Intrus. Mbi romanin “Sy” të Ardian-Christian Kyçykut

ANILA XHEKALIU


Megjithëse prozator, eseist, doktor në filologji dhe docent, - të cilin prej kohësh kritika rumune, hungareze e më tej e kanë cilësuar si një “Markez të Europës lindore”, “krijuesin e një mitologjie të re ballkanike”, “Kafka në Ballkan” etj, - autor i më shumë se 20 veprave letrare, në shqip, rumanisht e gjuhë të tjera, ku mund të përmenden romanet “Mortët” (1997), “Viti kur u shpik mjellma” (1997), “Një fis i lavdishëm e që jep shpirt” (1998), “Nata pas vitit zero” (1998), “Lumenjtë e Saharasë” (2000), “Si u pushtua çmendustani” (2004) etj, që kanë piktakime me romanin “Sy” përsa i përket tematikës, apo romanin-ese “Hyu Epigon” (2000) kushtuar poetit të Shqipërisë e të vendlindjes së tij, Lasgushit, - që jetoi e vdiq nën hijen e atyre veprave anemike që mbase shëtisin edhe sot nëpër botë, - veprat e profesorit shqiptar me banim në Bukuresht, Ardian Kyçykut, i mungojnë lexuesit brenda kufijve të Shqipërisë. E shkuara dhe e tashmja është mjegulla e përhershme që na rrethon, por që vetëm disa dinë ta shohin, duan ta shohin. Duhet një farë maturie për ta zotëruar, për ta zbutur durimin, mirëkuptimin, mbi të gjitha dashurinë për të ditur ta bësh. Mbase janë këto arsyet që e shtyjnë autorin të thotë se ka synuar “t’i shkruajë librat në mënyrë të atillë, që të mos mund të tregohen”[1] dhe që e shkuara të ketë fjetur kaq shumë, deri në sfilitje, në mendjen e tij. Ndërsa më ka ngacmuar titulli i njërës prej eseve të tij: “Intrus”, kur jam ndeshur me shqetësimin e studiuesve të krijimtarisë së tij, sidomos për mosreagimin letrar ndaj këtij romani (“Sy”), që çertifikohet tashmë: “Intrus”. Kjo është dhe përgjigja që mund t`i kthehet lexuesit të kujdesshëm shqiptar që jeton e studion jashtë, (i shqetësuar me të drejtë pse kritika shqiptare hesht), i cili nëpërmjet këtij romani të botuar nga Sh. B. “Buzuku”, si me anën e një “andejkqyre” (për ta çikur pak romanin), kqyr dhe një realitet tjetër të ri, i papritur për të.

E kam lexuar romanin “Sy” si një letër ardhur nga larg, prej një vendi të huaj, si libër të ndaluar. Me këtë ndjesi kam rendur nëpër rreshtat e tij për t`u riatdhesuar, për t`u njësuar me vetëdijen e fiksionit të tij. E rëndësishme mbetet që deri tashmë ka zgjuar vëmendjen e stjudiuesve e mbi të gjitha është një libër që të paktën duhet lexuar. Do të ishte mëkat të mos e bëje! Cilado qoftë arsyeja e lindjes së këtij libri të parë me sytë e shpirtit të autorit e syrin e zemrës së narratorit, ky tekst është memoriali i hartuar nga biri për vendlindjen, me nëntekste të fuqishme vajtimce, malli e brenge. Autori e ka mbajtur ndër vete që prej shumë kohësh, duke pritur çastin e duhur për ta pendëzuar, duke e shembur barrierën e gjetur fuqishëm se në ç`dritë për ta parë. Ravgimet e arratisë prej kësaj bote e Ilirit me një sy dhe e të gjithë të tjerëve shoqërohet me gërmime në truallin e së shkuarës së hidhur që shëmbëllejnë gurishten e syve të ballinës së romanit. Jam e bindur se gjithkush don ta harrojë për përherë. Gjatë gjithë leximit rishtas bëhesh bashkëjetues i saj. Si prostituta e Sartrit të zhvishet e tëra para sysh, e mësyshur, spërkatur me detaje të imtësishme, e njomur me rindijime e ripërfytyrime: shfaqet tri herë si re mitike pak mbi sipërfaqen e tokës, turbulltinë e infektuar nënujore e një liqeni të gërdetshëm