“Lumenjtë e Saharasë” në shkretëtirën e letrave shqipe

ELVIRA DONES

Gjatë vitit të fundit, duke rrëmuar në malin e morisë absurde dhe të kushtëzuar nga interesat e tregut në dëm të kulturës e artit të mirëfilltë, kam mbetur shpeshherë e zhgënjyer nga ajo çka publikohet e për më zi, recensohet e trumbetohet me të madhe nëpër Evropë. Letërsia e shkruar mirë, ajo me shkronjë të madhe, e denjë të mbajë këtë emër, sa vjen e bëhet më e vështirë për t’u gjetur. Më shumë se pena, kësokohe në treg gjen emra, fytyra fotogjenike në kopertinat e personazhe “multimedialë” që dinë më shumë të buzëqeshin sipas standarteve të kohëve moderne, sesa ta rrëfejnë këtë kohë në letërsinë e tyre.
Kur më ra në dorë romani i shkrimtarit shqiptar Ardian-Christian Kyçyku “Lumenjtë e Saharasë” u gëzova dyfish.
Së pari sepse kisha patur fatin të lexoja dy vepra të mëparshme të mrekullueshme të këtij shkrimtari: romanin “Mortët” si edhe përmbledhjen me novela të gjata “Nata pas vitit zero”, libra të dy të botuar nga shtëpia botuese e Pejës “Dukagjini”. E lexova “Lumenjtë” me një frymë, dhe gëzimi i dytë erdhi fill pas mbarimit të tij. Është një libër i vogël nga përmasat, një nga ato perlat që të nguliten brenda ndërgjegjes letrare vetiu, pa patur nevojë për reklama të mëdha e fjalë të tepërta, një nga ato libra i cili do të bënte fatlum cilindo që do t’a merrte në dorë, jo vetëm në shqip por në çfarëdo gjuhe.
Ka shkrimtarë që kanë vdekur së gjalli, pena e tyre rreket të shtrydhë ndonjë pikë letërsi në kujtim të madhështive të vjetra, por më kot. Ka të tjerë që shkruajnë vetëm për ambicionin e të bërit letërsi, për të thënë se ata janë shkrimtarë. Ka nga ata të kategorisë: mjeshtëri teknike pa pikë aftësie letrare, shkrues që dalin çdo vit nga furrat e kurseve të të shkruarit krijues  të universiteteve, por që kurrë nuk do të realizojnë dot qoftë edhe një faqe letërsie të vërtetë. Lista e tipave të të  frustruarve, e shkrimtarëve-tregtarë apo e penave ashtu-ashtu është e gjatë, jashtë Shqipërisë e brenda saj. Por këto javë, publikut shqiptar i ofrohet mundësia të lexojë në gjuhën e tij një shkrimtar të vërtetë.
Kyçyku shkruan sepse letërsia është misioni dhe aftësia e tij në jetë; ajo që ai di të bëjë e që ka dëshiruar - ma merr mendja - që kur ka lerë, madje edhe para se të lindte. (Në fund të romanit për të cilin po flas mësova se ai është mjaft i hershëm po të nisemi nga mosha e autorit - ai tani është pak më shumë se tridhjetëvjeçar - pra i bije që ky libër i shkruar në mars të vitit 1991 të ketë mbetur në sirtar për nëntë vjet. Cila të jetë arsyeja? Mosdëshira e autorit për të publikuar librin e tij? E pamundur. Nuk ka shkrimtar që shkruan vetëm për kënaqësinë anonime e të thatë të një sirtari.
U përpoqa të informohem më mirë. Dhe mora vesh që Ardian-Christian Kyçyku ka një curriculum letrar të gjatë e shumë të pasur romanesh, novelash e dramash në gjuhët shqipe e rumune. Në këtë të fundit, e cila është bërë gjuha adoptive e autorit pas shqipes - ai prej nëntë vjetësh jeton e punon në Bukuresht - ka botuar me shumë sukses: “Viti kur u shpik mjellma”, “E fshehta e ëmbël e marrëzisë”, “Një fis i lavdishëm e që jep shpirt”. Të tre këta romane kanë patur jehonë të madhe në lexuesin rumun dhe janë recensuar në mënyrë shumë pozitive nga kritika.
Është hap pozitiv që shtëpia botuese “Onufri” boton më në fund veprën e njërës nga penat më të fuqishme të letrave shqipe bashkëkohore. S’ka pikë dyshimi se Ardian-Christian Kyçyku, me këtë libër do të tërheqë interesin e merituar dhe vëmendjen e lartë të mediave shqiptare, të cilat gjatë këtyre viteve nuk janë shquar e shquhen për një punë të thellë e vëmendje të duhur në drejtimin e promovimit dhe njohjes së vlerave të vërteta të letërsisë e artit shqiptar në publik. Ndoshta ka ardhur çasti që ky qëndrim herë i cekët e herë mospërfillës të ndryshojë. Ndoshta fuqia dhe talenti i jashtëzakonshëm i Ardian-Christian Kyçykut do të shkundë këtë status quo të përbërë shpesh nga monopole emrash e klanesh të privilegjuar me merita të tejshkuara.
