Antar i një brezi vetëm falë letërnjoftimit. Bisedë

Elsa Demo: Ju merrni pjesë në Panairin e Lajpcigut me një numër shkrimtarësh të një brezi me ju. Sa i informuar dhe i interesuar për ta njohur këtë letërsi jeni ju?

A.-Ch. Kyçyku: Qysh nga viti 1998, kur e ftuar nderi ishte Rumania, është hera e parë që marr pjesë si përfaqësues i letrave shqipe. E shoh veten antar të një brezi vetëm falë letërnjoftimit. Vendi dhe cilësia e librave kanë tjetër moshë në letra. Por nuk kam lënë pa bërë atë që mund të bëhej njëherazi me shkrimin në dy gjuhë: në një antologji që hartova dhe u botua në Bukuresht në vitin 2003 („Një alfabet i poezisë shqipe”) kam përfshirë zërat më të njohur, por edhe disa nga të panjohurit e këtij brezi. Ka ndodhur, gjithashtu, që ta përmend krijimtarinë e tyre në disa intervista në shtyp e televizion, me emra, jo në tufë, as në vathë, duke u kujdesur që asnjëri të mos ndihet pjesëtar i një breznie letrare në dëm të asaj që mendon se është, sa më afër të vërtetës.


- Në ç’fazë janë marrëdhëniet tuaja e materiale dhe shpritërore me Shqipërinë?

A.-Ch. Kyçyku: Në fazën e përhershme, të një djali që s’ka qënë e s’mund të jetë plangprishës, përkundrazi, dhe që, në heshtje, shpesh për mungesë kohe, se sa në mungesë të një vepre letrare, për të cilën është mëse i vetëdijshëm, hesht më thellë dhe shkruan duke pasur gjithnjë e më pak detyrime e lidhje të rëndomta, përtej paragjykimesh gjeografike e madje edhe historike.

- Vepra juaj ka gjetur më shumë jehonë nëpërmjet Kosovës. Keni ndonjë shpjegim për këtë?

A.-Ch. Kyçyku: Shpjegimi është i hershëm dhe mund ta jepnin shumë nga ata pak autorë shqiptarë, të cilët trualli i lindjes i ka përndjekur dhe është munduar t’i ngujojë të paktën në harresën e tani-së: Kosova e ka parë dhe e ka trajtur gjithmonë ndryshe kulturën mbarëshqiptare. Risia, vlera artistike dhe kumti janë ngritur shpesh mbi synime dhe mbi arsye jashtëletrare. Nuk di si do të kishin rrjedhur gjërat nëse Prishtina nuk do të më botonte në fillim të 1997-ës romanin „Mortët”, shkruar në vitin 1988. Qysh atëhere, jo rrallë njihem si autor kosovar dhe si „babai i Mortëve”, pa përmendur një paraqitje të paharrueshme që iu bë këtij romani pikërisht në zyrën e të ndjerit Ibrahim Rugova, në shkurtin e 1998-ës, dhe ku më nderuan me praninë e tyre disa nga emrat e mëdhenj të kulturës së atjeshme. Pasuan mbi dhjetë vëllime, vënia në skenë e pjesës „Shkëlqesi” në teatrin Kombëtar të Kosovës etj.

- Çfarë ndodh me lëndën letrare, a ka ndikim tek ajo fakti që autori është bilingv (dygjuhësh)?

A.-Ch. Kyçyku: Duhet parë më me qetësi e madje me dashuri kjo puna e dygjuhësisë, se edhe shqiponja e flamurit ka dy gjuhë, jo një. Sa për lëndën letrare, mbetem në bindjen se nuk është fjala për dy identitete shkrimtari që përjashtohen mesveti, por për një identitet me gati një shqisë më tepër, ose me një shqisë të cilën vetëm trandja dhe vegimet e mërgimit mund ta zgjojnë. Anët e tjera, hollësitë stilistike, masa dhe cilësia e humorit, kahet e metaforës, ose gjer edhe aftësia e kumtit për të mos u zbehur etj janë më fort teknike, ndonëse të zgjedhin e nuk i zgjedh ti.

- Si e ndjeni klimën kulturore në Rumani, dhe si ka ndikuar në komunikimin me veprën tuaj?

A.-Ch. Kyçyku: Për aq kohë sa më tepron nga shkrimet dhe për aq natyrshmëri sa më nevojitet, klima kulturore në Rumani mbetet e përkryer. Por do të më duhet ta përsëris: nuk jam nga ata që bëjnë bujë, ose që e mbështetin ecurinë e veprës në të qënin i huaj. Librat e mi në rumanisht janë krejt të tjerë nga ata shqip dhe bartin një botë shqiptare e ballkanase të personalizuar, ku shpirtërimi dhe poetika rumune kanë vendin e vet, ashtu siç ka bota bizantine, copëza të botës orientale, marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin e sidomos me ata që na njohin vetëm përmes librave e gazetave. Nga ana tjetër, falë përkthimeve të tim eti dhe botimeve të Revistës Haemus dhe Sh. B. Librarium Haemus, mund ta them pa ndrojtje se kultura shqiptare ka një pamje tjetër, më të plotë, më të qartë e më të admiruar në botën rumune.

- Çfarë jeni duke shkruar tani?

A.-Ch. Kyçyku: Kam përfunduar një pjesë të re teatri në shqip. Po punoj me një libër në shqip, - që mund të dalë nga shtypi në një shtëpi botuese serioze në Shqipëri, - dhe me një skenar filmi në rumanisht.


Tiranë-Bukuresht, mars 2011