Një Markez ballkanas

TITUS VIZHEU

Ky titull mund të intrigonte ndoshta, jo vetëm ata që e dinë se, shumë dhjetëvjetsha të shkuara, Panait Istrati do të depërtonte në letërsinë evropiane falë rekomandimit që iu bë si “Gorki ballkanas”. Romain Rolland-i (me artikullin e vet në “Europe”, datë 15 gusht 1923) nuk bëri gjë tjetër veçse tërhoqi vëmendjen rreth një autori që nuk do t’i mohonte kurrë rrënjët komplekse rajonale nga rridhte, duke ndihmuar kësisoj realizimin e një fati letrar të madh e të debatueshëm. Nuk pretendoj, as për nga larg, të kem autoritetin e nevojshëm (autori i “Zhan Kristofit” gëzonte të gjitha të drejtat ta bënte një gjë të atillë). Por nuk mund të mos përpiqem të vë në dukje këtu vlerat e jashtëzakonshme të një shkrimtari, i cili, ashtu si Istrati, rastësisht është thellësisht ballkanas.


Është fjala për Ardian-Christian Kyçykun, shkrimtar shqiptar, i cili prej dhjetë vjetësh ndodhet në Rumani, vend ky, gjuhën e të cilit e zotëron në mënyrë virtuoze, duke shkruar drejtpërdrejt në rumanisht mjaft vepra letrare të përmasave të mëdha. Ky autor, të paktën për nga marrja përsipër e një identiteti gjuhësor të dyfishtë, paraqet për ne interes tejet të veçantë. I lindur më 23 gusht 1969 në Pogradec, qytet shqiptar në breg të Liqenit të Ohrit, që do të përbëjë kuadrin natyror dhe socio-human të parapëlqyer të të gjithë shkrimeve të tij të derisotme (e jam i bindur edhe të ardhme, sikurse do të përpiqemi ta argumentojmë më tej), Ardian-Christian Kyçyku na përshfaqet tanimë si një nga siluetat e kalibrit të madh të prozës së sotme, qoftë kjo rumune, shqiptare, ballkanike apo kontinentale. Sepse vlera e këtij autori, sipas mendimit tonë, i kapërcen kufijtë e një atdheu dhe të një rajoni gjeografik për nga shprehësia tepër e fuqishme dhe për nga përdorimi i një regjistri me simbole magjiplote, duke dalë jashtë caqeve të një universi të kufizuar prej një përkatësie të caktuar gjografike.
Kritiku Dan-Silviu Boeresku (roli i të cilit në përcaktimin dhe imponimin me argumente të prozatorëve të rinj të talentuar mund të krahasohet me atë të Mirçea Jorguleskut në vitet ’70), ka qënë ndër të parët (në mos po i pari fare) që zbuloi “fenomenin Ardian-Christian Kyçyk”. Ai i nuhati përmasat e këtij “projekti të një mitologjie të re ballkanike”, që përfaqëson, - diçka tashmë e dëshmuar, - proza e Kyçykut, duke vënë në dukje se “themelit iliro-trak i mbivendosen temat nga historia shqiptare, por edhe legjendat apo jehonat e legjendave të hapësirës otomane, të ngjizura fuqimisht e të njësuara me traditat, më shumë a më pak ad-hoc të amalgamës së popullsive brendapërbrenda të famshmes “fuçi baruti” të Evropës. “Një lëndë kaq e pasur shndrrohet thuajse vetvetiu në mitologji, por romancieri ia nënshtron në mënyrë të vazhdueshme, me një violencë sensuale, provës së alegorisë, parabolës e metaforës, duke riqarkulluar mitet dhe duke shpikur mite të rinj, duke e bërë gjuhën të zhvillohet në mënyrë baroke, duke i dhënë hua logosit një gjallëri të parrëfyer deri më sot”. Tek po lexoja këto rreshta, më erdhi ndërmend se Gertrude Stein, spiritus rector i “brezit të humbur”, shkruante dikur se Amerika pat kaluar nga barbarizmi në dekadencë pa e njohur në të vërtetë qytetërimin. Ndofta kjo shkrimtare e shquar, autore e së famshmes Autobiography of Alice B. Toklas, kishte parasysh para së gjithash mungesën e kulturës, sepse