“Lumenjtë e Saharasë” përshkojnë Italinë


Shtëpia Botuese prestigjioze italiane Zandonai ka botuar romanin „Lumenjtë e Saharasë”, shkruar nga Ardian-Christian Kyçyku. I cilësuar „rrugëçelës”, „përdorues i rafinuar i stilit” dhe „vegim, përmes të cilit proza shqiptare rigjeti rrënjët e përbashkëta me atë evropiane”, „Lumenjtë e Saharasë” është shkruar në gjuhën shqipe, në vitet 1986, 1989 dhe 1991, në tre variante. Duke pasur tashmë dy botime (Tiranë 2000 dhe Bukuresht 2009), „Lumenjtë e Saharasë” është pjesa e parë e një afreske të përbërë nga katër romane të autorit, që është analizuar nga mbi 50 recensione dhe kronika në shtypin e shkruar, audiovizual dhe elektronik të Shqipërisë, SHBA, Zvicrës, Italisë, Gjermanisë, Kosovës etj. Një i ri jokonformist mbetet i bllokuar në një qytetth të mrekullueshëm provincial, në breg të Liqenit të Ohrit, në Shqipërinë e periudhës së diktaturës. Një rrëshqitje e papritur dheu prish shinat e të vetmit tren që lidh qytetthin me pjesën tjetër të botës, por protagonisti nuk gjen asnjë mundësi për të braktisur bukurinë ku pat ardhur për të shpëtuar nga mërzia e zhurmave të kryeqytetit. Universi i tij përmbyset shkallë-shkallë dhe ai e sheh veten të detyruar të ndodhet në kushte krejt të tjera. Bota e dukshme përzjehet me atë virtuale; sistemi i vlerave përshfaq një përmasë të panjohur, duke nxjerrë në pah një absurd të përthithur e të fuqizuar nga çdo fjalë e thënë apo e dëgjuar, nga çdo ngjyrë, ngjarje, fytyrë njeriu apo vogëlimë e jetës së përditshme. Duke qënë një lloj gjeniu pa kauzë dhe pa vepër, mjeshtër dhe viktimë e ekzistencës, i cfilitur dhe i udhëhequr nga një etje që është vështirë për t’u klasifikuar, protagonisti kalon nëpër një fillesë të paprovuar, nga një ditë e çfarëdoshme në një ditë të ikjes (mendore, shpirtërore), në një ditë të rikthimit, në një Shabat, dhe gjithçka përmbyllet me një të diel që vjen në trajtën e një cakimi përfundimtar të qënies njerëzore. Provinca klasike shndrrohet në një fshat global, të mbisunduar nga fjalë që e humbin domethënien, fuqinë dhe qëllimin, ndërsa absurdi i ri, i zbuluar dhe i dëshiruar, i lakmuar nga protagonisti, mbetet i vetmi hap të cilin ai mund ta bëjë drejt Perëndisë apo drejt vetëzhbërjes. Ashtu si romane të tjerë të autorit, „Lumenjtë e Saharasë”, sikurse ka theksuar kritika e specializuar, mundet vetëm të jetohet dhe jo të tregohet.   
“Lirik dhe  vizionar, ironik e i dhunshëm, romani i Kyçykut na tërheq në një vorbull zërash e përshfaqjesh, pasionesh cfilitëse dhe pritjesh të ethshme, në një proces shpërbërjeje psikike, të brazduar nga shkëlqimet e një erotizmi të mistershëm” ve në dukje sajti i Shtëpisë Botuese Zandonai. „Më shumë se sa një roman i bukur, është një roman ndryshe”, shkruan Filippo Maria Bataglia i Panorama.it., dhe shton: „Prej dhjetë vjetësh, Kyçyku është cilësuar si një nga penat e mprehta të dorës së parë të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Ky është një vlerësim i merituar, çka u konfirmua tani edhe nga publiku italian”. Ndërsa kritiku Gianfranco Franchi pohon: «Ardian-Christian Kyçyku është një shkrimtar ballkanas, brezi 1969, dygjuhësh i përkryer: shqiptar për nga gjaku dhe për nga formimi kulturor, estetik e politik dhe rumun për nga adoptimi kulturor” (...). Në një intervistë të bukur që i ka dhënë Mariola Rukajt për “Osservatorio Balcani & Caucaso”, Kyçyku ka deklaruar se “të dyja gjuhët e  mia janë jashtëzakonisht të pasura, por ofrohen për tipe të ndryshëm subjektesh. Rumanishtja, për shëmbull, ka një humor tejet të çlirët, ndërsa shqipja është një gjuhë më solemne; rumanishtja shpreh më mirë groteskun, ndërsa shqipja është më e përshtatshme për sarkazmën – dhe vazhdimisht libri përkatës është ai që e zgjedh gjuhën, në të cilën duhet shkruar. Është vështirë ta shkruash të njëjtin libër në të dyja gjuhët. Në këtë rast sarkazma është e ngjyruar nga grotesku dhe e mprehur nga irealja; rrëfimi ka diçka të ndryshëm deri në tepër të fuqishme, të ndritshme dhe të kuptueshme: pra kuadri i vuajtjes dhe i tjetërsimit, i huajsimit të një njeriu tepër të ndjeshëm në një kontekst që nuk është në gjendje të kuptojë ndjeshmërinë e vet: të paktën po qe se nuk ndodh ndonjë mrekulli dashurie. Tjetërsimi, i cili ndoshta është i parashikuar, shndrrohet në haluçinacion”.
