Si u shkrua romani “SY”...

Ardian-Christian Kyçyku: 


"Përgjithësisht nuk rrëmoj në thellësi të këtyre gjërave. Ndofta rrënjët më të afërta të romanit „Sy” gjenden në pranverën e vitit 1991, kur më ndodhi të shoh në urën pranë konviktit ku banoja ca çunakë që kapnin peshq dhe që, në vend të krimbave a fluturave, vinin majë grepave sy peshqsh të vegjël. Uria e peshqve të mëdhenj për sy më çmeriti. Mjedisi ishte i sunduar nga ujrat, sytë, akujt ende të pashkrirë dhe kokat e aq të panjohurve që të duhet të numërosh gjatë muajve të parë të mërgimit. Besoj se kam tjerrë me orë të tëra pastaj metafora e parabola që lidheshin me urinë, pangopjen e vështrimit, mallin, shijen e syve, duke përsëritur vargjet gati hyjnisht mishngrënës të këngëve popullore: „ta hëngsha synë”, „t’ia hash syçkën”, „syçka si ato të tuat”, „ia hëngri syri”, „e hëngri me sy” etj, i bindur se ne gjithmonë kemi përshtypjen që njerëzit sybukur shohin motërzime më të pranueshme të kësaj bote. S’kisha ndonjë parapëlqim të rrallë ndaj syve të bukur, mirpo si të gjithë të mërguarit isha gati të haja vetë botën, që ishte aq e bukur, aq e re dhe njëherazi aq e ngurosur ndaj meje. Vite më vonë, buzë Liqenit Titan, që pat ngrirë dhe qe shndërruar në fushë patinazhi, tek flisja me ca miq rreth rolit të kokës në mbarësinë apo fatalitetin e njeriut, përjetova sërish shijen e mjegullës së dikurshme, të mbushur me sy peshqsh, plot sy që ushqejnë dhe ushqehen me sy… Romanin e shkrova me një frymë. Njëri nga synimet ishte që ky libër të mund të shtronte po aq pyetje sa ç’shtron edhe vështrimi i njeriut të sotëm. Më dukej thelbësore baraspesha mes numurit të pyetjeve dhe misterit që ruan tharmin e jetës. Ky mister mbetej bebëza e Syrit, rreth të cilit endeshin dhe enden çështje marramendëse, si gara e nëndheshme dhe shpesh gjakësore mes racave, gjuhëve e besimeve, forca e hartave gjenetike ndaj atyre gjeopolitike e kulturore; rrjedha çmeritëse e lëndës (financave); ata që kanë pushtetin dhe ata që i ka pushteti; vazhdimësia të paktën e çuditshme e ca gjërave si varfëria, të jetuarit si vetëm për të paguar taksa e shlyer borxhe; çartja e mediave dhe mbetja gati përjetë në zonën gri, ku vetëm humori dhe pranimi i absurdit prodhimtar e ndalojnë shpirtin të mpihet krejt..."