhe qenushët e Lasgushit; Koço Puthja, (Stërputhja), Flutura, gruaja e tij, Agimi i Zukut të Vdekjeve, Xha  Raqi, Afërdita, Xha Hasani me të bijtë Leninin (në kohën e pasdiktaturës bëhet Lenny), Stalinin (bëhet Seel) dhe Bashkimin, si dhe një galeri e tërë personazhesh të tjerë, që parakalojnë me funksione të qarta brenda ngjarjeve të romanit.
A. Kyçyku, ka bërë një përshkrim të thellë të karaktereve të tyre. Ato pësojnë ndryshime shumë të mëdha, dhe ndryshojnë thellësisht nga koha në kohë.
Më i spikaturi është Themistokliu, një diktator i vogël, i cili ushtron me forcë të drejtpërdrejtë pushtetin mbi gjithë të gjallët (dhe të vdekurit!) e qytetit. Në pasdiktaturë bëhet gjithashtu i plotfuqishëm në rrethin e tij, po aq i nderuar dhe i urrejtur si dikur në regjimin e përmbysur. Madje ai arrin t’i blejë edhe vilat e Legjendarit, siç shprehet autori, e të bëhet sundimtar edhe më i fuqishëm. Dikur funksionar politik dhe i plotfuqishmi i partisë në qytet, edhe me rënien e qeverive, ai mbijeton për mrekulli. Bëhet i pasur duke sunduar shumë prona dhe fushëveprimtari të tjera, uzurpon dosjet e ndryshme të njerëzve e dokumente të tjera, manipulon me to, madje bëhet edhe shkrimtar, siç bëhen edhe Koço StërPuthja, Melihaja e të tjerë!
Ndërsa personazhi kryesor i romanit SY, personazhi tragjik, Iliri me një sy, në fund të jetës së tij, pas përpjekjeve të pasuksesshme të marrë një vizë për ikje nga Shqipëria, vdes në mënyrën më mizore. Ai ta jep përshtypjen, se gjatë gjithë jetës së vet, e ka kërkuar vetëm vdekjen. Vdekjen dhe asgjë tjetër. Në anën tjetër, nga syri i vrarë i tij, duket se është vrarë bota e tij, bota e njeriut, dhe se ai, njeriu, në një regjim kundërnjeri, kundërsy, kundërdritë, kundërjetë edhe nuk ka pse jeton. Autori, këtë personazh e mbijeton gjatë diktaturës por e vret gjatë regjimit tjetër. Autori e bënë këtë pa asnjë hezitim. Sigurisht. Ai është i vetëdijshëm se regjimet janë të njëjtë – diktatura të vërteta, atëherë kur ato nuk kujdesen për shtetasit e vet. Kur ato regjime nuk e bëjnë shtetin dhe nuk i krijojnë kushtet elementare për jetë normale, kur politika e atyre regjimeve dështon, nuk ka rëndësi a është regjim diktatorial, postdiktatorial, piramidal – NJERIUN e vrasin njësoj! S’ka rëndësi koha! S’ka rëndësi forma!
Po sikur edhe në romanet e tjerë të këtij autori, si për shembull te “Engjëjt e tepërt”, “Oreksi për bukën e qiellit” etj., edhe romani SY është roman i personazheve dhe karaktereve por edhe i situatave dramatike. Madje drama ndodhë më shumë lidhur me karakteret e personazheve dhe rrugës së tyre jetësore. Periudha e gjatë kohore që përfshihet në te është një kornizë e rëndë, por që rrinë natyrshëm mbi këta personazhe.