Po hyj më në brendësi të “Lumenjve të Saharasë”, ngjarjet apo jongjarjet e të cilit zhvillohen në harkun e një jave. Uni rrëfimtar i shkrimtarit është edhe uni veprues i librit. Ai gjendet, apo kthehet, për kënaqësinë e makthin e tij njëherësh, në qytetin e tij të lindjes, në provincë, ku nuk ndodh asgjë e ku ndodh po aq sa kudo tjetër, veçse me përmasa e lëvizje më të vogla. Po t’i vemë qëllim vetes të përcaktojmë me saktësi periudhën kur zhvillohen ngjarjet do të shohim se është fjala për çastin “një hapje-mbyllje sysh para kalimit, para tranzicionit” nga njëri sistem politik në tjetrin në Shqipëri, në atë moment të vdekur ku sëbashku me kalimin në tjetër jetë të çdo lloj iluzioni, marshojnë drejt harrimit e zbrazëtisë gjithë hollësitë e tjera thelbësore: jeta shpirtërore e njerëzve, ëndrrat e tyre, vitaliteti i brendshëm pa të cilin qeniet njerëzore nuk do të quheshin më të tilla por vetëm gjallesa. Por ky përcaktim mund të vlejë vetëm po të duam të ndjekim një klishe të analizës së një libri, po të duam të përcaktojmë kufinj kohorë e vendorë. Kurse në fakt libri mund të vendoset në Shqipëri, në provincën e saj, apo kudo tjetër në të tjera provinca vendesh me situata të vdekura, të zbrazëta, të përhumbura e identikisht të ngjashme me Shqipërinë. Këtu qëndron një nga vlerat e mëdha të krijimtarisë së Kyçykut: ai është thellësisht shqiptar e ballkanas duke qënë universal, është tipik e me profil të theksuar qartë, pa e humbur - apo më mirë, duke fituar - universalitetin letrar të një shkrimtari me aftësi sipërane.
Libri ka një barazpeshim të mrekullueshëm në mbajtjen e ritmit të ankthshëm rrëfimtar, në përshkrimin e jetës së provincës ku personazhi kryesor kthehet për pak kohë, jetë e cila përbëhet nga fytyra që shihen e që nuk shihen njëkohësisht, ku tejdukshmëria e marrëdhënieve midis njerëzve është e tillë sa të të duket se ke të bësh me një qytet fantazmë, qytet pa kohë, pa kredo, qytet pa guximin që të jetë të paktën i çmendur në kuptimin e plotë të fjalës. Ndonëse çmenduria vallëzon midis thikave që presin në mijëra copa dikë, përhidhet mes kërcimeve të një qeni të mjerë që s’di të bëjë tjetër veçse të kërcënojë ikjen e veturave me një zili atavike për t’u gjendur edhe ai në brendësinë e tyre, për t’u arratisur diku, veç të jetë larg që aty. Anomalinë, marrinë e fjetur në shpirtrat njerëzorë si të vetmin mjet, të vetmen spirancë pas së cilës të kapen për të shpëtuar nga vdekja pikërisht atë, shëndetin mendor.
Mes mjegullës së ftohtë të liqenit, tokës që rrëshqet nën binarët e trenit duke e penguar nisjen e këtij të fundit e duke shkaktuar kështu gozhdimin e vizitorit në qytet, vërtiten vrasës që nuk dinë as ata vetë përse kanë vrarë; endet një fqinj që mbështetet për çdo gjë që thotë në shprehjen merre me mend sikur kjo të ishte patericë; shfaqen e veprojnë me një sensualitet marramendës dy vajza: njëra prej tyre, me të cilën personazhi flirton për të vrarë kohën apo për të vrarë kujtimin e një flirti të hershëm të cilin kurrë nuk e kanë konsumuar; dhe vajza tjetër, e cila është e dashura e tij në kryeqytet e ai me dëshpërim përpiqet të marrë në telefon, ngrohtësia e kurmit dhe zërit të saj i është kthyer në obsesion.
Mund të vazhdohet kështu gjatë, duke u rrekur të bëjmë një farë përshkrimi apo analize - sipas mendimit tim krejt të kotë - të mjeshtërisë rrëfimtare e artistike të Kyçykut. Gjë që vetëm do të varfëronte shijen e mrekullueshme, ndjesinë e plotësisë e të “pagimit” mendor e shpirtëror që të le në qiellzë ky libër. “Lumenjtë e Saharasë” duhet lexuar e pikë. Për kënaqësinë e çdo lexuesi: nga më ekzigjenti e i holli në çështje letrare, deri tek më i thjeshti, ai që lexon për të gjetur veten në copëza jete përshkruar nga dikush që di ta vërtisë mirë me penën, fjalën e jetën.
Çdo tip lexuesi pra mund të gjejë një çelës leximi të vetin dhe është e pamundur të mos mbetet i kënaqur. Secilit të vetën, pra, duke parafrazuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Leonardo Sciascia-n.
Pas leximit të këtij libri jam e bindur se shtypi shqiptar më në fund do të gëzohet - apo të paktën kështu shpresoj - se ka gjetur një penë (aspak të re për publikun në gjuhën shqipe, ngaqë ky autor është i mirënjohur në Kosovë, nga kritika e publiku i gjerë), të cilën zor se këtë radhë do të mundet të harrojë.
E vetmja gjë që do të doja të theksoja para se ta mbyllja këtë shkrim është gjuha jashtëzakonisht e pasur e autorit, frazeologjia e lirë nga çdo bllok, ngrirje a kënetizëm gjuhësor. “Lumenjtë e Saharasë” ka një barazpeshim për t’u patur zili midis ndërtimit të  kontrolluar e mbajtur më së miri nën fre të ngjarjes, binasë rrëfimtare pra, dhe stilit artistik shpërthyes e marramendës. Këto dy veti janë thuajse e pamundur të “martohen” së bashku, pasi në pamje të parë do ta përjashtonin apo luftonin njera-tjetrën. Ardian-Christian Kyçyku ia del mbanë në këtë ndërmarrje. Dhe kjo është aftësi vetëm e penave të rralla.
(2000)