peshqsh. Është varka e peshkimit me trupat e tre peshkatarëve pa koka, mozaiku i nofkave të personazheve, shpërthimi i një syri të tretë duke e përjetuar plotësisht dhimbjen e çeljes së tij që lag lëkurat si ujë vrapi a frike. Ngjallet kështu finesa e humorit që trajekton krejt tekstin e dialogjet ngërçuese mes personazheve. Bunkerët si asociacion përcjellin tartarët e Buxatit. Dashuritë e shthurrura, tërheqjet kafshërore të tyre të pashqyrtuara artistikisht si komplekse, fabula e piketuar në një vend, personazhet janë thjerrza përmjet së cilës autori kqyr zhvillimet e frikshme në vend: tortura burgjesh, viktimizime. Iliri me një sy e kap narracionin me të dy duart, duke e zbehur praninë e tij dhe duke e përmbushur plotësisht atë çka thotë romancieri i parë modern, Floberi: romancieri duhet të jetë si Zoti në krijimin e tij – i pranishëm gjithkund dhe i padukshëm askund. Parakalojnë në të me mish e me kocka figura të vërteta historike që këpusin kokat e tre peshkatarëve për t`u shndrruar në mjegull, në sy, në dëborëra, në peshq. Ngjarje të çuditshme zbresin prej vetëdijes së tij kur në qiellzë i del një tjetër gjuhë. Lexuesit të ri i serviret një terren i habitshëm, ngacmues. Batutat e stërnjohura: ha shqip apo s`ha, … dhe fap të iku koka, … që kur s`ke qirë zotrote? etj (shprehje të zhargonit me funksion stilistik e estetik të caktuar) bashkëshoqërohen nga nëntekste të fuqishme letrare. Sintaksa e zakonshme nuk ka vend në këtë tekst të braktisur prej arsyes, që i jep lirinë e pamasë zhdërvjelltësisë krijuese të ndërthurë dramatiken me sarkazmën. Paradoks letrar që lind tragjizmin e një jete që ende tremb. Ky realitet është një shuplakë, është krejt skandaloz: është ai i Ilirit me një sy që syrin e munguar e zëvendëson me një kokërdhok deleje, më pas me sy prej qelqi që i thyhet e mbetet sërish me një sy të munguar për ta shqitur më në fund me gjithë fuqinë e shpirtit syrin e shpëtuar nga tortura në burg; i Koços së Vanthies, Puthjes, Stërputhjes; i shokut Themi, më pas zotit Bëri ambasador i shkrimeve e dorë e artë botimesh, i Haki Ujerës i shndrruar në Shkrumbehi, Alberto, Hans, Habib, Alqiviadh, Leonidhë, John, Yamamoto, Prishnamurti, apo Ha Ki Neng që turret nëpër botë ta bënte shkrumb e hi fatin e vet; i Fluturës syshkruar që bëhet sykopjuar; i Misto fotografit, i vetmi që kishte të arkivuar në fotot e tij banorët e gjallë e të vdekur të buzëliqenit; i Agimit të Zukut të vdekjeve; i Afrim Katrahurës që është zotëruesi i dijes, në këtë rast një instrumenti: kqyrës, njëlbisë, pasqyrës; i xha Raqit të mjellmave, që i përcjell vjeshtave me tinguj serenatash sikur të ishin të dashurat e tij, duke pritur çastin që këto mikesha të rralla të shfaqeshin sërish bashkë me unazat që ai e shkencëtarët e huaj u kishin vënë nëpër këmbë… etj. Të gjithë këta personazhe, viktima të së shkuarës, nuk duhen lënë pas dore. As fataliteti i rrethanave të tyre. Ngjarjet konkrete (bastisjet e depove të armëve, tregjet ku shiten sende të vjetra e të shtrenjta) të pandryshueshme. Lëvizje të brendshme, brutale, dominojnë romanin e mungesës së shpërfytyrimit. Absurdet vijnë përmes fjalës së zgjedhur. Nuk mund të thuhet se në emër të mbijetesës a përshtatjes (fjalë e ulët) ndodhin gjithë këto shmangie që lindin skena groteske: dasmat në lokalin “Familjari” (më pas “Blue Eyes”): lindja e pjellave të ngjizura bunkerëve, ligjërimi