Buka e naforës

Acad. VAL POPA 

Tek i hapte zemrën mikes së vet, May Ziadeh, Khalil Gibran-i shprehte keqardhjen që pat botuar shumë libra përpara se të nxirrte kryeveprën e vet, me titull „Profeti”: ”... Përse kam shkruar dhe botuar, vallë, kaq libra? Isha lindur vetëm që të jetoja dhe të shkruaja një libër të vetëm, një libër të esencave! Po, kam ardhur në këtë botë për të rrojtur e për të vuajtur, për të thënë vetëm një fjalë, të fuqishme dhe lartësuese”.
Ruaji përpjestimet! Më pëshpërit Maturia.
Mos ki merak! Të siguroj, lexues, se po filloj paraqitjen e personazhit Ardian-Christian Kyçyku...
Autori! Ai është: autori! Më tërheq vëmendjen si me urdhër ndërgjegjja.
Si jokonformist që jam, e di mirë se çfarë po them: është protagonisti! Sepse  ndjehet në çdo gërmë. Është Madame Bovary! Shqetësohet për njerëzit e ngjizur nga maja e penës. Krijues, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ka krenarinë e demiurgut. I ri! Ia dëgjoj frymëmarrjen prej demi. Dëshirën për të ngadhnjyer. Në arenë.
Mini-romani... Ndofta novela e madhe Shtetrrethim, është një kapitull. I veprës së të riut-plak Kyçyk, siç do ta kish portretizuar Nikita Stanesku.

Ardian-Christian Kyçyku! Jam sërish i vënë në respekt.
Pikërisht kjo është çështja! E kuptoni? Një historian frëng, A. Castelot, fliste për çka duhej mbajtur parasysh. Lavditë e vërteta nuk kanë nevojë përveçse për një emër. Dhe sillte si shembull Napoleonin.
Mirë, por atëhere i del punës përpara. Profetizon! Ta ketë marrë, vallë, Çmimin Nobel? Apo ka shitur miliona ekzemplarë?
Vetëm mediokrët shohin deri tek maja e hundës. Unë po ju paraqit akademikun më të ri evropian. I nderuar në Paris e Milano, në Budapest e Bukuresht. Është një mishërim i shkëlqyer i kulturës së Ballkanit. I formuar në hapësirën e lashtë ilire, në gjirin e njërit nga popujt më të vjetër dhe më interesantë të Evropës, Kyçyku ka mbërritur në trevat mioritike. Nga tekat e fatit. Ashtu si në kohëra të tjera, Panait Istrati, që pat shkuar të bënte fotografi pranë Senës, u përthith nga kultura frënge.Të cilën e fisnikëroi me qindra fjalë të fondit latino-rumun. Kyçyku po përjeton aventurën e gjuhës së adoptuar. Ndriçuar nga studime solide, edhe në nivel doktorate. Duke dhënë një ngjyrë topike dhe përmbajtjeje nga perspektiva shqiptare.
Ende shumë kohë para kësaj vepre, mund të flisja për gjëra të sigurta. E ka bërë këtë edhe fisniku Bashkim i Shkrimtarëve të Rumanisë, që e ka pranuar në radhët e veta. E kanë bërë edhe ata që kanë vendosur ta përkthejnë e ta botojnë në gjuhët gjermane, angleze, frënge, spanjolle apo hungareze.

Kështu, pra, i nderuar lexues, ndodhesh përpara një vepre të jashtëzakonshme. Të një njeriu që ka zbritur nga foleja e shqiponjave. I gatshëm të ndajë me ne të fshehtat e perëndive. Prano një copë nga buka e shkrimtarit! Nga shpirti i tij i madh. Merreni dhe gëzohuni! 
(2004)