Romani i shpëtimit nga robëria e harresës

GEO VASILE

“Ekzistenca e kompleksit shqiptar, që i detyrohet një vendi të vogël me një popull dhe një territor të debatueshëm, të gëlltitur dhe të braktisur nga perandori, me një gjuhë thuajse të pamësueshme dhe me një krenari që s’gjen qetësi, na dëshmohet nga shkrimtari i ri Ardian-Christian Kyçyku me romanin e tij më të freskët, “Një fis i lavdishëm dhe që jep shpirt” - Eposi i një harrese - (Bukuresht, Shtëpia Botuese Mbretërore, 1998, 420 faqe). Romanist i specializuar në Universitetin e Bukureshtit dhe që ia ka dalë mbanë ta bëjë gjuhën rumune një atdhe të dytë të  krijimtarisë së tij artistike, shkrimtari duket se konfirmon të vërtetën që vendet e vogla dhe gjuhët e tyre me qarkullim të kufizuar mund të nxjerrin autorë të shquar dhe libra të jashtëzakonshëm, si shans i vetëm për t’u përfshirë në cirkuitin evropian, duke iu imponuar vetëdijës universale. Romani, për të cilin do të bëjmë fjalë, i çekuilibron, por nuk i le shpërfillës lexuesit, pra ata që i kanë vënë detyrë vetes ta çojnë leximin deri në fund. Kemi të bëjmë me një lexim të vështirë, kërkues, lënda është tepër e ngjeshur, shumë faqe lypin mundim për t’u kthjelluar, për vetë të veçantën e ndërtimit të tyre. Epika labirintike, me peshë të rëndë, përbën një dhuratë të vërtetë që na zbulon një romancier të shkollës së atyre që e magjepsin lexuesin falë shpirtit inventiv magmatik dhe frymës idepërftuese, garanci këto për ofertën e pasur në fate dhe personazhe të dorës së parë të fisit të lavdishëm e që jep shpirt. A.-Ch. Kyçyku është një autor pjellor, shkruan në gjuhën rumune me natyrshmërinë e cilitdo prozator rumun të zhdërvjellët dhe elastik.
I ndodhur në intimitetin e shpirtit rumun, A.-Ch. Kyçyku nuk ka asnjë lloj kompleksi ndaj neopaganizmit metafizik dhe semantik të brezit ’90, që duket shpesh në faqet e delirit poematik, të drejtpërdrejtë dhe tejtekstual. “Një fis i lavdishëm dhe që jep shpirt” është një libër fondamental i Shqipërisë, i shkruar në gjuhën rumune, sikur kjo e fundit të qënkej bërë brenda natës një nga gjuhët zyrtare të OKB-së. Opcioni i autorit është një bast i fituar me gjuhën rumune, dhe mund të themi se rumunofonëve të interesuar të dijnë gjithçka për Shqipërinë dhe sidomos për historinë e shpirtit shqiptar, me avataret e veta mito-poetike, u mjafton të lexojnë “Një fis i lavdishëm dhe që jep shpirt”. Por, kujdes: leximi i këtij libri ia ve në provë durimin lexuesit, për të cilin A.-Ch. Kyçyku as që do t’ia dijë. Si çdo kronograf serioz e barok, autori ia fillon me zanafillën e Perandorisë së quajtur edhe Enkelana, të banuar veçanërisht në Qendrën e Vjetër e të qarkuar nga Pafundësia, Evropa, Shkretëtira e Madhe e kështu me radhë. Gjithçka fillon pas Shkrirjes së Madhe, pas akullimit amorf, djallëzor dhe ngrirjes absurde. Një kohë dhe një gjeografi nga repertori i fantastikes, për të sinjalizuar ekzistencën e Shqipërisë gjatë dy mijëvjetshave e sidomos në shekullin më të fundit XX. Dy mijë vjet fatkeqësi dhe një shekull tronditjesh e vetmie, luftra, dukje e zhdukje në histori dhe nga historia. Një histori e aktualizuar (libri është përfunduar në qershor 1998), sepse autori nuk i anashkalon