i të cilëve nga cilësia e fortesave i kthen në vatra ku ngjizen fate e fëmijë që vijnë në jetë pikërisht në ditën e dasmës së prindërve të tyre (grotesku) mes një kundërmimi të fëlliqur rropullish sa duket se dasmat e vellot e virgjëreshave më shumë se simbolikë e vazhdës së jetës janë stisje për të mbuluar zhvirgjërime e jetë të shthurrura. Hapja e kufomave të peshkatarëve për t`u gjetur identitetet ngaqë u mungonin kokat ndërkohë që kemi të bëjmë me një qytet ku janë monitorizuar deri dhe çka lëvrin në mendjet e banorëve të vet. Në këtë pikëvështrim puna e autorit s`do të ishte e mundur pa dozën e kurajos. Kjo përqasje citimesh s`ka të bëjë me vetëdijen e krijuesit e misionin e tij në këtë botë, as me vetëdijen receptive: se nëse këto cilësime janë çelësi i derës së mesazheve të tij, apo kodet e para për t`i deshifruar, por me realitetin letrar, mënyrën e shtjellimit të tij nga një bashkëkohës. Një ngjarje sa një çast e ngërthyer në një hark kohor 60 vjetësh, e zhvilluar në dy plane: 1-) fiksionit ardhur përmes simbolikës së mjegullës e peshqve 2-) ngjarjeve faktike të kobshme që kanë zënë vend mirë në mendjet e receptuesve. Të njëjtët personazhe linden e plaken brenda një kohe të shkurtër: “…Ishte po shtator: një thëllim i beftë i pat qethur brenda një ore të gjitha pemët e qytetit, duke lënë mes degësh vetëm hurmat. Ngjasonin me ca diej të plakur nga malli. Qyteti u gdhi jo aq nën këtë ngutje vegimtare vjeshte, se sa nën një lajm që ngulmonte t`i mjegullonte kokat më gjatë se tri ditënet…. Njëra nga varkat e peshkimit qe kapur në breg nga rojet e kufirit. Të tre peshkatarëve u mungonin kokat… (fq.9) Ishte po shtator: një thëllim i beftë i pat qethur në vetëm një orë të gjitha pemët e qytetit, duke lënë mes degësh vetëm hurmat. Ngjasonin me ca diejth të plakur nga malli. Ujërat ishin të kafta, thua se isha zhytur të notoja në vetë jetën e atyre kohërave. S`dukej gjëkundi pikë reje (fq174).
Tekste pikënisje e pikëmbrritje të romanit përbëjnë subjektin, kumtin e thelbin letrar të tij. I kamufluar prej sysh (mbi 160 përdorime të figurshme të kësaj fjale “sy” – Sytë tanë të brendshëm janë si të ngujuar në një re. Edhe gjuha jonë e brendshme…, fq175) nis me rrëfimin e personazhit kryesor, vetëdëftuesit, Iliri me një sy: epilog që pak ndryshon nga mbyllja e romanit: duke dhënë përshtypjen e një vazhde, një balade magjike. Reja që zbret mbi qytet si paralelizëm të zbret në mendje vargjet e baladës së Rozafatit: “I ra mjegulla Buenës / ndenj tri ditë e tri net…” Kështjella që domosdoshmërisht duhej ngritur mbi flijimin: (tërthorazi shkon tek pushtetet që lindin shpërfytyrimin tragjik të personazheve, thurrin fatet e vetme të tyre). Historitë e transformimeve të emrave të personazheve shfaqin tërthorazi shformimet e ndërgjegjeve të tyre duke i kthyer në ca të pavetëdijshëm të ndërgjegjshëm, shndrruar në amurë, koranë që mbijetojnë nënujësitë për të lindur vetvetishëm paralelizmin simbolik shumëplanësh të së dukshmes dhe së padukshmes, të ndërgjegjshmes e të pandërgjegjshmes. Të lëvrijnë në mendje labirintet për të kuptuar se këto dy-tre tekste të përsëritura janë thjesht një lloj Tezeu që kanë në dorë fillin e shpërfillur që luan me imagjinatën tënde për të thurur kështu pëlhurën: historinë e kombit tënd. Përmjet një morie ndërtimesh stilistikore të sakta, e shpërfytyruara vozit tri herë në të njëjtën