Shqip-ëri nga Shqip-ja


Më ka ndodhur të shkruaj se Mërgimi nuk është sëmundje, por as për t’u shëruar nuk shërohet ndonjëherë. Shkrimtari që detyrohet të jetojë larg vendlindjes, shpesh pa u kthyer më, ka mundësinë dhe fatin e veçantë që të pastrohet në kujtesë, duke përsosur vetveten, librat e vet dhe madje edhe Kujtesën e përbashkët. Ai e sheh historinë përmes Metaforës, e cila, në kohët e tanishme, mbetet një nga shprehitë e mbrame të idealizmit. Vitet, kufijtë, hollësitë e historisë, kulmet, moçalet dhe honet e saj, kanë kësisoj tjetër thelb dhe tjetër rol.
Shpallja e Pavarësisë emërtoi jo vetëm një truall, por edhe një shpirtërim. Kur të duhet të mërgosh nga ai truall, merr lejë e fuqi të thellohesh e më pas të jetosh në shpirtërimin përkatës, ose në Atdheun e Përhershëm. Këtu 100 vjet nuk janë shumë. Por gjykuar nga vuajtjet, ëndrrat, ngadhnjimet e heshtura, mallkimet e bekimet e aq breznive, sidomos të Mërgatës, por edhe të shqiptarëve që kaluan gati gjysmën e këtij qindvjetori në një burgim të shumëfishtë, 100 vjet nuk janë pak.
Jo rrallë, në vetminë e letrave, Atdheu i Përhershëm mund të jetë më i madh se vetë bota, ose mund të jetë krejt bota e dikujt. Kur kujtoj ndihmesën e jashtëzakonshme që Kolonia Shqiptare e Bukureshtit dha në themelimin e shtetit, por edhe të letërsisë shqiptare moderne, më duket se Shqipëria është shfaqur si një rrjetë ëndërrash jashtë kufijve, pastaj ka nisur të ngjizet si realitet brenda tyre. Këto ëndrra ishin e janë dhembje nga ato që nuk i rrëfen dot as letërsia, aq më pak historia, nuk janë qenër që lehin rreth një çifligu. Po të flasim me gjuhën e Metaforës, çdo truall duhet të ndjekë gjuhën, jo anasjelltas, qoftë edhe vetëm ngaqë hapësira e një gjuhe përfshin vetiu edhe botën tjetër, atë që prehet nën troje e gjuhë.
Padyshim, një shkrimtar që jeton në gjuhë e jo brenda trojeve zyrtare bën edhe pa vëmendjen, ose me heshtjen e pashëndetshme të një shoqërie të caktuar. Ndodh që shpërfillja e qëllimtë, ose lufta për ta mbajtur ngujuar në harrim, ta ndihmojnë dhe t’ia përkryejnë veprën. Por ndonjëherë, gjer edhe për t’u kujtuar të gjithëve se çdo shkrimtar, jashtë a brenda trojeve, - banor, roje, bir e zëdhënës i shqipes së përhershme, - është vdekatar si secili prej nesh, vlerësimi ndaj mërgatës së tij i bën gjërat, ngjarjet dhe njerëzit më të njerëzishëm.
Ju falenderoj për ftesën dhe uroj për të gjithë vetëm të mirat e domosdoshme.

Bukuresht, shtator 2012