Si e lexova “Home”...


FERIDE BERISHA

Këtë roman e lexova dy herë njëra pas tjetrës, pa ndërprerje kohore. Së pari e lexova dhe mora në thua në gërshetimet stilistike dhe në gjuhën e Ardian-Christian Kyçykut që ai e përdor jo vetëm në këtë roman, por në të gjitha krijimet e tij që i kam lexuar deri tani.
Siç thashë edhe më parë duke soditur nëpër këtë Arche Noah të fjalëve shqipe erdha në fund të librit dhe kisha më shumë të panjohura, sesa kur e fillova ta lexojë librin. Isha humbur në gjuhën e bukur dhe e kisha harruar përmbajtjen. Në mendje më kishte mbetur vetëm një përmbajtje e mjegulluar se fjala ishte për një histori mërgimi, të cilës nuk i nevojitet as vendngjarja, e as kufizimi kohor. Edhe inati im ishte aq i madh, se doja gjithsesi ta kuptojë përmbajtjen.
Pse titulli “Home” e kisha pyetjen në kokë në fillim, por pas leximit mu shtuan edhe më shumë pyetje. Kuptimi i titullit të këtij romani mund të lakohet në shumë mënyra. Si çdo gjë që shumëzohet me shumëçka, edhe titulli. Njëri nga kuptimet mund të ishte: Home Çkena është emri që ia dhanë fëmijët e kryeqytetit një djaloshi të zbritur nga fshati, sepse ai si përshëndetje u thoshte “Ho me, ç’kena”, për të cilën fjali fëmijët e përqeshnin dhe edhe ia vënë nofkën Home Çkena.
Por ky do të ishte një shpjegim shumë i cekët i një libri kaq të thellë për nga domethënia. Në këtë titull ka më shumë, se sa vetëm ky shpjegim. Edhe në kopertinën e vet librit, shihet në shkronjën O një djalosh me një plis. Kjo mund të jetë fotografia e një djaloshi në moshën e Home Ç’kenës kur ka zbritur me prindërit e tij nga fshati në qytet.
Home mund të jetë shtëpia e njeriut, të cilën ai ose e ndërton fizikisht, apo tërë jetën e tij e dëshiron. Home mund të ketë domethënien e labirintit në vetvete, që çdo njeri e kalon gjatë jetë së tij. E labirinti i Home Çkenës ka shumë dalje të rrejshme dhe shumëkatëshe.
Nëse shkruhet për një roman, së pari flitet për personazhet, por edhe kjo është e vështirë të definohet në këtë roman. Kush janë e kush s’janë ata? Sa janë, e sa s’janë?
Autori i tejkalon të gjitha dimensionet dhe futet në një botë pa kufizime, si hapësinore, ashtu edhe kohore. E çka është kjo përveç se bota e brendshme e çdo njërit. Një gjë e kupton lexuesi shumë shpejti dhe kjo është se si autori na i zdrit horizontet e minierave njerëzore të mërgimtarëve. Ata i kanë tri bota nëpër të cilat gjezdis mendja dhe shpirti i tyre.
Çdo mërgimtar e ka dhèun nga ka ardhur, por ku mund të lëviz vetëm mendja dhe zemra e bartur nga barka e mallëngjimit; aty ku ka mbërri dhe ku nuk ia gjen vetvetes vendin dhe atje ku s’ka mbërri dhe s’do të mbërrijë kurrë më në jetën e tij: qetësinë e shpirtit dhe pajtimin me humbjen e atdhèut. Ai që shkon s’mund të kthehet më. Kthimi është vetëm fizik, ose si një mbetje e diçkaje që s’është më.
Në dherat e huaja edhe mallet ia zënë vendin njëra-tjetrës dhe bëhen aq të fuqishme, saqë ua hanë të zotërove edhe shpirtin. Mallin për çka? Për atë çka nuk është më dhe nuk do të jetë më? Koha duhet të mbushet me diçka dhe koha e një emigrantit mbushet me pritje, me mall, me shpresë. Gratë mbesin shtatzënë edhe kur burrat ikin. Pra personazhet në roman e jetojnë një jetë në dhèun e huaj duke ëndërruar një jetë tjetër në dhèun e tyre.
Pse personazhi kryesor e fillon jetën e tij në kurbet me një pasaportë të rrejshme, me një emër të dikujt tjetër? A është ndoshta kjo mjeshtri ardiane që së pari ta rehatoj Home Çkenën me një identik të rrejshëm, që ai më pastaj ta ketë më lehtë të gjendet dhe të lëviz në jetën e tij edhe ashtu të rrejshme me një identitet të rrejshëm? Ndoshta! Çka ishte ai çelësi, i cili përmendet dhe në fund edhe e merr hapësirën kryesore të ngjarjes? Çka simbolizon kulla, të cilën lexuesi nuk e din se a është ndërtuar në kokën e Home Ç’kenës, apo në dhéun e huaj? 
Pse shumohen njerëzit, zërat në fund, pse nga një bëhet një kor, një shumës i shumëçkaje. Si mëlmesë e ngjarjes, asaj i shtohet një anketë në fund. Çka është kjo anketë? Home Ç’kena është një libër i thellë, me një gjuhë shumë të bukur dhe me më shumë pyetje në fund të leximit, se sa në fillim. Kureshtja rritet gjatë leximit, por shtohet më shumë pas leximit të romanit. Kjo ndodhë vetëm me librat e mira.

Shkrimtari që shkruan shkurt e shqip

Shkas për këtë shkrim është botimi i ri i romanit “Home” të Ardian-Christian Kyçykut nga shtëpia botuese PA, me seli në Prishtinë dhe në Berlin, Mars 2014. (...) Letërsia e Ardian-Christian Kyçykut është shqip, sikur ajo shndërrohet në një Arche Noah e fjalëve shqipe. Nëse ata të cilët e lexuan dhe e lexojnë këtë shkrimtar, më se e kanë kuptuar se ky autor është në një mision të mbledhjes së shkronjave, të ruajë gjuhën. Në letrat e Ardian-Christian Kyçykut asnjë fjalë s’është e tepërt dhe asnjëra në vend të gabuar.

Zëri, Prishtinë, 16.03.2014 - 09:00