nga pikëpamja e hovit teknologjik, i cilësuar me lehtësi si themel i qytetërimit modern, Amerika, çprej njëqind vjetësh po ia çon shumë mirë. Por cila është gjendja në këtë botë të Ballkanit të mjegullt, për një kohë të gjatë të harruar nga Perëndia? “Strukturat antropologjike të imagjinares”, të zhbiruara me imtësi dhe erudicion nga Gilbert Durand në librin e tij të njohur, e trajtojnë Ballkanin si një trevë ideale për zhvillim. Sepse këtu “imagjinarja, larg të qënit pasion i zbrazët, është aksion eufemik dhe e shndrron botën sipas Njeriut. “Poezia është një pilot / Orfeu e shoqëron Jasonin. Sepse, çfarë do të kishin qënë argonautët pa lirën e Orfeut? Kush do ta siguronte kadencën e lopatave të lundërtarëve? Dhe, a do të vazhdonte të ekzistonte më tej një Lesh i Artë?” (Gilbert Durand, Strukturat antropologjike të imagjinares, Shtëpia Botuese Univers, Bukuresht, 1977, f.535).
Ballkani, deri tani vonë, është cilësuar si një depozitë e jashtëzakonshme vlerash letrare, të cilat kujtesa kolektive e popujve të këtij rajoni i ka përjetësuar brez pas brezi përmes vënies në përdorim të fuqisë shprehëse të oralitetit. Margueritte Yourcenar, për disa nga të famshmet “Rrëfenja orientale” të saj, temat i ka marrë pikërisht nga kjo zonë. (“Buzëqeshja e Markos”, “Vdekja e Marko Kraljeviçit”, “Qumështi i vdekjes”). Këto janë krijime epike me qarkullim në të gjithë popujt e rajonit: shqiptarë, serbë, kroatë, bullgarë apo rumunë. Për më tepër, duke shkruar në vitet ’40-’50 një studim të admirueshëm për poezinë e Kostandin Kavafisit, këtij “biri të Kleopatrës”, grek i lindur në Aleksandrinë egjiptase, prozatorja e lartpërmendur belgo-franko-kanadeze vërente se “çdo poemë e Kavafisit është poemë memoriale, kujtesore” dhe citonte në një vend nga teksti i quajtur “Recetat e magjistarëve të lashtë greko-sirianë”: “A ia ka bërë pyetjen vetes dëshiruesi i përsosmërisë se ç’filtër magjik, ç’barna të distiluar sipas recetave të magjistarëve të hershëm greko-sirianë mund të m’i kthenin sërish të 23 vjetët që kisha dikur, për një ditë, apo të paktën për disa orë (në rast se fuqia e magjisë është vetëm kaq)? (Shih: “Paraqitja kritike e Kostandin Kavafisit”, në vëllimin “Truri i zi i Piranezit dhe studime të tjera”, Shtëpia Botuese Humanitas, Bukuresht, 1996, f.217).
Ballkani përfiton në mënyrë të plotë në rrafsh kulturor nga kjo aftësi rikuperuese e njeriut, nga kjo shkencë (apo aftësi magjike) për ta kthyer “kohën prapë”. Ismail Kadareja, më i njohuri (dhe, deri tani, i vetmi) shkrimtar shqiptar me qarkullim evropian, e përshkruan në “Dosjen H” (H - nga Homeri, sh.y.) në mënyrë policeske aksionin e dy folkloristëve amerikanë interbelikë, që kanë ardhur në Shqipërinë e Veriut me synimin që të rikuperojnë disa mite të stërlashtë, të ruajtur në kujtesën e ca malësorëve të ashpër, të cilët kanë talent të jashtëzakonshëm si rapsodë. Vizitorët eruditë “e përfytyronin gjithnjë e më shpesh eposin si një galaksi poetike, në gjirin e së cilës vepronin forca misterioze. Ndoshta ishte fjala për mesazhet sekrete nga bërthama e saj, mesazhe që kufizonin lirinë krijuese të rapsodit, dëshirën e tij për të ngritur krye. Dhe, nga kjo pikëpamje, këngëtarët përligjnin pamjen e çuditshme, vështrimet e përhumbur, zërat jonjerëzorë, të cilët sikur vinin nga hapësira yjore” (I. Kadare, “Dosja H dhe Përbindëshi”, Shtëpia Botuese Univers, Bukuresht, 1999, f.96).
