Mesazheri i një fisi të lavdishëm e që jep shpirt

BOGDAN-ALEXANDRU STĂNESCU

Trilogjia mbledh në një vëllim jashtëzakonisht të baraspeshuar, të strukturuar mbi një marrëdhënie ndërvarësie, tre romane impresionues: Viti kur u shpik mjellma, E fshehta e ëmbël e marrëzisë dhe Një fis i lavdishëm e që jep shpirt, për të cilët është thënë se kanë projektuar “një mitologji të re ballkanike” (Dan-Silviu Boeresku). Është folur, gjithashtu, për degëzimin markezian të shkrimtarit shqiptar (ose rumun, unë ende nuk di në cilën hapësirë ta lokalizoj).

Mitologjia e projektuar është e përshkuar nga filli i kuq i një Un-i të fuqishëm, thelbësisht burrëror, ironik, pra i individualizuar me themel - antimitik i përkryer. Mbi këto koordinata të tendosura evoluon një prozë poetike, në të cilën onirizmi hyn në një përzjerje mahnitëse me detajin objektiv-historik. Secili nga të tre romanet fillon me një vënie “në humnerë mitike” çoroditëse (strategji narrative konstante për Ardian Kyçykun) të personazheve dhe të ndodhive të mëvonshme. Viti kur u shpik mjellma është një ballafaqim i zërit rrëfimtar me demonët e vet, me fantazmat e të pavetëdijshmes, në mjedisin e përshtatshëm të përmbylljes “objektive” totale: një i ri noton në liqenin kufitar, pas një nate dashurie. Kapet nga kufitarët dhe hidhet për një natë në qeli. Qelia përbën hapësirën simbolike të ballafaqimit me Veten, vendi ku Maskat e Të tjerëve shkruajnë me thonj historinë personale (gjithnjë e intersektuar me atë universale), në muret e lagësht e të dyndur nga errësira.
Mëngjezi sjell me vete zhdukjen e së dashurës, mbase një zgjidhje e natyrshme për çdo anamnezë: zhytja në “skutat” e së pavetëdijshmes nuk përfundon gjithmonë me “shërimin”, por, nganjëherë, me pamundësinë e komunikimit me Alterimin: “Isha fillikat, guri do të kish plasur në vendin tim, nuk isha prej guri; si i përgjumur në prehrin e nënës sime apo në limfën e tim eti, buzëqesha sërish e fola me zërin tim sibilin e njëfarësoj ironik: ‘Tani eja, moj vdekje, të më marrësh, por, kur të mbërrish, Zoti e ruajttë atë që nuk do të dijë të buzëqeshë më bukur se të tjerët’”.
E fshehta e ëmbël e marrëzisë, pjesa e dytë e trilogjisë, është hipostazë e madhërishme e një romani me sirtare, ku frame-ja e përgjithshme (legjendare) lind një ortek prej 33 rrëfimesh, nuancimesh të kësaj çmendurie të mbushur plot me të fshehta të ëmbla.
Një fis i lavdishëm e që jep shpirt integrohet, besoj, në kategorinë e metafikcioneve historiografike, - për të cilat bën fjalë Linda Hutcheon, - duke skicuar, në mbi 300 faqe, historinë fantastike të atij “fisi të lavdishëm”, të trysnuar nga “marrëzia e historisë”. Këtu, mitologjia e krijuar në dy romanet e para, arrin pjekurinë maksimale, duke i lënë vend edhe një rrëfimi të mrekullueshëm dashurie, të ngarkuar, nga ana e vet, me simbole.

Trilogjia e Ardian-Christian Kyçykut, sikurse kanë vënë në dukje kritikët e parë që e kanë “lansuar”, na imponohet me një zë me përmasa universale, pavarësisht nga sedimentet “markeziane”. Ja, pra, një shqiptar që shkruan në rumanisht më mirë se rumunët.

“Ziarul financiar”, 26.11.2003, rubrika “Portreti i artistit në rini”.