Romani “Sy” i Ardian-Christian Kyçykut, i rilexuar

DHURATA HAMZAI



Ndërsa kritika e letërsisë, ka për të mbijetuar si një institucion lavdesh patetike, shkrimtarët e rinj do të kalojnë në heshtje, derisa ndonjë artist i çdo fushe qoftë, piktor ose shkrimtar ta dëshmojë ndonjë mbresë intuitive të ndjerë gjatë leximit të veprave, që të rinjtë ia sjellin herë pas here si dhuratë letërsisë shqipe. Disa prej shkrimtarëve që jetojnë në atdhe janë të përmendur tashmë si emra të talentuarish dhe disa janë edhe vërtetë të talentuar. Por, as për këta të fundit, s’ka dalë dikush që të dijë të çmojë e të vlerësojë sakt tërë rapsodinë e mjeshtërisë së tyre krijuese, faktorët psikologjik e shoqëror që lulëzojnë këtë lloj letërsie, përkatësinë, ose pjekurinë e stilit, dhe aq me pak të merren me një dukuri më konkrete, në rastin e letërsisë, të artit të fjalës. Të tjerë shkrimtarë shqiptarë jetojnë jashtë kufijve, e ndoshta mund të mos jetë bërë i njohur fakti që ekziston po aq e mirë krijimtaria, apo vepra e tyre, fakeqësisht e harruar, e lexuar dorazi në rrethe të ngushta intelektualësh të interesuar, por krejt e panjohur si letërsi e si gjasë gjatë gjithë kohës që shkrimtari jeton përtej atdheut të tij. Ardian Kyçyku në Bukuresht, nuk do të jetonte dot pa vështrimin nga Shqipëria, ngaqë ka marrë me vete të gjithë mentalitetin e krijuar në vite, ngaqë shkruan shqip, ngaqë mendon shqip, ngaqë jeton shqip dhe as që mundet të shkëputet nga historia shqip e shqiptarëve.
Janë pjesë e kësaj legjende një numur i madh shkrimtarësh, ndër të cilët është edhe Ardian Kyçyku, të cilin e njohim si të larguar nga atdheu, por nëse je lexuesi i librave të tij, “Muza e Lojës”, “Lumenjtë e Saharasë”, “Diva ose Ngrënësi i Luleve”, “Sy”, “Si u pushtua Çmendustani”, etj, etj, e sheh që ai nuk është një i larguar, por vetëm sa është “zhvendosur” për ta parë Shqipërinë më përtej. Të shikosh Shqipërinë nga largësia e të mërguarit, ashtu siç e sheh atë shkrimtari Ardian Kyçyku, është njësoj sikur ta shikosh nga lartësia e të diturit. Kjo është përshtypja e parë që krijohet sapo të bien në dorë veprat e tij. Ardian Kyçyku nuk lëvron vetëm prozën, por shkruan esse dhe studime shkencore për letërsinë, mërgimin dhe teologjinë. Më të rrallë ndodh që ai të shkruaj dramaturgji dhe vargje. Falë tij, në aradhën e krijuesve, në zhanrin e romanit shqip, ekziston një romam me vlera të rralla artistike, që titullohet “Sy”. Romani “Sy”, i shkruar nga dora e shkrimtarit Ardian Kyçyku, i njohur apo i panjohur qoftë, jo vetëm që gjallon vetiu në rendin e veprave të