Ardian-Christian Kyçyku, në shkrimet e veta i jep vlerë pikërisht dhuntisë rapsodike të Ballkanit ( e në radhë të parë vokacionit të popullit të vet guximtar e të zgjuar). Kyçyku e bën këtë në mënyrë të admirueshme, me një program estetik që meriton të nxirret në pah. Në prozën e tij, jeta reale, e dokumentuar dhe e vërtetuar historikisht, gërshetohet e ndërthurret me “jetën e mundshme”, por asnjëherë të jetuar, me jetën virtuale, që deshifrohet vetëm nga radari i imagjinatës së tij. Shkrimtari Karlos Fuentes mendonte dikur se “fakti qëndror i romanit të Gabriel Garsia Markezit Njëqind vjet vetmi përfaqësohet nga çlirimi përmes imagjinatës i hapësirave të njëkohëshme, simultane, të romanit”. Përndryshe, për Markezin “romani... është autogjenezë, çdo krijim është një magji, një fekondim i vetë autorit e, për rrjedhojë, një mit, një akt themelvënës, përfaqësimi i aktit të themelimit”.
Ajo çka është Makondo te kolumbiani i madh dhe Yoknapataupha te Uiliam Folkneri, tek Ardian-Christian Kyçyku është Enkelana (ose thjesht qyteti i paemërtuar), një buronjë, një gurrë psiko-gjuhësore e tuteluar gjeografikisht nga prania e një liqeni të mrekullueshëm dhe, historikisht, nga jetëgjatësia e këtij të fundit. Qyteti na shfaqet si një topos-atopos edhe në veprat e tjera të Kyçykut: “Viti kur u shpik mjellma” (roman, Shtëpia Botuese Getic, Bukuresht, 1997), “E fshehta e ëmbël e marrëzisë” (novela, Shtëpia Botuese Eminesku, Bukuresht, 1998), apo në “Dashuri me shikim të fundit” (proza dhe teatër, Shtëpia Botuese Coresi, Bukuresht, 2000), të gjitha të shkruara në rumanisht. Vetëm në një libër, Enkelana na del me identitet të sigurtë dhe pikërisht në “Hyu epigon”, me nëntitull “Vëllim homazh kushtuar njëqindvjetorit të lindjes të poetit poetit shqiptar Lasgush Poradeci” (Shtëpia Botuese Universitare Rumune, Timishoarë, 2000). Është fjala për Pogradecin, qytetin e lindjes së Kyçykut, qytet që i dha me bujari imazhet e para ‘formuese”, që do të fuqizoheshin si aluvionet, deri në ngjizjen e një vepre epike spektakolare. Sepse Ardian-Christian Kyçyku është mjeshtër në përdorimin e “filtrit magjik” për të cilin bënte fjalë Kostandin Kavafisi, tok me “barnat e distiluara sipas recetave të magjistarëve të lashtë greko-sirianë”. Ashtu siç i ka përdorur në kohën e vet Mesha Selimoviçi në “Dervishi dhe vdekja” e kroati Miroslav Krlezha në “Gostí në Blituania”, sidhe bullgari Pavel Vezhinov në “Pengesa” apo rumuni Stefan Banulesku në “Librin e milionerit”...