Shkrimtarja Kamela Guza, e cila është edhe përkthyesja e romanit në italisht, në një ese të hollë e të thellë, të botuar në Albania News, shprehet: «Kur e mora për herë të parë në dorë tekstin e Lumenjve të Saharasë, ndjeva njëherazi lumturi dhe trishtim: lumturi sepse zbulova një libër të madh dhe një autor të madh të gjuhës shqipe; trishtim ngaqë nuk pata mundur ta njihja më përpara këtë autor, rrëfimtaria e të cilit ‘është me të vërtetë një ftesë bujare për në bukurinë e epërme, është zbavitja e një akrobati të gjuhës shqipe, të gjuhës rumune, të të gjitha gjuhëve të botës’ – për të riprodhuar këtu fjalët e Elvira Donesit. Vërtet, nuk është një rrëfim që mund të rrëfehet. Është një ëndërr, një kohë e bymyer dhe e ngadalësuar, e çtendosur, por që nënkuptohet vazhdimisht; është dashuri, është një histori e përshkuar nga një humor i hollë, depërtues dhe i mprehtë si brisku. Mund të   shkruaja shumë fjalë për këtë roman, por jam e bindur se do të ishin të tepërta, dëmtuese në kuptimin e masës së drejtë, mbartës i së cilës është vetë teksti. Prandaj zgjodha për t’i përdorur fjalët e autorit: ‘Ky libër duhet lexuar qoftë edhe ngaqë nuk mund të tregohet’”.
Në shtypin italian mund të lexosh edhe dëshmi të tjera të shkurtra të Ardian-Christian Kyçykut  në lidhje me romanin: “Lumenjtë e Saharasë ishte gati për shtyp në vitin 1988, thotë ai. Dhe vazhdon: „E dhashë në shtëpinë botuese të kohës dhe nuk u habita kur vura re se ishin dakord të ma botonin. Kritika zyrtare dhe censura ishin stërvitur ta gjenin disidencën vetëm në idetë kryesore tënjë vepre, në dykuptimësinë e ndonjë paragrafi, në tiparet dhe në sjelljen e qëndrimet e personazheve, kurrsesi jo në bukurinë e tekstit, në fuqinë magjike të stilit. Nga ana tjetër, me sa dija, letërsitë rretheqark Shqipërisë merreshin me të tjera probleme, larg thelbit të Lumenjve... Por drejtori i shtëpisë botuese më mashtroi në mënyrë të vazhdueshme, të pandryshueshme lidhur me botimin e romanit, një vit të tërë, deri sa u mbarua letra e shtypit. Plumb kishte, por letër jo. Shkova më tej, romani nuk dukej se ishte shkruar për të dalë atje dhe atëhere. Letra u mbarua – kjo për mua tingëllonte: boja jote është trefishuar...  Shpesh e kam këqyrur romanin si përqendrimin e një bote ku absurdi, ndryshe nga ç’jemi mësuar të dëgjojmë e të pranojmë, nuk shkatërron, por bëhet pjellor, çel sytë e mendjes, madje edhe të zemrës. Ky absurd është një lojë e rafinuar e shpirtit të zvordhur nga një realitet i caktuar dhe nuk kursen asgjë, para së gjithash të fshehtat e pazbuluara të Fjalës, që të vetushqehet, në mos me shpresë, - se shumë shpresa dalin të rreme dhe ngjajnë me drogat, - të paktën me humor... Lumenjtë e Saharasë mbetet për mua një roman i Së Vetvetishmes njerëzore në një botë që është gjithnjë e më e shkretuar, patetike dhe e rënduar, gjithnjë e më larg qëllimit për të cilin është krijuar”.
Autor i mbi tridhjetë librash (prozë, teatër, skenare filmash dhe ese), të shkruara në gjuhët shqip e rumanisht, Ardian-Christian Kyçyku është cilësuar një zë i pangatërrueshëm i të dyja letërsive.  

Agjencia e Librit, Bukuresht