Një hap drejt së natyrshmes. Bisedë


Rudina Alizoti: Z. Ardian ju jeni vlerësuar me Çmimin Kombëtar të Letërsisë “Penda e Argjendtë” për tregim, ku u prezantuat me prozën e zgjedhur “Perla”. Çfarë do të thotë ky çmim për ju?

Ardian-Christian Kyçyku: Çmimi është një hap drejt hyrjes në të natyrshme, jo vetëm sa i përket letërsisë shqipe, por edhe marrëdhënieve mes zyrtarisë dhe shkrimtarëve që jetojnë jashtë kufijve (jo të shqipes). M’u duk një shenjë më vete fakti që ky hap u hodh kur kryetar jurie ishte Visar Zhiti, shkrimtari që njeh si pakkush burgosjen dhe fuqitë e fjalës nën një ideologji, apo tjetrën.

Mund të na thoni diçka më shumë rreth kësaj proze dhe krijimtarisë suaj të fundit?

- Ishte një gëzim i rrallë për mua pasi Afroviti Gusho dhe Sh. B. DIJA – Poradeci që ajo drejton, e botuan librin me aq përkushtim. Lajmi më erdhi më 15 qershor 2012. U gjenda i rikthyer në Poradec, tashmë në trajtë letre, pas 43 vjetësh, me një vëllim që titullohet “Perla” jo për të magjepsur a trandur lexuesin, por thjesht si metaforë e njërës prej prozave ku perlë është Dashuria, dhe mort krejt pjesa tjetër e ngjarjeve, guacka, e cila, megjithë mungesën e jetës, ka një rol shpesh vendimtar në jetën e perlës. Parë nga brendësia e asaj perle, unë nuk jam larguar asnjëherë nga Poradeci dhe asnjëri nga paraardhësit, sidomos gjyshërit, nuk kanë vdekur e nuk mungojnë atje ku duhet të jenë. Kështu shkrova me atë rast.
Gjatë këtij viti që po mbyllet m’u botuan pjesa teatrore „Një botë më tutje” (online) dhe vëllimi „Tregime të padukshme” (Buzuku, Prishtinë). 

Cili është mendimi juaj përsa u përket kontestimeve që ka pasur në media për çmimet “Penda e Argjendtë”, jurinë e këtij konkursi dhe veprat që ishin në garë?

- Një fjalë e hershme thotë se atij që qahet shumë, i merret dhuntia.

Keni mbi dy dekada që jetoni dhe punoni në Bukuresht, Rumani. Ka qenë kjo një pengesë, që krijimtaria juaj artistike të njihet gjerësisht në vendlindjen tuaj?

- Nuk e mbaj mend me saktësi datën, por kam dalë prej kohësh nga faza kur autori mezi pret t’i bëjë të njohura ato që shkruan. Nganjëherë kjo ngjan me këmbënguljen e pashëndetshme për ta kapitur tjetrin me: „Eja këtu, të shohësh si marr unë frymë!”

Cili është mendimi juaj për zhvillimin e letërsisë shqiptare gjatë viteve të fundit?

- Vlerat janë të padiskutueshme, por ata që duhet t’i nxjerrin në pah, në shumicën e rasteve, janë ose të tejkaluar, ose të paaftë, ose të dyja bashkë.

Vitet e fundit botimet shqiptare u përkasin më shumë studimeve dhe atyre historike. Pse mendoni se mungon letërsia artistike?

- Nuk më duket se mungon letërsia. Mungon vëmendja ndaj saj, guximi dhe forca për t’i kushtuar kohën e domosdoshme, - kohë që, në fakt, është për shpirtin dhe idealizmin vetjak.

Cilën nga veprat tuaja e konsideroni më të arrirën? 

- Nga ato që janë botuar, në këtë çast më vjen të përmend „Tregime të padukshme”, „Sy” dhe „zv.Libri”.

Këtë vit keni ardhur me disa libra në Panairin e Librit. Si ka qenë reagimi i lexuesve ndaj krijimtarisë suaj?

- Reagimet e lexuesve janë mbresëlënës, por këto shpesh mbeten mes meje dhe tyre, sepse panairet dynden nga libra e emra që zhurmojnë e rëndom zhyten në harrim pak pas mbylljes së panaireve. Prandaj gjithmonë ka dy panaire brenda çdo panairi.

Shqiptarët akuzohen shpesh se nuk kanë marrëdhënie shumë të mira me librin dhe artet në përgjithësi. Cili është mendimi juaj?

- Çfarë veprash kanë ata që akuzojnë kështu?

Z. Ardian, jeni Rektor i Universitetit Rumun të Shkencave dhe Arteve “Gheorghe Cristea”, në Bukuresht. Keni dhënë një kontribut shumë të madh kulturor në këtë vend, por në fakt, si kanë qenë fillimet atje?

- Po rimarr thënien e një personazhit tim: „Kohët më të shtrenjta mbeten ato të fillimit, kur je shkulur nga një jetë dhe ende nuk je mbjellë në tjetrën, kur askush nuk të njeh dhe kur vetëm Zoti e di se cili je në të vërtetë”.

Cilat kanë qenë vështirësitë që keni hasur për botimet tuaja për lexuesit rumunë? Është një vend që e do letërsinë dhe artin?

- Vështirësitë janë gati të njëjta, vetëm shija e tyre ndryshon nga një vend në tjetrin. Po, Rumania është një vend me kulturë befasuese dhe me lexues të jashtëzakonshëm.

Keni menduar ndonjëherë që të ktheheni në Shqipëri dhe të jeni më pranë adhuruesve shqiptarë të krijimtarisë suaj?


- Mbetem i bindur se librat janë pjesa ime më e vërtetë. Nuk e shartoj prej vitesh atë pjesë me diçka që nuk më duket thelbësore për lexuesit.