Tregime të dukshme, që lexohen me kënaqësi të dukshme!


BAJRAM SEFAJ

18.01.2014 - 09:59

Ardian-Christian Kyçykut i jepet Pena e Argjendtë për vëllimin me tregime “Perla”, - “për kërkimin, guximin dhe përputhjen e kënaqësisë së shkrimit me kënaqësinë e leximit”, thuhet shkurt e shqip, në motivacionin e jurisë së çmimit kombëtar të letërsisë për vitin 2012. Asgjë me shumë, asgjë më tepër, nuk i duhet tregimtarit, as shkrimtarit përgjithësisht, se kaq. T’i kapë, t’i bëjë bashkë e t’i përputhë, këto dy skaje: kënaqësinë e shkrimit dhe kënaqësinë e leximit!
Dy-tri fjalë (të ëmbla) mbrese kurrë të pashlyeshme, për “Tregimet e padukshme” të Ardian-Christian Kyçykut.. Ato nuk janë tregime të padukshme, ashtu si ua ngjet emrin autori i tyre. Mbase janë edhe më të dukshme se ato tjerat, të botuara në vëllimin “Perla” që u nderua me çmimin letrar kombëtar, por edhe të shumëkujt tjetër.
Deri dje, ky çun yni i talentuar, nga Enkelana jonë e lashtë e anës Liqenit, tash burrë i pjekur (45 vjeç), është edhe ironik dhe i pakapshëm në shikim të parë. Atë duhet lexuar mirë, më kujdes dhe vëmendje të përqendruar e, tek pastaj... Si puna e “Dashuri me shikim të fundit”! (Titull i një romani tij - 2000, vërejtja ime), mund të thuash ndonjë fjalë të matur e të mençur, aman, për veprën e tij të madhërishme.
Në duar kam vëllimin më të ri, atë me titull “Tregime të padukshme”, që para pak ditësh, në vigjilje të ndërrim motesh, pa dritën e botimit dhe mori rrugën drejt lexuesit. As pas leximit të parë, as pas leximit të dytë, gjithnjë me laps të kuq në dorë, për shënime e nënvizime, nuk jam në gjendje, një fjalë, sa për të qenë, ta them për këtë përmbledhje të re të tij me tregime. Të bërtas, deri në kupë të qiellit, se tregimet e padukshme të Ardianit, janë të shkëlqyera, janë mrekullia vetë!, a mjafton kjo? A i ka kjo hije një burri plak? Jo, cok, kjo nuk merr bojë!
“Tregimet e padukshme” të përfshira në ketë vëllim janë të lidhura, do të thosha, janë të bëra grusht, por nuk them ashtu se autori ka alergji të pashërueshme, ndaj pjellësit të Grushtit! Janë këto tregime që nuk kapën lehtë, aq me parë nuk zbërthehen lehtësisht. Jo pse janë hermetike. Larg asaj. Ato lexohen me kënaqësi, lehtësi e me lezet, por, janë të lidhura ngushtë (mish e kockë) mes veti dhe të pa motiv e tema veç e veç e në vete.
Mos u gabofsha. Prandaj, si të tilla, mund të lexohen si tërësi romani, mirë të kompozuar dhe të ndërlidhur dendur e bukur. Midis këtyre njëzet e një rrëfimeve, që hapen me tregimin me titull “Pika që qan” dhe përfundojnë me tregimin “Si nën qiell”, nuk ka dyer as dritare. Nuk ka hapësirë bosh e fjalë të kota. Nuk ka as frymëmarrje të lirshme.
Lexohen me një (pa marrë) frymë! Ato të marrin e të endin nëpër një botë të mistershme, sa të afërt e të njohur, në shikim të parë, sa janë misterioze dhe të pa panjohura, në anën tjetër. Janë tregime të jashtëzakonshme, po ua them unë juve me plotë përgjegjësi morale, jo edhe me aq kompetencë tjetër mendjemadhësie!