krijuesve më të talentuar shqiptarë, por ai vjen edhe si një gjini që është lëvruar shumë rrallë në zhanrin e narrativës shqipe, është një roman-epope. Letërsisë shqipe i mungon ky zhanër, sa për arsye se është më i vështiri e kërkon potencë për t’u shfaqur e stil për t’u imponuar tek lexuesi, e më i vështirë bëhet për t’u mbajtur në shpatullat e një artisti të ri në moshë. Sfida që u është bërë vështirësive të kësaj natyre, deri në ekzekutimin final të romanit e ka rritur shkrimtarin në vite. Pjekuria artistike e veprës e ka kapërcyer sakaq moshën reale të shkrimtarit. Shumë pak shkrimtarë që i përkasin brezit të 30-40 vjeçarëve munden të mbartin në të gjitha gjasat estetike, retorike e kompozicionale një gjini të tillë. Ardian Kyçyku e ka gjetur aq bindshëm kodin metaforik të romanit, sa që tek vepra me 300 faqe gjendet e gjithë historia origjinale e një kombi të anatemuar siç është Shqipëria dhe shqiptarët. Kyçyku me “Sy” e sy për sy sheh përtej fasadës së errët që i kanë ngritur grafomanët Shqipërisë. Për sa i përket estetikës kompozicionale, romani “Sy” është shprehur e ndërtuar katërcipërisht sipas parimeve të një prizmi rrezëllues. Një pikë e vockël në majë (detaj në rastin e letërsisë), sikur SY që titullon romanin, shumëzon dhjetëra-qindra mijëra sy në botët e përmbysyra të njeriut. Njeriu brenda njeriut, vetëm duke shumëzuar sytë, duke i bërë ata katër, pesë, dhjetë, njëqind, do t’ua rrëzojë çdo lloj vuali, sado i bukur që të jetë shoqërive, sido që të jenë ngjyrosur personazhet me imazhe. Ato, sytë e shumëzuar në shpurën e labirintheve të një syri, do ta shohin me siguri të vërtetën më të pastër. “Sy” është një metaforë prizmatike që rrotullohet më shumë kur lidhesh ndjeshmërisht me veprën, ku një rol të rëndësishëm luan edhe fantazmagoria e kokave të prera e syve të verbuar. Pra, vetë ky roman i ndërtuar me një klas letrar e metaforik të veçantë, nuk ka qëllim në vetëvete të stimuloj mesazhe pacifiste apo humane për njerëzinë, ose të vendos norma romantike poetizuese, apo hymnizuese, por sillet veçanërisht ndryshe nga shumë romane të tjerë, duke lejuar të parën lirinë e çdo lexuesi. Në rastin e këtij romani, ndryshe nga sa veprojnë shumë krijues të tjerë, narracioni vjen si funksion, vetëm si funksion gjallnues ku tragjedia, grotesku, ironia, melodramat, pasionet, përmbytin skemat, pra skematizmin e rrëfimit, dhe të lënë të mahnitur gjatë zbulesave të stilit. Stili i Kyçykut vjen me vërtetësinë e metaperceptimit, i cili të çon në ato rrugë të pashkelura ku e ka të vështirë të depërtojë edhe Psikoanaliza.