Ky roman të futë thellë në meditime. Ngjarjet, situatat dalin të fuqishme, me një tension të veçantë, me një plastikë të jashtëzakonshme artistike. Aftësia e autorit për kapjen e detalit të një personazhi dhe të karakterit të tij, që pastaj ta fus në shërbim të tërësisë së një situate, apo një ngjarje të përmasës më të madhe, është shumë e dukshme. Kur tre peshkatarët e fillimit të romanit, gjenden pa koka, një oficer urdhëron që të kontrolloheshin edhe peshqit që ishin në barkë, dhe, ata, nuk ishin hiq më pak se 5 mijë koranë, amurë, trofta, krap, mërana, karavidha, çavrokë etj., ashtu siç i kishin zënë peshkatarët deri sa kishin kokat mbi supe. Gjithë kjo kontroll bëhej duke ua çarë barkun peshqve se mos gjenin ndonjë shishe me letërposi brenda, letërporosi me përmbajtje antishtetërore, që, pastaj, të përligjet vdekja e peshkatarëve! Shpesh në roman ndërtohen skena fantastike dhe gjysmë reale, siç janë gjendjet në dasmën e parë dhe të dytë me lindjen e fëmijëve nga nuset e dasmës ose mjegullën mbi liqen, mjegull që provokon imagjinatën e personazheve, të cilët gjenden në rrethana të veçanta psikologjike. Fatet e personazheve janë të ndryshme. Por në thelb janë tragjike dhe shpeshherë kanë përmasën komike. Tragjikja e Ilirit me një sy, përshkon tërë romanin SY. Në një farë mënyre ky personazh është edhe dhembja e autorit. Ai gdhendet me kujdes, gjatë gjithë romanit, pò me kujdes edhe i zgjidhet fundi tragjik i tij. Lexuesit do t’i mbetet gjatë në mendje. Ai është njëri ndër personazhet më të realizuar në letërsinë tonë të viteve të fundit.
Në anën tjetër Themistokliu, është personazhi i fuqishëm në roman. Ai është mishërimi i së keqes, është fruta bizare i diktaturës komuniste dhe i regjimeve postkomuniste. Është grotesku dhe krimi bashkë.
Ndërsa dëshira, shpresa, që shndërrohet në etje zhuritëse, në një vegim a fotamorganë, për të realizuar ëndrrën e vetë dhe të bashkëvendësve të tij, manifestohet përmes personazhit të Afrim Katrahurës. Ai aq larg shkon në ëndërrimin lirisë nën regjimin e diktaturës komuniste sa këmbëngulë vazhdimisht se duhej të gjendje një rrugëdalje, një shteg e të dilet në dritën e lirisë. Ai konstaton më në fund se “rreth këtij qyteti kaq të bukur, s’kishte si mos të ndodhej një portë që del (shpje) në botën tjetër, ose në një përmasë tjetër të realitetit.” (f.66). Ardian Kyçyku, ka ditur me mjeshtri të gjejë dhe përfolë një mënyrë të thjeshtë por filozofike, idenë për shpërthimin e rrethimit, burgut, diktaturës.
Personazhe mjaft të tipizuar janë edhe gruaja e Themistokliut, Melihaja, pastaj Koço SërPuthja e gruaja e tij Flutura, Haki Ujera, Jaho Mynaveri dhe Afrim Katrahura.