re, në të njëjtat ujëra liqeni ku shfaqen mbi barkën e peshkimit tre peshkatarë pa koka, në kulmin e tri dafrungash dasmash. Pra në këtë roman gjithçka zhbëhet, e moralshmja, krimi, fati, dhe kjo ndodh në prani të syve të metaforizuar të njerëzve, metonimive të kësaj fjale në kqyrë, tejqyrë, dylbi, njëlbi, sy prej qelqi, kokërdhok, pasqyrë. Moria e personazheve mbërrin kulmin e shumëfishimit (gabelët, vllehët, pakicarët e çdo ngjyre, gjuhe e natyre, sahan e bythëlëpirësit, hafijet e mafiozët, gërdallat e lapanjozët, bytharët e sumçarët, pedofilët, katilët e xhahilët, nellat, kuçkat e baxhellat, rroçkat e proçkarët, halldupët e mynafikët, zagarët, zuzarët e kritikët, zullumqarët, shtatanikët e qukapikët, papagajtë e bullarët, krimbat e gjyhnaqarët, pjellat e breznive të ndryshme me soj e sorollop, si dhe të gjithë –arët, -istët,-logët, -ofët, -ikët, -anët, -errët, -enët, akët, -tarët, (fq181). Jetët e tyre ngjajnë me jetë të zbritura prej një vetëdije tjetër, duke qenë ato të vërtetat, duke mbetur mjerisht deri në fund të shpërfytyruara, të përqeshura nga fati i të qënit banor i vendlindjes. Semantikat e përdorimit të fjalëve të fshira nga fjalorët zyrtarë si me magji ngjizin kupolat e hekurta të bunkerëve, lokale të fshehta nëntokësore, vilat moderne të pasunarëve të parë të shndrrimeve të sistemeve a dhe tempujt nën varre (magazinat e fshehta). Agonia e të gjitha këtyre shtjellimeve letrare me një stil të ngjashëm me atë të post-modernistëve të realizmit magjik ndërthur llojshmëri ligjërimesh në përbërje të të cilave gjenden: përdorime metaforike, metonimi, enumeracione e përshkallëzime të goditura të tyre. Sinekdokat, ironitë përbrijojnë dukjen me realitetin: çka ndodh është e kundërta e asaj që pritet e që, simpas studiuesit amerikan Xhonatan Kaller janë përdorur nga historiani Hajden Uajt për të analizuar shpjegimet historike apo fabulizimet, janë strukturat themelore retorike me anën e të cilave kuptojmë përvojën e përbëjnë fiksionin e këtij romani. Veprimi ndodh brenda 10 minutash, koha në të cilën përsillet në mendjen e personazhit kryesor, “Ilirit me një sy”, pikërisht kur atij i del në gojë një tjetër qiellzë e tjetër gjuhë:
“…dikur bëja pjesë mes atyre që pandehin se bota mbaron aty ku fiket fuqia e vështrimit. E do të isha fikur ashtu në hije të historisë, sikur të mos më qe ngritur mendja të arratisesha, ta merrja liqenin me not, e sikur helikat e asaj motobarke a jahtit të mos m`i kishin bërë rropullitë fërtele gjatë asaj mesnate të paharruar shtatori.. dhembjet më zgjuan tjetërkund dhe zbulova i çmeritur se gjuha ime qe pasuruar ndjeshëm. Më kish mbirë, a mbase më qe rritur, një tjetër gjuhë. Në qiellzë a në qenie. Një gjuhë, e cila me siguri do të më kish sjellë në të kaluarën një krejt fat tjetër, më pak të mefshtë e çakërr.
 Fjalia e parë që thashë nuk lidhej as me Partinë, as me Enverin, as me demokracinë, madje as me nënën. Ishte pakashumë fjalia e të gjithë atyre që kishin fatin të zgjoheshin tjetërkund. I pata hapur sytë si për brenda, jo për jashtë. Asnjëherë vështrimi nuk më qe dukur aq i rremë dhe i pafuqishëm. Rrallëherë pikëpyetja dhe pikëçuditja nuk mund të jenë aq të gërshetuara mesveti, duke ngjizur një shenjë pikësimi ende të pashpikur. Prandaj fjalia:
- O, Perëndi……
mbyllej me një rresht pikash. Kush mund ta maste gjatësinë e atij rreshti?! (fq.8)
- O…
- … Perëndi!