Si u shkrua romani “SY”?!...

Si u shkrua romani “SY”?!... “Njëri nga synimet ishte që ky libër të mund të shtronte po aq pyetje sa ç’shtron edhe vështrimi i njeriut të sotëm. Më dukej thelbësore baraspesha mes numurit të pyetjeve dhe misterit që ruan tharmin e jetës”, thotë shkrimtari. Ky mister mbetej bebëza e Syrit, (të shkrimtarit) rreth të cilit endeshin dhe enden çështje marramendëse, si gara e nëndheshme dhe shpesh gjakësore mes racave, gjuhëve e besimeve, forca e hartave gjenetike ndaj atyre gjeopolitike e kulturore; rrjedha çmeritëse e lëndës (financave); ata që kanë pushtetin dhe ata që i ka pushteti; vazhdimësia të paktën e çuditshme e ca gjërave si varfëria, të jetuarit si vetëm për të paguar taksa e shlyer borxhe; çartja e mediave dhe mbetja gati përjetë në zonën gri, ku vetëm humori dhe pranimi i absurdit prodhimtar e ndalojnë shpirtin të mpihet krejt.
Romani “Sy” ka shkatërruar disa klishe të traditës, duke krijuar një handikap të thellë mes letërsisë tradicionale, por duke iu bashkangjitur denjësisht letërsisë së disa prej krijuesve më të mirë të brezit të ri, si Agron Tufa, Arian Leka, Romeo Çollaku, Henrik Gjoni, etj. Megjithatë romani “Sy” i Ardian Kyçykut do të ngelet e vetmja vepër që ka tipizuar në letërsinë shqipe ngjarjet e vonshme epiko-narrative, duke mbushur një humnerë pikërisht për atë epokë të pashkelur nga penat letrare, pas veprave të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, si “Dimri i vetmisë së madhe”, “Gjakftohtësia”, etj. Në këtë rast Kyçyku ka tjerrë në këtë roman metafora e parabola që lidhen me urinë, pangopjen e vështrimit, mallin, shijen e syve, duke përsëritur vargjet gati hyjnisht mishngrënës të këngëve popullore: “ta hëngsha synë”, “t’ia hash syçkën”, “syçka si ato të tuat”, “ia hëngri syri”, “e hëngri me sy”, etj, i bindur se ne gjithmonë kemi përshtypjen që njerëzit sybukur shohin motërzime më të pranueshme të kësaj bote. “S’kisha ndonjë parapëlqim të rrallë ndaj syve të bukur, mirëpo, si të gjithë të mërguarit, isha gati të haja vetë botën, që ishte aq e bukur, aq e re dhe njëherazi aq e ngurosur ndaj meje. Vite më vonë, buzë Liqenit Titan, që pat ngrirë dhe qe shndërruar në fushë patinazhi, tek flisja me ca miq rreth rolit të kokës në mbarësinë apo fatalitetin e njeriut, përjetova sërish shijen e mjegullës së dikurshme, të mbushur me sy peshqsh, plot sy që ushqejnë dhe ushqehen me sy… Romanin e shkrova me një frymë”, rrëfen Ardian Kyçyku. Nuk mohohen përpjekjet e shumë shkrimtarëve për ta bërë këtë, por asnjëherë nuk ka qenë përfshirja kaq e madhe, përkatësisht në rrafshin simbolik, stilistik e të shprehur me aq plotëri përmes dialektikës së ngjarjeve dhe personazheve dhe metafizikës së narracionit. “Gjërat kryesore i shkruaj me dorë, ku të rastisë. Përtej çdo fshehtomanie, pothuajse askush nuk e di kur dhe çfarë jam duke shkruar. Nuk i ndruhem asgjëje dhe nuk jam bestyt, por deri tani nuk di si është të shkruash ndryshe”, thotë shkrimtari.
Letërsia shqipe ka pak romane të kësaj natyre, dhe akoma më pak janë të lexuar nga “të mbijetuarit”. Romani “Sy” i Ardian Kyçykut ka tre vjet që është botuar... ndërsa lexuesit e rallë lajmërojnë me trumbeta, sapo u bie ky libër në dorë se është një roman i veçantë. Sigurisht gjasa e dytë është kryefund meritë e Ardian Kyçykut, por një libër i veçantë me një stil aq të përkorë romanesk, me një frymëzim gjuhësor të jashtëzakonshëm duhet të jetë një nga shtyllat e panteonit të ardhshëm të letërsisë shqipe, nëse mundet të themelohet një institucion i kritikës letrare. Rrjedha e botimeve të librave të Ardian Kyçykut nuk lidhet me kronologjinë e shkrimit të tyre. Ai ka jo pak libra të shkruar në periudhën 1987-1997 që presin “radhën”, duke qenë kësisoj libra të njëfarë sirtari të dyfishtë. Kur vjen ora dhe romani zhvillohet, librat Kyçyku i hedh vetë në kompjuter, i faqos dhe u bën për secilin edhe nga një ballinë.