b) Strukturimi ngjarjeve dhe shtjellimi i  tyre

Në roman dallohen linja të qarta dhe karakteristike të strukturimit të ngjarjeve. Ai hapet me gjetjen e tri kufomave të peshkatarëve me kokë të prera, dhe gjurmimit të arsyeve nga Themistokliu me ekipin tij të ngathët e qesharak. Poashtu, pas kulmimit të romanit, ndodhë gjetja e dytë e tre peshkatarëve të tjerë, (Hamdia, Nikolini dhe Krisma) (f.85) në bregliqeni, po me koka të prera. Dhe kjo kohë tashmë është postkomuniste dhe koha e piramidave në Shqipëri. Sikur vërtetohet se gjithçka ndryshon, por vetëm vdekja jo. S’ka rëndësi se ajo vjen me prerje koke, apo vdekje nga tortura në burgjet e Spaçit, plumbin ballit, thyerjeqafe, varje në tra shtëpie nga varfëria e skajshme apo mbytje në liqen prej dëshpërimi. Ajo vjen e njëjtë dhe e saktë, në të gjitha kohët dhe rrethanat, në të gjitha regjimet. Poashtu në këto kohë dhe regjime, bëhen tri dasma të përmasave të njëjta, pothuajse me njerëz të njëjtë, me dolli të përafërta, me ushqime dhe dhurata të përafërta.
Përmes këtij strukturimi të rrëfimit, nga autori i romanit përshkruhet në mënyrë virtuoze një memisis (përsëritje) e rreptë e ciklit të jetës me theksime të variantit të kotësisë, të groteskes së saj, e tmerrit të saj, por edhe të një shprese të paadresuar. Në këtë mënyrë, A. Kyçyku ka bërë një zhveshje të plotë të një regjimi të egër që njeriun e vlerësoi dhe e trajtoi vetëm si një objekt. Por akoma më me saktësi e ka bërë zhveshjen e plotë të postdiktaturës, të ashtuquajturit tranzicion, kur pò ata njerëz që kishin krehur, zbukuruar, idealizuar, mirëmbajtur dhe ushqyer diktuarën, pò ata, në rrethana demokracie, veprojnë akoma më ashpër mbi njerëzit dhe ambientin. Duke ballafaquar gjendjet e përshkruara në romanin SY, në këto drejtime, del në sipërfaqe egërsia e njeriut, pangopësia e tij, ndyrësia shpirtërore e morale, ndrydhja ndjenjore dhe mendore, që pastaj pëlcet si një shpërthim i pakontrolluar e vrastar, deri në barbarizëm. Pastaj ndodh që nga revolta të rrënohet jo vetëm qeveria por edhe shteti, thyhet e plaçkitet çdo gjë nga vetë popullsia. Skenat që përshkruhen në roman gjatë thyerjes dhe plaçkitjes së  depove dhe rrëzimit të shtetit në Shqipëri në vitin 1997, janë shumë më të fuqishme se ato skena që kemi parë të fiksuara me fotoaparate apo të xhiruara me kamera filmike!“Asgjë me përjashtim të një shtize flamuri, që sekush e hodhi nga kati i tretë i një pallati, nuk doli tepër.” (f.91). Një pamje e tmerrshme, që shpinte drejt mohimit të vetvetes, dorëzimit dhe shthurjes së plotë.

Ironia, sarkazma, humori

Edhe në romanet e tjerë të botuar nga Ardian Kyçyku, edhe në romanin SY, ironia, sarkazma, humori zënë një vend të rëndësishëm. Këto kategori estetike shpesh herë dalin në pah fuqishëm. Jeta e personazheve në kohë të ndryshme, përpjekja e tyre për mbijetesë, për mbisundim te tjetri, për të përfituar, ose personazhe të tjerë që janë mësuar dhe ushtruar të jenë të përulur, kokëshkretë, shërbëtor dhe robër e të nënshtruar nga të tjerët më të fuqishëm dhe më të paskrupullt, krijojnë situata të tilla me tension ironie e sarkazme dhe shpeshherë humor. Autori i vë në pozita të atilla personazhet, sa që me veprimet e tyre krijojnë pozicione ironie, gjendje sarkastike dhe batuta humoristike që te lexuesi përjetohen në mënyrë të veçantë.
“Kam gjetur një dokument më se të rëndësishëm, - shtoi Katrahura me pëshpëritje. Bekuar qofshin sëndukët dhe çinglaminglat e stërgjyshërve. Kam gjetur të dhëna se një biçimzës mesjetar, për t’ia prishur gjakun, ia dërgonte prijësit tonë Gjin Bue Shpatës nga një shportë jo me vezë, po me sy shqiptarësh. Ha shqip, apo s’ha? Sy shqiptarësh! E para, qysh nga ai çast, vështrimit kombëtar i mungon një sasi dhe një cilësi e madhe metaforash. Shikimi kombëtar është i mangët. Këtu e themi – këtu e lëmë: nuk kemi aq sy sa na nevojiten në këtë fazë të zhvillimit tonë...”(f.37).
Dialogu i shkathët, me një nivel të lartë të shprehjes, bënë që komunikimi i tekstit me lexuesin, gjithashtu, të jetë në nivel të lartë artistik, mbresëlënës.
“- Bëmë derman, - iu përgjërua Haki Ujera duke dihatur. Ka filluar të më fryhet gju... gjuha. S’e marr vesh hiç. Më fryhet kur s’e pret e gati më zë frymën.
- Dhe mbetet ashtu fryrë?
- Jo shfryhet. Mirëpo që të shfryhet, duhet më parë të flas.
- Çfarë të thuash?
- E, këtu është e keqja. Jam si në mes një mjegulle, si mes një reje. Flas përçart, si duket, se e di që flas, mirëpo më vrafshin në e di se ç’them. Më kupto?
- Sa s’ta pret mendja, - e ngushëlloi  Afrim Katrahura.
Tjetrit po i mbufatej gurmazi si ndonjë misëroku.”(f30-31)