Ky qytet është një protopolis, një kështjellë me lashtësi të papërfytyrueshme, që prozatori Kyçyku e vesh me fuqi të pamata. Ai zotëron aftësinë e fekondimeve natyrore hiperbolike, e lëvizjeve të fshehta politike dhe ushtarake, e erotizmit të shfrenuar, duke përftuar “një precipitat dramatik dhe antropomorf të dyvlershmërisë, një përkthim temporal të sintezës së të kundërtave, të mbipërcaktuar nga procesi i gjenezës vegjetale apo kimike”, për çka “do të flitet dikur” (Gilbert Durand, v.cit., f.380).
Vendi i prozës së Ardian-Christian Kyçykut ka përcaktime dhe, - sidomos, - mospërcaktime hapsinore e kohore. Rrjedhshmëria e bëmave të rrëfyera e shndërron sakaq këtë prozë në një magmë historiko-gjeografike, në fakt në një antilëndë. Koordinatat fizike kryqëzohen dendur me ato metafizike si në një sistem të mençur lentesh, thjerrëzash, që ndodhet vetëm në dorën e një magjistari të përmasave të Melkiadesit, heroit taumaturg të Markezit, që di të shërojë jo vetëm sëmundjet e njeriut, por edhe ato të realitetit. Është një vend i jetës e i vdekjes, i pasioneve dhe i revoltës, i besimit dhe i shamanizmit. Librat e Ardian-Christian Kyçykut ia konfirmojnë frymëmarrjen e magjishme dhe ia purifikojnë. Siç e vumë në dukje më lart, ky vend është ridhënë më afër përmasave reale të tij, në veprën-ese kushtuar njëqindvjetorit të lindjes të Lasgush Poradecit, një autor ky, që paraqet për lexuesin rumun interes të veçantë. Kjo për arsye se poeti shqiptar (lindur më 27.12.1899, vdekur më 12.11.1987), i cilësuar si liriku më në zë shqiptar i të gjitha kohrave, ka kryer studime universitare në Rumani, pas mbarimit të gjimnazit francez në Athinë. Në Bukuresht ka studiuar, në periudha të ndryshme, drejtësi, letërsi, në Konservatorin e Muzikës dhe art dramatik, duke përfunduar Akademinë e Arteve të Bukura, për t’u marrë më pas në praktikë me arte figurative.
“Bukureshti i viteve ’20 ishte një ishull kulture dhe rafinamenti mondan, ku sikur ishte përqëndruar krejt parandjenja e Ballkanit ndaj epokës së zezë që do të bënte më pas pluhur e hi magjinë e sapombirë. Ishte një lloj ishulli i lumturisë dhe sa lumturi mund t’i dhuronte një ex-isla-ti (një jashtëishullori), me një këmbë në yje në vorbullën përvëluese të tragjedive që po afroheshin” (Hyu epigon, f.19). Atje, në “Parisn e vogël” poeti shqiptar do të lexonte poetët rumunë Aleksandri, Maçedonski dhe Goga. Po ay do të zbulonte, - të madhërishmin e njëheresh të paarritshmin, - Mihai Emineskun. Në vitet ’30 do të mbronte në Universitetin e Gracit një tezë doktorate (Der verkannte Eminescu und seine volkstümlich-heinatliche Ideologie), kushtuar një “Eminesku të panjohur dhe ideologjisë së tij popullore vendase”. Një tezë serioze kjo, e nënshkruar nga autori me emrin e vet të vërtetë sipas dokumenteve të Gjendjes Civile, pra Llazar Gusho. Në antologjinë e teksteve “Eminesku në kritikën gjermane” (Botimet Junimea, 1985), Sorin Kicanu ka përfshirë edhe fragmentin me titull “Tek ylli”, ku shpaloset me mjeshtëri “anatomia e mallit dhe e melankolisë emineskiane”. Një interpretim “i mbështetur në intropatì”, që vërteton se “Eminesku e ndan kënaqësinë e thellë, mistike, të dhembjes, me shumë poetë romantikë në përgjithësi dhe, në mënyrë të veçantë, me Tieck, Novalis, Hölderlin...