“SY” - një majeutikë e vërtetë ndaj kujtesës universale


Prania e romanit “Sy” në dritë të botimit është e patjetërsueshme si vlerë antologjike, jo vetëm për letërsinë shqipe, po të kujdo vendi në botë. Shkrimtari është po aq i pavetëdijësuar në shpërthimin e detajeve të këtij romani, sa ç’është mungesa e paragjykimeve në çastet kur e ka shkruar atë. “Përgjithësisht nuk rrëmoj në thellësi të këtyre gjërave. Ndofta rrënjët më të afërta të romanit “Sy” gjenden në pranverën e vitit 1991, kur më ndodhi të shoh në urën pranë konviktit ku banoja ca çunakë që kapnin peshq dhe që, në vend të krimbave a fluturave, vinin majë grepave sy peshqsh të vegjël. Uria e peshqve të mëdhenj për sy më çmeriti. Mjedisi ishte i sunduar nga ujrat, sytë, akujt ende të pashkrirë dhe kokat e aq të panjohurve që të duhet të numërosh gjatë muajve të parë të mërgimit...”, rrëfen shkrimtari. Romani “SY” i botuar tre vjet më parë, i panjohur deri në atë cak sa shkrimtari që ekziston në vepër, nuk po ekziston në vendin e vet, në gjuhën e të cilit shkruan, krijon një paradoks të madh. Një paradoks më të madh edhe se vetë bukuria e këtij romani. Si mundet vallë të mos jetë i përmendur, i lexuar edhe nga shkrimtarët kritikët, studiuesit e masterizuar aq dendur, në Universitetin e Tiranës, sidomos në këto vitet e fundit. Pra, pa e zgjatur romani “Sy” i Ardian Kyçykut nuk mund të lexohet pa t’u krijuar ky lloj shqetësimi i mungesës, publikimit, dhe pse jo dobisë... për vendin dhe në vendin ku e ka shkruar romanin shkrimtari. Në Shqipëri ende botohen dosje të ish udhëheqësave komunistë, ku flitet për bëmat ogurzeza të një 50 vjeçari bastard me shumë ngjyra rozë e lavdi false. Kjo gjasë ngre, tek brezat e rinj, kriminalisht një mit mashtrues për karakterin real të atij regjimi. Pikërisht do të jenë romane të tilla si “Sy” i Ardian Kyçykut, ose “Gjahu i pëllumbave” i Henrik Gjonit (jeton në Francë), etj, që të ndihet realiteti i gjallë, i atyre brezave që veç lënguan nën regjimin e Enver Hoxhës. Ngjarjet e këtij romani-epope, janë shtjelluar në një hark kohor që agon pas viteve ‘40 të shekullit të kaluar e vijon deri përtej ditëve tona. Jeta e një populli që ka jetuar mbi gjysëm shekulli nën regjiminin diktarorial dhe postdiktatorial që rrënoi Shqipërinë, pasojat e mistershme pas konvertimit të bujshëm të komunistëve në demokratë, e ka bërë të mjaftueshëm edhe qytetin e vogël të Pogradecit, që të zbulohet aty, përmes personazheve dhe karaktereve të tyre, duke ia behur e vërteta para dy syve, pavarësisht se personazhi kryesor Iliri është me një sy, ngaqë ia kanë nxjerrë me tortura në burg. Karaktere të parpësëritshëm janë Themistokliu, sekretari i Partisë, Afrim Katrahura, edhe ky me një sy të verbuar, Jaho Myneveri, Afrim Ujera, Afërdita, Melihaja, Fotografi xha Misto, Koço Stërputhja, Flutura, Agimi i Zukut të Vdekjeve, Xha Raqi, Xha Hasani me të bijtë Leninin, Stalinin dhe Bashkimin. Tek romani “SY” gjen heronj të lindur bashkë me emrin; disa tragjikë, disa komikë e disa hiperbolikë, që përmbushin aq mirë misionin e zhvillimit perfekt të ngjarjeve. Romani gërsheton realizmin e fuqishëm me groteskun, por edhe me humorin e befasishëm, duke shtuar, pakësuar sy në vetëdijen e munduar të lexuesit të sotëm. Në këtë roman do të ndihet e vërteta e patjetërsueshme. Po ky është një roman që duhet lexuar siç thuhet, sepse vertetë nuk mund të rrëfehet. Një fragment i këtij libri na jep në dorë pishtarin për të parë se nga cilat labirinthe të individualitetit ka ardhur fryma që ka ngjizur një roman kaq të veçantë. Një fragment i këtij romani do ta bënte më mirë këtë konkretizim: “Me një sëmbim në zemër, por dhe i lehtësuar, zbulova se e folmja ime shpesh qe aq e rëndomtë. Vetë gjuha ime po mbushej me rrokje, fjalë, metafora, tinguj e nyje shkëlqimtare, një grimë larg të paharrueshmëve. Vetëm me atë gjuhë mund të rrëfeheshin ato që pata parë dhe përjetuar gjatë jetës me dy e një sy”. Pastaj, shkrimtari vazhdon të shkruaj: “Ndoqa me një pafuqi lektisëse mbirjen e mbase thjesht rritjen e asaj gjuhe në qiellzë e në qenie. Një gjuhë, e cila me siguri do më kish sjellë një krejt tjetër fat, më pak të mefshtë në të kaluarën….Fjalët e para që thashë pasi u zgjova tjetërkund ishin: -0 Perëndi..!”. Ndoshta, pasi të kenë kaluar disa vite nga zhurmat e holokausteve të mëdhaja që përjetoi vendi ynë i vogël dhe i varfër, përplot njerëz, bindje dhe sy e vesh, romani i shkrimtarit shqiptar Ardian Kyçyku, me banin në Bukuresht të Rumanisë do të tingëlloj si një mister i retorikës dhe i hiper-realizmit në letërsinë bashkëkohore; “sy-sy të trashëguar a të humbur në një të kaluar që tani më dukej vërtetë e lakmueshme, e lavdishme dhe magjiplotë”, shkruan ai.

