Qëniet e frikës*

Szabolcs Benedek

Po të pohoja se në fëmini kisha frikë nga shumë gjëra, nuk do të kisha thënë gjithë të vërtetën. Pra, do të kisha krijuar përshtypjen se po fsheh qëllimisht diçka më tepër se të rëndësishme: se jo vetëm në fëmini ishte kështu. Edhe sot janë një mori gjërash që më trembin.
Për shembull, kam frikë nga metroja, kur vagonët ndalen për disa minuta pa asnjë arsye të dukshme, në tunelin e errët, mes stacioneve. Kam frikë nga banesa, kur netëve enden zhurma të dyshimta e sikur shquaj hije që baresin mes territ. Trandem kur telefoni bje befas dhe çjerrës, e, pasi ngre receptorin, përtej hapet një heshtje e pakuptueshme. Më kap frika në avion, në lartinat e qiellit, kur stjuardesat e hijshme nguten të fshijnë nga fytyrat përherë buzëqeshëse zbehjen që vjen nga lëkundja si e pambarimtë e zogut të hekurt. Kam frikë kur përgatitem të takoj njerëz që ende s’i njoh, ashtu siça kam frikë edhe kur mendoj se, mes të gjitha ngjarjeve që më presin në të ardhmen, do të kem në hise më të llahtarshmen.

Nuk është e lehtë të bashkëjetojmë me ankthet tona, por nuk ka rrugëdalje që të mund të jetojmë pa përvetësuar frikën me njëmijë fytyra. Në fëmini trembemi më fort nga e panjohura, kurse më vonë mësohemi t’u trembemi gjërave të njohura, aq shumë sa nisim të mendojmë gjithnjë e më pak ndaj së panjohurës. Thuhet se frika nuk është aspak diçka që s’mund të shmanget, madje dijetarët këmbëngulin se është më mirë të kesh frikë nga diçka se sa kjo të të tmerrojë papritmas e fatalisht dikur. Në fakt, t’i bësh ballë frikës është shenjë kurajoje. Kjo ndodh ngaqë frika nuk mund të mposhtet nëse nuk vendosim të mos merremi me objektin e saj – përkundrazi, do të ishte mirë ta kishin vazhdimisht në mendje, duke e përfytyruar si një kundërshtar të denjë, të cilin mund ta mposhtim (me raste), e kjo fitore do të na bënte më të mirë (edhe ne). E nënvizoj: e rëndësishme është ta mposhtim frikën, jo ta anshkalojmë.
Përse frika është gjëja e parë që më erdhi ndërmend pasi lexova romanin “Viti kur u shpik mjellma”? Mbase ngaqë ai cep i Evropës ku jeton dhe krijon Ardian-Christian Kyçyku, pasi ka lënë pas vendlindjen dhe është vendosur në Rumani, është i dyndur nga trembje mitike dhe makthe që sundojnë dhe e shkrumbosin shpirtin ngadalë. Atje gjallojnë vampirë dhe demonë imagjinarë (por ndonjëhere tejet të përnjimendtë), qëllimi kryesor i të cilëve është prej shekujsh mbulimi i Diellit me hijen e tyre mbytëse, duke robëruar kësisoj jetën e përditshme. Hordhi turke, kumane e tartare janë endur atyre trojeve, kurse pas gjurmëve të tyre vendasit kanë mësuar më mirë se çdo gjë se asgjë s’është e sigurtë. Asnjë ditë nuk është e njëjtë me ditën që vjen. Ai që krekoset sot majë kalit s’mund të jetë i sigurtë se nesër nuk do të tërhiqet zvarrë në pluhur, lidhur pas bishtit të ndonjë kali. Në pluhurin e atyre udhëve, të brazduara nga rrotat e qerreve të pushtuesve që janë dyndur nga të gjithë skajet e erërave, në ushtri aq të shumta, sa nganjëherë shqyheshin mesveti për tokat dhe njerëzit që synonin të shtinin në dorë. E të mendosh se ato troje mund të kishin qenë hapësira paqeje. Për shembull, në atë qytet ku shtjellohet romani i Kyçykut, ngjarja e mbrame sadopak e zhurmshme ka qenë shkrehja e një pushke, njëfarë “lamtumirë” e çuditshme e pushtuesve që largoheshin. Edhepse paskëtaj u vërsulën mbi qytet dy luftra botërore, trualli mbeti njëfarësoj jashtë egërsisë. Mirpo në vend të egërsisë, hodhi rrënjë frika, frika që popullon me hije e tmerre jo vetëm netët, por edhe ditët. E frika lind lemeri pas lemerish, arsye falë së cilës Vlad Huri u shndërrua në Drakula, netët drithërojnë kur klith hutini, ndërsa era fishkëllen përgjatë udhës rrëfime që ta bëjnë mishin kokërr.
Megjithatë “Viti kur u shpik mjellma” nuk është një rrëfim llahtarisës. As edhe nëse llogaritim se protagonisti, një djalosh që sos në burg (ku bashkëvuajtësit e emërtojnë Zonjusha, jo për arsye seksuale, po për shkak të të rejave që sjell nga jashtë), e pandeh veten heraherës vampir. Romani flet për ne të gjithë, më saktë: për frikat tona. Na bind se kjo mund të na ngjasë të gjithëve, ngaqë ne vetë besojmë se mund të ndodhë që, një mëngjesi, pasi bëjmë dashuri me qënien e shtrenjtë, me Netën, ngrihemi e shkojmë të notojmë, e pastaj zgjohemi befas (lakuriq) ne një birucë. Në një birucë ku shkruajmë mbi mure, me majat e lënduara të gishtave e ku, po t’u avitemi pak mureve, mund të dëgjojmë mendimet e paraardhësve tanë që kanë kaluar nëpër po atë birucë, duke na lënë njëfarë testamenti shpirtëror. Kur shpëtojmë nga burgu dhe kapërcejmë sërish pragun e shtëpisë, nuk gjejmë më asgjë nga femra e dashur, nuk gjejmë veçse parfumin e saj të lehtë mes ajrit të ndenjur të dhomës, si dhe disa mesazhe. Në këto kushte, vetëm një gjë mbetet e sigurtë: që vetëm mjellmat kanë mbetur ato që ishin dhe që kanë qenë gjithmonë.