Ky erudit me shpirt ballkanas, Lasgush Poradeci, është i lidhur qysh në lindje për shumë vite pikërisht me vendin e parapëlqyer të prozës së Ardian-Christian Kyçykut. “Kujtesa e qytetit Pogradec na dëshmon se, në ato kohra të mallkuara, në dimër apo në verë, nën shi, dëborë apo në zhegun e padurueshëm, nga xhamet e dyqaneve shihej shpesh, në agim, poeti Lasgush Poradeci, tek priste në radhët e gjata të blinte një peshk, një copë djathë, një pako me kafe, apo duhan të lirë, që t’ua dërgonte në burg miqve të vet Kuteli, Çabej, Pano Taçi...”. Ato “kohë të mallkuara” janë pasqyruar në historinë e Shqipërisë së Pasluftës, atëkohë shpirtrat ishin të prangosur, ndaj poeti ishte futur në mërgimin e vet të brendshëm e të gjatë. Por, në atë qytet në breg të Liqenit të Ohrit, vinte herëpashere vetë Enver Hoxha, Diktatori, lideri politik komunist i egër dhe i kultivuar, ai që ia lyp miqësinë sepse e çmon (dhe, njëkohësisht, e urren) prej shumë kohësh, duke ia njohur talentin e madh, por edhe duke e paditur për dekadentizëm dhe mospranimin për t’u rreshtuar në shërbim të kauzës proletare. Mendoj se ky binom, me resurse të mëdha letrare, mund të përbënte subjektin e një romani të ardhshëm të Ardian-Christian Kyçykut.
“Mjerë ata që kanë harruar si vdiset” - i paralajmëron rrëfimtari në “Dashuri me shikim të fundit”, vepër që kultivon me program ambiguitetin epik, deri në shkrirjen epshore të poemës e të tekstit dramatik. Janë rimarrë aty motive nga “Një fis i lavdishëm e që jep shpirt”, në terrenin nga ku “është shkulur Koha dhe ka mbetur Vendi”. Është zënë në gojë një “kronikan shqiptar i quajtur Nënshkruesi i Parë, me prejardhje (pò) nga qyteti Enkelana, përkthyes i të 3500 faqeve të një kronike të rëndësishme otomane”.
Dikur Mishel Butor na kujtonte se “një përpjekje këmbëngulëse për të ruajtur rreptësisht rendin kronologjik, që do të shmangte çdo kthim në kohë, do të na çonte në konstatime befasuese: çdo kthim në historinë botërore, në të shkuarën e personazheve të hasura, në kujtesë, çdo lloj interioriteti ka për të qënë i pamundur. Personazhet do të shndrroheshin kësisoj në sende. Nuk mund t’i këqyrim përveçse jashtë tyre dhe pothuajse është e pamundur t’i bëjmë të flasim. Përkundrazi, atëhere kur do të ndërhyjmë, me anën e një strukture kronologjike më të zhvilluar, kujtesa do të na shfaqet si një nga rastet e saj të veçanta”(Michel Butor, Contrepoint temporel, në Essais sur le roman, Gallimard, 1922, f.114). Mishel Butor flet edhe për romanin si për “një lexim alternativ” të realitetit dhe, në këtë raport të rivendosjes së jetës në trajta të reja, jo rrallë befasuese, shpeshherë paralizuese, Letërsia e Ardian-Christian Kyçykut përfaqëson një nga format më të guximshme dhe më të begata të rikonstruktimit epik. Ky autor na siguron se eposi nuk mashtron, sepse nuk mund të mbajë anën e askujt. Eposi vetëm rrëfen dhe nuk zhduket, nuk ia shet veten kohës”. Kjo tezë mbështetet në një notë të nëndheshme të romanit “Një fis i lavdishëm e që jep shpirt” (f.9) dhe, sipas shkrimtarit, “Në fillim Eposi ka qënë gojor, një farë thashethemi i gjatë dhe fisnik, që u trashëgua gojë më gojë, për t’u shkruar, - pas afro dhjetë shekujsh , - në gjuhën greke të hershme, më pas në gjuhën latine, ndërsa pas zëvendësimit të këtyre gjuhësh të vdekura nga gjuha e Perandorisë Otomane, thërrmija të Eposit u shkruan në osmanisht, për t’u shkëputur nga shkrimi në agim të shekullit XX, kur askush nuk çante më kokë për pavdekësinë në të shkruar; thërrimet e Eposit u bënë njëpasnjëshmërisht: përralla, legjenda, balada, këngë trimërie, rrëfenja të koklavitura, tregime pijetoresh, gjëegjëza për fëmijë, gjëegjëza për pleq të matufepsur, pa gëzuar ndonjë përgjigje serioze, të ligjësuar e të besueshme” (idem).