Gjuha dhe elokuenca e të rrëfyerit

Karakteristikë e veçantë e romanit SY është teksti i shkruar me një gjuhë shumë të pasur artistike dhe elokuenca e të rrëfyerit. Autori përdor një arsenal të tërë të shprehjeve të rralla si në dialogët e personazheve, poashtu edhe për përshkrimin e gjendjeve dhe rrethanave të ndryshme. A. Kyçyku kështu ka vepruar edhe në romanet e tjerë. Proza e tij është e mbushur me fjalë të zgjedhura, shpeshherë aq të dendësuara sa të japin një përshtypje se je duke lexuar prozë poetike. Për shembull shprehjet: i qe bërë shollë lëkura e zemrës; fjetshi të madh; pat shkundur lulen e vajzërisë; biçaku me myll eshtre; se zërat nuk i shihja; një shishe rakie lehonë; gjaku i përmjaltej nër deje; bota e shumtëve (e të vdekurve); ai çau ferrën (iku); me varen e dollarit në dorë; mullar pallavrash; me një shtjellë syshë; do ta kish bërë Evropën pluhur dhe kujtim;  sitja e madhe e kujtesës; gjerë të jetë jeta jetë; koha nuk i hapte sytë para kohe e të tjera.
Gjatë tërë romanit, por edhe në prozat e tjera, ky autor i suksesshëm, është kujdesur që të përdorë një fond më të rrallë të fjalëve, të krijoj fjalë të reja, ose fjalëformime, apo të bëjë një përzgjedhje të veçantë të tyre dhe atë e ka bërë me sukses si për shembull: marrakëmbthi, syrofil, sykopjuara, gërdhita, shajnitur, misroku, gjithëpamëse, pafatnisë, ligavitur, frymëzënës, çarvalitje, shkrumbehija, shtylysh, vjeshtuar, jetari, rrokapjekthi etj.
Megjithatë, në këtë pikë autorit i mbetet ende të bëjë punë. Ai duhet që tekstin ta herrë edhe nga disa fjalë të panevojshme me prejardhje të huaja, të cilat mund t’i evitojë me lehtësi sepse ato nuk kanë peshë gjuhësore e artistike brenda romanit SY.