Presja mungonte. Shenjat e tjera dhe pikëçuditësja ishin shqip. (fq 182)
Pranëvënie që thurr paralelizëm simbolik me Merso-në e Kamysë, i cili e rrëfen ngjarjen e vet sikur të ishte një ditë para ekzekutimit. Dhe gjithçka ndodh në mendjen e tyre, përfshin harkun kohor të një dite që përkon me fundet e jetëve. Paralelizëm i lindur nga absurdi i jetës a fat-ferrit e nuk ka mbetur më gjë për të shijuar përveçse t`i japin kuptimin e fundit me sjelljet e të tjerëve. Përqasje që i shton nota surealiste romanit “Sy”. Teksti alegorik që hap e mbyll romanin bën përballjen e parë e të fundit si një mahnitje: një pejsazh që shkon sa në qiell në thellësinë e ujrave, sa në një stinë të ftohtë në një kaltërsi ngjyrash e shkëlqimesh, duke krijuar përshtypjen e një kopshti Edeni të varur në rruzullin tejndjesor që mund të shihet me sy prej qelqi, atë të zemrës. Për t`u pasuar me “… nuk njihen sa duhet të mirat që sjellin vdekjet e dhunshme. Të lashtët njihnin 903 lloje vdekjesh (…) Po ta dinin njerëzit sa të mira sjell një vdekje e dhunshme, mbase do të ishin lutur që të mos jepnin shpirt si zakonisht, por në kushte sa më kafshërore…(fq. 8).
… Nga mund ta kisha ditur se vdekja e dhunshme sjell të mira njëlloj sikur të kish qenë vdekje e paqmë, engjëllore?! Reja nuk dukej gjëkundi. Patën rrjedhur shira të panumërt qysh nga fanitja e saj…(fq.182).
Paradoksi dhe misteri të shoqërojnë deri në fund të leximit, kërshëri që e ngjall rrëfimi me kursimtari e përzgjedhje fjalësh. Ardhja në fillim e parajsës (përtejjeta), mandej vdekjes, (rend i shprishur) paralajmëron një rrjedhë të pafundme të tillash. Fabula bën pirueta fantastike nën ritmin që autori ka zgjedhur për ta përcjellë ngjarjen që nuk mund të rrëfehet, e që ai e përsërit tri herë, tri herë parajsa zbret në tokë para vdekjes, të tri herët ajo këqyret e duket si parajsë e vërtetë, e ndërtuar në vetëdijen e personazhit kryesor një sy mangët që nuk ka lindur i tillë, por ka ardhur në botë për mungesën, e thënë ndryshe për luftën e vazhdueshme me dëshirën e arratisë në një botë ndryshe. Bindshëm ky autor ia ka dalë mbanë të japë absurdin e jetës me fuqinë e gjuhës, siç thotë Faulkner. Duke risuar me visarin e pasur të leksikut të shqipes, gramatika e tij gjithëformëshe përcjell mejtime të ankthshme që përkojnë me realitetin. Po e mbyll me një përsiatje të kolosit të letrave amerikane Uilliam Stirën, dhënë për “Lire” dy muaj para se ai të ndahej nga jeta: ndër të vetmit që ka ditur t`i përshkruajë mrekullisht traumatizimet e bashkëkohësve të vet. “Më është dashur shumë kohë për të kuptuar se letërsia ishte më shumë se fakti i thjeshtë i të treguarit të një ngjarjeje: një mënyrë shprehjeje artistike përmes së cilës mund të transmetojmë mesazhe të rëndësishme që s`kanë qëllim mesazhin si propagandë a predikim. Një shkrimtar mund, nëse arti i tij është mjaft i fuqishëm, të bëjë të kalojë ndërmjet një fiksioni një vizion intuitiv të Historisë, apo të shoqërisë bashkëkohëse, çka historianët e sociologët nuk mund ta shprehin. Unë shkruaj për të gjetur një kuptim në ngjarjet madhore të kohës sime, kur ato shkaktojnë ankthe e goditje fizike: skllavërimin, Holokaustin. Një roman, nëse vëmë në të pasion e intelegjencë të mjaftueshme, mund të jetë më i vërtetë se të gjitha tezat e eruditëve e të bëjë të detyrueshëm kuptimin më mirë se çdo lloj dokumentimi: flitet në të njëjtën kohë për të qenë i lirë në përfytyrimin e saj e për të mos e tradhëtuar kurrë saktësinë historike”.
 21. 02. 2007
Tiranë 






[1] Nga një intervistë botuar në gazetat “55” dhe “Koha Ditore”, maj 2005.