ngjarjet e fundit pas rënies së Murit të Berlinit, luhatjen e Shqipërisë midis rilindjes paskomuniste, përleshjeve nëpër rrugë, eksodit të të pashpresëve në det e në tokë etj. Larg strategjive të ndërlikuara të rrëfimtarit, që nuk ngurron t’i ndryshojë planet dhe mënyrat e rrëfimit, nga epikja e pastër, konstruktive, drejt fantastikes dhe përrallores së papërmbajtshme të erosit e të etnosit kombëtar të të parëve të fisit, por edhe të disa legjendave e përrallave ballkanike e orientale, pjesë e pandashme e eposit shqiptar, asistojmë në endjen e jetës dhe të veprimtarisë së shumë familjeve themelvënëse të fisit, të quajtura Gong Teneqexhiu, Sevda e Parë, Sevda e Dytë, Nëna e Nënave, apo Dynjaja, që nxjerr në jetë Efigjeni Florin, Marin Nënshkruesi, trashëgimtar i talentit në të shkruar dhe në gjuhësi, që dëshmohet nga Nënshkruesi i Parë, Mbarimi, i cili lind nga koka e Gongut në trajtë pëllumbi, dhe që del nga prehëri i panjollosur i Sofisë, Gjergj Xhamxhiu, prifti Vasil, Marko Harrami e të tjerë. Të gjithë këta personazhe, me pikësynime të qarta dhe me misione simbolike në historinë e përditshme të bashkësisë, kanë pamje dhe mëkate njerëzore, çka nuk përjashton rivlerësimin e jetës së tyre në varësi të kërkesave të kolektivit imagjinar, tipare të vërteta stilistike të kulturës dhe të qytetërimit shqiptar. E paharrueshme mbetet bëma e Gongut, magjistar i lindur, për shërimin e fisit nga E-vraftë-gongu (djalli) përmes goditjes me çekiç në kazane, ibrikë, ullukë, qyngje, llampa e kandilka, legenë, tepsi etj. Nga veset, tekat dhe lajthitjet i shpëton Gongu të njohurit e të panjohurit, duke qenë më pas i aftë t’i japë jetë Mbarimit, fëmijës ëngjëllor, mishërim i Fjalës, por edhe të shpërthejë, si çdo prijës fisi të pavdekshëm, një zhgan riprodhimesh demografike të llojit mekanomorf. Ja tabloja e kësaj pjellorie të ankthshme, njëra nga skenat e denja për Garsia Markezin: “Në qytet nuk dilte më dielli, tërë kohën ishte muzg, një mugëtirë e pagojë si pas zhdukjes së gjuhës, njerëzit ishin mbartur në tjetër anë, shtëpitë ishin pushtuar nga ibrikë-burra, të martuar me ibrike-gra, që pillnin pangopshëm ibrikë-fëmijë, shtëpitë ishin të bakërta, muret - të bakërt, liqeni - po i bakërt. Një mall cfilitës ia shkalafiste të përbrendshmet Mbarimit, tok me një tmerr në përgjithësi, sikur të qënkëshin avitur disa zjarre të bakërt, ngjyrë tulle, me gojë, sikur të paskëshin vdekur prindërit, muratorët, xhamxhinjtë, nënshkruesit, sevdatë, sikur të qënkëshin gremisur shtëpitë, tryezat, mendimet… Ndërkaq, ibrikët zunë të shumohen duke riderdhur mbi qytet një hordhi foshnjash të sapolindura, që zëvendësuan ibrikët me të qarat e tyre aq të rëndomta, saqë të bënin të lotosh nga e vërteta se jeta mund të qënkej kaq e thjeshtë në madhështinë e saj dhe në forcën e çuditshme për të mos u vetëshuar. Ama ishte e vështirë për Mbarimin, që të përkthente me gojë të vërtetën e hershme sipas së cilës bijtë e njeriut shumohen në mënyrë marramendëse në pritjen hamendësore të Vdekjes, e cila endet e uritur, duke pasur tashmë ku ta zgjedhë ushqimin”. Shenjë kjo që Perandoria po përgatitej ta dyndte vendin me luftra, me hordhitë e veta jeshile. Lavdia e fisit, e mbrojtur dhe e ilustruar nga romancieri, shembet në trajtë mërgimi të brendshëm apo vajtjeje si nizamë në Shkretëtirën e Madhe, në mbijetesën e krerëve shpirtërorë dhe të dhuntive magjike. Shpëtimi nga robëria e harresës përbën kryeqëllimin e synuar me çdo çmim të A.