Të thuash se kemi në këtë roman një ngjarje ballkanike në kuptimin e plotë të fjalës (e të mos i ruhemi shprehjes “cep Evrope” që përmendet disa herë, as Kyçyku nuk e shmang) – ky është një truall i përbashkët, i cili, sikurse plot troje të tjera të përbashkëta, bart të vërteta të mëdha. Duke lexuar romanin e Kyçykut, para syve tanë të brendshëm shfaqet një qytet i fshehur mes malesh mbushur me pyje, një qytet i përgjumur nga një zagushi që i afrohet të fikëtit, qytet udhët e të cilit mbushen me hije, kur ulet nata e kurmet e të dashuruarve njësohen furishëm, me një pasion që synon kupën e qiellit, atje ku koha – ngadalë, por pafalshëm – shndërron ditët në vite, vitet në ditë. Shohim edhe uniforma ushtarësh, përkatësish sytë vigjilentë të Partisë. Por Kyçyku na beson shumë më tepër se një rrëfim ballkanik: na zbulon shpirtin dhe ankthet e njerëzve, tek pothuajse e shohim duke nënqeshur në fshehtinën e ngjizur nga fjalitë e veta që gërshetohen marramendshëm. Sepse ai që ka kurajo e di: përsa kohë do të shkelë këmbë njeriu mbi këtë planet prej dheu të quajtur Tokë, frika do të gjallojë parreshtur brenda nesh. Që të jemi heraherës trima.

* Romani Viti kur u shpik mjellma u përkthye nga rumanishtja prej poetit dhe eseistit Szonda Szabolcs dhe u botua në vitin 2005  nga Pont Kiado e Budapestit, me mbështetjen e Programit Cultura 2000 të Bashkimit Evropian.Eseja e mësipërme është pasthënia e botimit hungarisht.