Për një jam i sigurt se askush tjetër, se kurrkush tjetër, jo vetëm në letërsinë tonë, por edhe në atë të përmasave evropiane e, firoj të them botërore, nuk e shkruan tregimin e shkurtër ashtu siç e shkruan pogradecari, tash e sa vjet, bukureshtari jonë Ardian. Me këtë, larg asaj, nuk denjoj të them se letërsia jonë nuk ka edhe tregimtarë të tjerë të mirë, por, prapë, krekosëm e them se, askush, ama askush tjetër në letërsinë tonë, nuk e shkruan tregimin si Ardiani.
Ai është modern, bravuroz, ekzibicionist, trapezit, ekuilibrist, ironik, nga një herë, sarkastik, (par fois), sikurse thonë francezët, fantastik, elegant, i kursyer fanatik, ekonomik, (asnjë fjalë e tepërt dhe e pavend, nuk i del gojët. Ardiani është filozof, është mjeshtër i hollë poetik, është maestro... Diku, në lexim e sipër të tregimeve të tij, i ngazëllyer dhe, natyrisht, i emocionuar dhe i entuziazmuar nga bukuri e tyre, kisha shënuar: Ardiani është shkollë e tregimit të shkurtër, për ne dhe të tjerët. Është ent, një si institucion....
Lexoni vetëm titujt e tregimeve e shihni si janë të lidhur mes vete: Pika që qan; Pakti çlirimtar i druvarëve; Një ngjyrë më pak; Ngujimi; Biblioteka; Kuja nuk përkthen më shumë; Shija; Gur në fuqi të lotit; E njëjta pjesë e ilaçit; Ditë e marrë, ditë e lënë; Çarmatimi; Kujtesa; Ata dhe Aty; Ndëremra; Acvarium; Poezia pushton rrugën dhe gjithë ç’mbetet; Dorashka për dritë e hije; Katër të tretat; Atdheu dhe ata që e bënë; Codex Venetianus; dhe Si nën qiell.
E shihni mrekullinë!
Me përjashtim të titujve Ngujimi, Biblioteka, Shija e, eventualisht të ndonjë tjetri, e shihni, asnjë titull, nuk jep shumë indikacione, mundësi deshifrimi e hamendje, jo vetëm te ata që këto tregime akoma ende nuk i kanë lexuar, por edhe tek ata që i kanë lexuar (si unë). Nëse pandehet se Biblioteka, Shija, Ngujimi... u thonë diçka.
Mos u nxitoni, mos u mashtron, nën penën e sigurt dhe të preftë të Ardianit, as biblioteka nuk është krejt bibliotekë, a shija nuk është shije e zakonshme, as ngujimi nuk është vetëm ngujim... Çdo gjë është diçka tjetër. Është një e papritur. Është një befasi. Është një shteg i ri...., Jo, jo Ardiani, vërtetë shkruan ndryshe nga të gjithë, ai është krejt i veçantë, këtë një ditë do ta kuptojë edhe Akademia e Stokholmit vetë!
Pas gjithë kësaj që thash, po me duket punë e mjerë dhe përpjekje shterp të marr e të veçoj dhe të orvatëm të analizoj cilindo nga këto tregime, kur secili është më i mirë se shoqi, njëri më brilant se tjetri, kur të gjithë janë, pak është të thuash, të mrekullueshme, janë perla e xhevahire shumë karatësh!
Janë si qengja të bardhë në luadh, breg lumit...
Nuk bën t’ua prish qetësinë, t’ua lëndoj bukurinë.
Në fund fare, një si porosi: nxitoni e, në Prishtinë, në Tiranë, në Pogradec, në Tetovë, në Shkup e në Shkodër, kudo në tokat e shqipes, rrëmbeni këtë libër e, pa hezitim, uluni dhe e lexoni! Më pastaj mund të bisedohet. Jemi dakord?


(Vëllimin “Tregime të padukshme” e botoi Sh B. “Buzuku”, Prishtinë - 2013. Libri ka 175 faqe dhe kushton katër (4) euro).