-Ch. Kyçykut, një lloj militanti i gjenisë, por edhe dëshmitar objektiv i kryqëzimit të kësaj gjenie, i ringjalljes dhe groposjes së saj të njëpasnjëshme në strategjitë e pafuqisë, të evazionit dhe të delirit… gjuhësor. Mania shumëgjuhëshe dhe e njëzëshme me prejardhje Xhojs-iane nxjerr në pah kaskadat, sikur të thënkej se baraspesha e jetës është cënuar rëndë. Larg përngjitjeve të përbindshme leksikore dhe listave të papërmbajtshme të objekteve, romani inkuadrohet në pasmodernizëm, falë ripërshkimit para-prapa të historisë së epikës dhe të Bibliotekës Universale, nëpërmjet metabolizimit të Biblës, të disa shkrimeve apokrife, të romanit latino-amerikan, pikaresk, barok, bizantin, në hullinë e D. Kantemirit, St, Banuleskut, Fanush Neagut, Rabëlesë, Urmuzit etj. Nuk mungojnë as farsa groteske, aventurat semantike dadaiste, krahas librave të mëdhenj, që i ka në shpirt Shqipëria, të shkruar apo gojorë, çmësyshjet, formulat magjike apo mësimet paremiologjike. Skena të forta, pagane, me plasticitet të madh, përkëmbehen me skenarët e përrallores, që fqinjëson me transhendencën, tejndjeshmërinë apo vendosjen e dyfishtë. Të jashtëzakonshëm qëndrojnë personazhet kryesorë të fisit, Mbarim Teneqexhiu dhe Efigjeni Flori, për nga lindja e tyre përrallore, fejesa e tyre e panjollë, për nga komunikimi dhe bashkimi i tyre profetik e megjithatë njerëzor. Mbarimi përball tërë hallet e fisit në trajta nga më të larmishmet: dyndjet dhe zgjedhën e turqve, të italianëve, të grekëve, të komunistëve - këlyshë të Moskës a të Pekinit. Mbarimit i takon të mërgojë në Shkretëtirën e Madhe si nizam, të hyjë në burg e të provojë vdekjen civile. Është një bërthamë e Rezistencës magjike në kohëra të mbrapshta, në komunikim të drejtpërdrejtë me Perëndinë e të krishterëve, është Logosi që shpëton shpirtin kolektiv dhe Tradita shpirtërore e bashkësisë. Është i tillë veçanërisht në vitet e kolonizimit komunist, që ishte i barasvlershëm me kthimin prapa dhe me rrënimin e etaloneve morale, me griposjen e mekanizmave mitologjike, me fikjen e fuqisë përrallore në pragmatizmin e jetës, kolaboracionizëm cfilitës apo prostitucion ‘ndërkontinental’ (shih fatin e Efigjenisë). Personazhet janë të detyruara të ndrrojnë gjer edhe emrat në frymë propagandistike. Qëndra e Vjetër, me Sallën magjike të Vallzimeve, kthehet në një dekor anonim, që i shkon për shtat pamjes urbanistike të luftës së klasave. Stafeta e rrëfimit merret nga personazhi që ndodhet në mërgim, miliarderi Marko Harrami, i cili rishkruan pjesën e dytë të rënies së Enkelanës, duke u endur rreth legjendës së jetës e vdekjes së bashkëkombasve të tij të zgjedhur të “Dehjes së Shekullit”, që janë më të hershëm se satanizmi komunist. Njëherazi me vdekjen e Komandantit Legjendar Enver, atdheut të autorit nuk i mbetet gjë tjetër përveçse të zgjedhë o skëterrën, o Parajsën, o asgjësimin. Me kusht që Mbarimi të ndodhet edhe më tej në atdhe e të jetë i gjallë”.