Shpërfytyrimi i 'ikonave' në romanin "Sy" të Ardian-Christian Kyçykut

LULJETA DANO

SY, në të pashquarën e titullon një prej romaneve të tij të shumtë, Ardian Kyçyku, si emrat e librave: Luftë dhë Paqë, Frymë të vdekura, Njëqind vjet vetmi, Mëndafsh, Njëmijë diej vezullues, … në të pashquarën me energji thithëse nga përbrenda me përbrendësi, siç thotë Lazgushi, ndryshe nga e shquara.
Romani Sy trajton variacione për të gjitha metaforat e Syrit: e Njësyrëshit që na vëzhgon kurdoherë, e pasqyra - pasqyrimeve, syve që mbyllen përgjithmonë, mirazheve, syve të dashurisë në gjendje transi, syqelqët, historikqyrësit, ujèrat, vetë drita e syve, syrofilët, gjithësyrëshi, sylotët, tejqyra largpamëse, dylbimbrojtësja, sydelja, sykopjuara… të gjithë këta sy i jepen lexuesit nga autori për të parë vetveten në kronikën apokaliptike shqiptare të fundit të mijëvjeçarit të dytë, sidomos koha e çeljes, të themi, e depove të armëve! Rikrijimi i ikonave nëpërmjet shpërfytyrimit të tyre: Shtatorja e Nënës së Panjohur në mes të qytetit shqiptar që i tret bijtë  e vet në hapsanat (burgjet) e greqive, italive, francave, spanjave, gjermanive e amerikave, shumësi për këto emra femërorë të përveçëm, sa s’ka më, sjell një nga temat më dominuese e shpërthyese të dekadave të tranzicionit, bjerrjen e shoqërisë shqiptare.
Ngjarjet e romanit SY ndodhin në Pogradec, qytetin paraardhës të të cilit pleqtë tregonin se ndodhej në fund të liqenit, madje ende i gjallë me një jetë të tejbotshme. Sa herë kam shkuar në Pogradec kam pritur një shenjë sado të vogël nga qyteti nënujor i koranit, të më tregohej që ishte ende aty. Njëherë u takova me nënë Vangën, që midis të tjerash më tregoi dhe qilarin ku ndodhej një violinë, sende personale të Mitrush Kutelit e plot sende që nuk kanë as moshë, as vdekje… Një tjetërherë pashë në stacionet televizive lajmin e kobshëm se nga përmbytjet e shirave të mëdha kishte rrëshqitur toka dhe kishin dalë eshtrat nga varreza e qytetit… se ç’ka një jetë si prej letërsie Pogradeci, të bën të ndjehesh ndryshe, që nga njerëzit mikpritës që të qerasin me gjithë ç’ka shtëpia, e gjer tek shpirti i letërsisë së Mitrush Kutelit e Lazgush Poradecit, se ç’ka një frekuencë gjëllimi e marrëdhënie të fshehur me qytetin parak nënujor. Ardian Kyçyku pavarësisht se iku fëmijë nga qyteti i tij i lindjes, dhe do të jenë Tirana e Bukureshti qytetet e tij të rritjes, edukimit, jetës akademike, si dhe veprës së gjerë letrare, ndjekës i udhëve të Kutelit e Poradecit, gjithashtu nuk do të mbartë vetëm ai emrin e vendlindjes, ai vetë, shkrimtari, është gjithashtu, qytetlindës i një Pogradeci tjetër të mbivendosur me sinore letërsie.

 Nderimi i lartë akademik, ku u thye tradita shumëshekullore rumune duke u zgjedhur një i huaj rektor i një universiteti rumun, më 2012 - Universiteti Rumun i Shkencave dhe Arteve (URSA) “George Cristea”, e shoqërojnë emrin e Ardian Kyçykut me emrat e Hasan Tahsinit, (njohur edhe si Hoxha Tahsini, rektor i parë i Universitetit të Stambolit, 1870), Naum Dokos, fanolist në mërgim, rektor i Universitetit të Tbilisit, 1932, ku shkoi për arsye shëndetsore sepse emërimi fillimisht qe rektor në Shën Petërburg, si tre emra të nderuar shqiptarësh - rektorë universitetesh të huaja.