Doktor në letërsinë e krahasuar, Ardian-Christian Kyçyku fut në ekuacion një realitet kulturor interesant: rivlerësimin e eposit në fund të shekullit XX. Një ish profesor në Universitetin e Jales, Eric Haverlock, thotë në “The Literate Revolution in Greece and its Cultural Consequences” se Platoni pat kërkuar nxjerrjen jashtë kështjellës të poetëve pikërisht për shkak të ushtrimit të oralitetit nga këta dhe ngaqë nuk pranonin të zhvillohej kultura e shkruar. Për këtë filozof helen oraliteti ishte bërë një element konservator, madje retrograd, që pengonte përhapjen sistematike të kulturës së re të shkruar. Të tjerë gjetën në mitin e Kadmosit projektin e alfabetizimit. Fernand Brodel beson se “miti i Kadmosit tregon se si ky mbret, që futi në Greqi shkrimin feikas, apo alfabetin fonetik, ka mbjellë dhëmbë përbindshi, nga të cilët u lindën njerëz të armatosur”. Njerëz që, - do të shtonim ne, - kishin trajtë gërmash... Sipas Edgar Morin “la civilisation aurait commencé avec le génocide des néanderthaliens” (qytetërimi do të ketë zënë fill me gjenocidin e njerëzve të Neandertalit) (në Journal en Californie, Seuil, 1970, f.236), një “gjenocid” që nuk do të kishte ndodhur përveçse me “shokun e alfabetizimit”. Në këtë strategji evolutive të njerëzimit, eposi ka pra një funksion themelor.
Banorët e Enkelanës (ky Makondo ballkanik) “e quanin veten pasardhës të shiut të parë të botës”. Jeta e tyre është e lidhur (mbase pikërisht e përcaktuar nga një refleks a pasqyrim ujor, që çoi në shfaqjen e njeriut të parë) me liqenin Lyhnida, në të cilin rron peshku magjik korani (stërgjyshi i troftës së sotme), atavizëm i vërtetë i species që përbën “ushqimin e këtyre shpirtrave”. Sa për ngulitjen në kohë të eposit të gjerë, shpërthyes, të romanit, ekzistojnë disa repere: flitet për shuarjen e një perandorie (Lufta e Parë Botërore i rrafshoi perandoritë e rajonit), arkivat “u bënë hi në vitin 1938, kur u dogj ndërtesa e bashkisë”, ndërsa një personazh, Gjergji Xhamxhiu i riu “vritet mizorisht më 1979, në mërgim, nga Sigurimi i regjimit famëkeq”, i udhëhequr nga një lider politik i gjithëfuqishëm, që të kujton menjëherë Enver Hoxhën, diktatorin e përjetshëm. Bëhet fjalë, pra, (me referencat në shumë ngjarje anësore) për “një shekull vetmie” ballkanike. Vetëm një reper kohor mund të merret me të vërtetë në konsideratë, megjithse ndodhet jashtë eposit që përbën thelbin e romanit. Është saktësimi që ka lidhje me fotografinë në mbulesën e librit “Një fis i lavdishëm e që jep shpirt”, që paraqet qytetin e Pogradecit në dimrin e vitit 1925 dhe i përket fotografit Misto Cici. Domethënë të njëjtit artist, i cili, në qershor 1921, e pat fotografuar “më këmbë”, tepër të dobët, por elegant, me kostum e papijon, me bastun” djaloshin e qytetit, Llazar Gushon, atë që do të bëhej liriku i madh i Shqipërisë moderne, nën emrin Lasgush Poradeci, sikurse kuptohet nga shënimi në ditar i poetit, në datën 17 korrik 1978.
