Lasgush Poradeci dixit

ARDIAN-CHRISTIAN KYÇYKU

Në Pogradec, aty ku dikur ngrihej Turizmi i Vjetër, shpesh mund të hasje më shumë shkrimtarë e artistë, se sa pijetarë. Vinte rregullisht behareve edhe njëri nga korifenjtë e moçëm të realizmit socialist. Kishte fytyrë prej vigani të letrave e të mendimit, syze të trasha, flokë të dredhur e të zbardhur (ndoshta nga zija e zemrës). Zinte një qosh të kafenesë, nën tendën me gjethe e lule, dhe shkruante, si puna e Hemiguejit në Paris. 
Një pasdite kalon andejpari Lasgush Poradeci, thatim, në kostum të zi, me pallari, me qenushkën Cuci, ashtu siç është gdhendur në çetele të kujtimit. 
- Tungjatjeta, zoti Llazar, tungjatjeta, - i thotë korifeu. 
Lasgushi zbret sadopak në të përditshme dhe habitet: 
- A…, hë, mor Dh. Ç’bën këtu? 
Tjetri mbushet me mençuri nga ajo që shpesh rron në flluska, si qindra binjakët e rrymës së vet, dhe gjegjet: 
- Shkruaj, zoti Llazar, shkruaj. E dini si thuhet: Shkruaj, shkruaj, se diçka do mbetet. 
Lasgush Poradeci, poeti që edhe hijen e shtatores e ka aq njerëzore, ia kthen:
- Shkruaj, Dh., shkruaj, se asgjë s’do të të mbetet ty.