Edhe disa të veçanta

E veçantë tjetër te romani SY është se A. Kyçyku na ka dhënë pamje të një ambienti specifik. Në përshkrimet tij shpesh dalin pamje të një ambienti të mrekullueshëm, ashtu siç edhe është ambienti i Liqenit të Poradecit dhe i vet qytetit, qyteti të tij të lindjes. Kontrasti që bëhet me veprimet e personazheve dhe hijen e karaktereve të tyre është një kontrast i fort, shpeshherë i ashpër, thyesë, i rëndë. Pikërisht këtu edhe qëndron bukuria artistike e kësaj proze, bukuria e kontrasteve.
Krahasimi që dua ta bëjë këtu, nuk ka pretendim të thellohet më tej. Derisa S. Spasse, në romanin “Buzë liqeni” (të Prespës), një roman që ka ushtruar ndikim të madh te lexuesit, përshkruan një idil mahnitës të realizmit socialist në letërsi, gjendjen shpirtërore shembullore të personazheve, duke e zbukuruar ambientin dhe përgjithësisht jetën në atë periudhë, ambient që është i përafërt  me romanin SY të A. Kyçykut. Te ky roman, te pjesa e parë, deri me rënien e regjimit të E. Hoxhës, jepen gjendje shpirtërore krejtësisht të kundërta me ato të prozës së Spasses. Romani SY jep një pasqyrë të zhveshur shpirtërore të personazheve dhe raporteve mes tyre në kuadrin e një diktatura siç ishte ajo në Shqipëri. Është krejt normale që sot mund të shkruhet kështu siç shkruan prozë A. Kyçyku. Për të nxjerrë karakteret, siç janë dhënë në romanin SY, autori nuk e ka pasur të lehtë. Jo pse nuk ishin ashtu personazhet dhe raportet e tyre të një kohe që shkoi. Por fatkeqësisht karakteret e tyre u bënë edhe më të ndërlikuara pas rënies së diktaturës. Kjo nuk e shfajëson aspak kohën e diktaturës. Përkundrazi. Ajo është shkaktare që njerëzit të bëhen të tillë, siç u bën dhe siç përshkruhen në prozën autorit. Drama e njerëzve u ashpërsua, u ngritë në nivele të tjera të shprehjes së tyre, duke marrë forma dhe përmbajte në përputhshmëri me rrethanat dhe kushtet për të jetuar dhe mbijetuar. Shumë personazhe, madje edhe kryesorët e romanit “Buzë liqeni” për t’i kujtuar duhet shfletuar romani, ndërsa nuk do t’i harroj kurrë Themistokliun dhe Ilirin me një sy, të romanit SY.
Në anën tjetër është edhe një personalitet i jashtëzakonshëm i atij ambienti që përshkruhet në romanin SY. Ai nuk është personazh i drejtpërdrejt në roman, por sikur ndihet i pranishëm, sikur lexuesi e ndjenë se diku përgjon, shikon, thur vargje në kullën e tij në bregliqeni. Ai është Lasgush Poradeci, i cili idilin që e rrethon këtë liqe dhe jetën shpirtërore që ka gjalluar rreth brigjeve të tij, e ka ngritur deri në një mrekulli poetike.
Bashkëvendësi i tij, Ardian Kyçyku, në romanin SY ka krijuar një prozë me vlera artistike të jashtëzakonshme, ashtu siç ka arritur ta krijoj Lasgushi në poezi – artin e vërtetë, artin që të tronditë me fuqinë e tij.
Është për të veçuar edhe një karakteristikë të romanit. Ardian Kyçyku nuk bënë ndarje të teksteve me numra të kapitujve. Gjatë leximit, lexuesi vetë do ta ndajë romanin në bazë të ngjarjeve dhe periudha historike që përshkruhen në roman. Romani është një tekst i tërë, ku kohët dhe ngjarjet e ndajnë atë në kapituj dhe nënkapituj.
Mirëpo, mënyra e shtrirjes së tekstit në këtë botim, është ngulfatese dhe e vështirëson leximin nga lexuesë më të shumtë. Ky tekst, në një botim të dytë, patjetër duhet të faqoset në mënyrë të natyrshme, jo në 138 faqe siç ka hyrë tash si në shtratin e Prokrustit, por sëpaku në 350 faqe, sa realisht duhet të ketë kjo vepër.
Romani SY, i cili është një rrallësi në prozën tonë të re moderne, do të jetë një kënaqësi e përhershme për ta lexuar dhe rilexuar.
Duke lexuar romanin SY, dhe jo vetëm këtë roman të Ardian-Christian Kyçykut, lexuesi e ndjen shumë mirë, e ndjen fort shkundullimën e artit, veprimin e tij brenda vetes. Ai do të shoh një botë të gjerë që ky autor me talent ka krijuar, një botë dhe vizion letrar me të gjitha rrezet vepruese të saj përmes të cilave sillet një pasuri e jashtëzakonshme ndjenjash estetike.


Bienne, mars-prill 2005