Në këtë qytezë fantastike kalojnë jetën (dhe vdekjen) Toacă Tinichigiu (Gjym Teneqexhiu) me të shoqen, Sofia; magjistrica – fatthënëse energjike Sevda Întâia (Sevdaja e Parë), zotëruese e disa dhuntish magjike të pakrahasueshme; Iscălitor Întâiul (Nënshkruesi i Parë) - zyrtar i përkryer; magu i shquar George Sticlaru (Gjergji Xhamxhiu); Sevda a Doua (Sevdaja e Dytë), “gruaja më e bukur e qytetit dhe e çerekut të parë të shekullit”; Prifti; veziri i krahinës; Marko Lepădatu (Marko i Paudhi) dhe Efigjenia Flor-i, ngasja erotike e mbarë bashkësisë mashkullore të qytetit. Janë, që të shprehemi kështu, personazhe “të verifikueshme”. Atyre u shtohet, - pò në këtë kategori personazhesh, por pa pasur dendësinë e tyre fizike, - Nevăzutul (I Padukshmi), Începutul (Fillimi) dhe Sfârșitul (Mbarimi). Gjithçka merr përpjestime kozmike po të mbajmë parasysh saktësimin e autorit, që lidhet me një dokument të shkruar “në katër gjuhë të qarkullimit ndërplanetar”, përkthyer nga Sfârșitul (Mbarimi) fill pas kthimit të tij nga Shkretëtira e Madhe”.
Ardian-Christian Kyçyku është tanimë një mjeshtër i “shtjellimit mrekullues”, që të përdorim një sintagmë të Mirçea Nedelçiut. Kyçyku ka aftësinë të krijojë një univers kolosal, në të cilin fytyrat e heronjve modifikohen në varësi nga këndi i përthyerjes, i refraktimit kohor. Prandaj të 33 sekuencat epike të veprës së Kyçykut “E fshehta e ëmbël e marrëzisë” mund të bashkohen e të shkëputen si në një lojë të valëve, duke bërë e zhbërë kombinime të panumurta e të shumëfishta, por që, pavarësisht nga këndi që formojnë, i lidh logjika dhe bash uniteti i ansamblit epik zanafillor: madje edhe kur në “Një fis i lavdishëm e që jep shpirt”, - vepër që ka plotësisht të drejtë të aspirojë statusin e një kryevepre, - personazhi erudit Nënshkruesi i Parë shpik një gjuhë esperanto të së sotmes dhe një disperanto të së ardhmes, “duke shpallur se ishte zgjedhur për të shpëtuar kujtesën e qytetit” dhe “ishte krenar për gjuhën që vetëm ai ishte në gjendje ta lexonte”.
E vërteta është se leximi i veprave të Ardian-Christian Kyçykut, magjepsëse në thelb, nuk është gjithnjë (ose, më mirë të themi: asnjëherë) komod apo i lehtë. Ai të detyron ta vesh veten në raport me atë “rend motivimi kozmologjik dhe astral, në të cilin sekuencat e mëdha, të stinëve dhe të yjeve, shërbejnë si reduktorë të fabulimit” sikurse thotë Gilbert Durand (v.cit., f.39).
Ky lloj letërsie, iniciatike dhe rrëmbyese, mund të jetë modeli fabulator i shekullit XXI. Gjithsesi, “komedia njerëzore” e shekullit në të cilin po çapitemi, nuk mund të shpaloset (sidomos pas utopive negative të pararendësit të tij kohor) jashtë vlerave të shprehjes alegorike.

Radio Rumania Kulturale, 2001.