* * *

Shkrimtari dhe gazetari rumun Corneliu Vlad u shpreh se “Prozatori i ri siç i thonë disa, është në fakt i moçëm dhe i vënë në sprovë si vetë Ballkani. Por një i sprovuar i qetë, që lëviz mes të fshehtave të ëmbla të lindjes e të vdekjes, të fillimit e të fundit, me një shpërfillje prej të pavdekshmi, apo mbase të një qeniejeje racionale të ardhur nga tjetër botë”. Bogdan-Alexandru Stanescu e ka quajtur Ardian Kyçykun prozator vizionar, me një forcë shajnitëse, që praktikon një majeutikë të vërtetë ndaj kujtesës universale. Ata që e kanë lexuar librin e Ardian Kyçykut janë të mendimit se vlera e këtij autori i kapërcen kufijtë e një atdheu e të një rajoni gjeografik. Ioam Adam do të thoshte se Kyçyku është një filozof për të cilin bota nuk ka më të fshehta, madje edhe nëse ajo struket tash për tash me mjegull. Poeti i njohur rumun, Paul Vinicius, e konsideron Ardian Kyçykun një prozator të madh. “Duhet të mburremi që merr frymë pranë nesh”, thotë ai. Një libër i jashtëzakonshëm, një epope e vërtetë ballkanike, një libër me të cilin çdo letërsi, sado e madhe qoftë ajo, do të krenohej”. Val Popa tha: “I nderuar lexues, ndodhesh përpara një vepre të jashtëzakoshme të një njeriu që ka zbritur nga foleja e shqiponjave. I gatshëm të ndajë me ne të fshehtat e perëndive”.

Kyçyku, ose fati i shkrimtarëve të mërguar

Ardian Kyçyku u lind dhe jetoi në Pogradec deri në moshën shtatë vjeçare. Pesëmbëdhjetë vite të tjera i kaloi në Tiranë. Më 21 nëntor të vitit 1991 mbërrin në Bukuresht me një bursë për doktoratë. “Jemi mësuar që zakonisht t’i ngremë himne kujtesës, mirëpo në mërgim, - që njeriu dhe shkrimtari të mund të mbijetojë pa trauma fatale, - mëson se duhet përdorur sa më mjeshtërisht harresa. Jo aq bëmat e kujtesës janë vendimtare, kur bëhet fjalë për vendet ku ke jetuar, sesa një dhimbsuri, apo një pafuqi krejt e rrallë e harresës. Qytetet ku ka ndodhur të kaloj, ose të ndalem deri tani janë shndërruar brenda meje në ca hapësira të ndërthurura mesveti dhe me copëza hapësirash të tjera, të cilat shumë herë kanë më tepër vlerë se qytetet apo kryeqytetet”, thotë Ardiani. Dendësia e ngjarjeve të jetuara diku e shemb dhe e rikrijon hierarkinë: konvikti i qytetit studentor të Bukureshtit, për shembull, ku ai jetoi mbi pesë vjet, mbetet ende për të një kryeqendër anonime. “Pogradeci, siç mund të shihet në “Diva ose Ngrënësi i Luleve”, mbeti qyteti ku vdiset më bukur”. Mes skajesh të kësaj natyre gjenden Prishtina, Malta, Athosi, Durrësi, Timishoara, Budapesti, copëza nga Praga, Laipcigu, Frankfurti etj. Sidoqoftë, më duket i dëmshëm sajimi i një mitologjie gjeografike, ta quaj, sepse kjo mund ta pakësojë ndjeshëm lirinë e të shkruarit, e cila edhe kështu nuk është fort e madhe, ose, më saktë: zvogëlohet dita-ditës, ndonëse shumë vetë trymbetojnë lirinë e fjalës së shkruar”, pohon shkrimtari. Vetëm zëri i tij në telefon, ose gjurmat e e-mail-ve që ka me miqtë e tij e sjellin atë herë pas here në Tiranë. “Empatia, - në këtë rast: dalje nga tirania e trupit dhe shpesh edhe e fatit te dukshëm, - mbështetet mbi thelbe, jo mbi trajta lëndore, ashtu sikurse fati i një shtëpie qëndron brenda saj, jo në suvanë apo ngjyrën e mureve… “ , thotë shkrimtari. Ai jeton bashkë me gruan e tij dhe vajzën në Lagjen Titan të Bukureshtit, buzë liqenit me të njëjtin emër. “Deri tani më duket se kam jetuar në hije dhe hijshëm. E kur them “në hije” nënkuptoj para së gjithash lidhjen e pandërprerë me jetën e mirëfilltë, jetë shumice, jetë që nuk e di se ti je shkrimtar, nuk ruhet prej teje e rrjedhimisht nuk të krasit”, thotë ai.