Rrugëtim dashurie në metaperceptim stilistik

BLERINA GOCE 

Analizë rreth romanit “Kisland” të Ardian-Christian Kyçykut (Shkruar në janar 1992 dhe riparë në gusht-tetor 2007 në Bukuresht)

Fryma është ajo që jep jetën. Në kuptimin e të qënit në “thelb”, përtej tij në skajshmëri e në përjetim të thellë. Vdekja ndodh të jetë kaq joshëse sa t’ia kalojë edhe jetës, e në mes ëndrrës dhe zgjëndrrës të harrosh se kujt i përket, megjithatë të drithesh në ndjesi.
Largimet, vetmia, të ndjerit pa rrënjë por me frymë, janë mbase “lënda” e parë të krijimit në një alkimi që herë-herë të ngjason me një skelet ndërtese sa të magjishme e të pakapshme, aq edhe të mirëllogaritur e të ndërtuar deri në imtësi.
Nuk është e lehtë të flasësh për krijimtarinë e Ardian-Christian Kyçykut, pavarësisht “linjave” që mund të përpiqesh të ndërtosh për këtë. Fjalët ose të duken të paplota, ose të tërthorta e jo të gjithpërqafueshme, ose do të ndjehesh se ke lënë e je lënë në cep të ndjesive që rikrijohen përmes mendimit të thellë në lexime të ripërsëritura.
Mendim i rrënjosur e metafora të ngopura në thellësi në një rrëfim jotradicional, të paktën jo të hasur shpesh në letrat shqipe, vijnë në një mënyrë që e shenojnë veprën e tij me vulën e vetvetes.
Si një orkestër e gjithëfunksionueshme, që mund të shihet e tëra, porse si jetë paralele mund të ndjesohet edhe duke lexuar secilën vepër më vete. Vepra e Kyçykut është një minierë së cilës është vështirë t’i gjesh fundin e mund t’i mbiveshësh e rikrijosh mijëra udhëtime.
Si çdo gjë që nuk është e thjeshtë, që nuk ka një rrëfim “konkret” të ngjarjeve “vulgare”, porse është po aq e thjeshtë në “minimizimin” e historive, fillimisht mbase mund të të largojë, të të stepë në “përkthim”. Porse rikthimi nën “studim” është rizbulues, madje i një lloji e përjetimi të veçantë, pasi vepra që ai ofron vjen në formën e një poezie shpirtërore pavarësisht se serviret në prozë.
Të kuptosh atë, duhet të nisesh nga shumë shtresëzime. Të kërkosh paralele nën përvoja, të drithërohesh e mbulohesh për të dalë përsëri si nën jorganë të krijimeve.
Shija që të lë leximi i veprës së tij mund të “deshifrohet” si një proces ku intuita, duke vallëzuar me imagjinatën, ofron një realitet të përhershëm (pavarësisht lëvizjes së emocioneve dhe çkohësimit).
Duke qenë vetë një “i ikur”, ai e njeh tepër mirë “dridhjen”, rrëshqitjen e “dyshemeve”, apo rrotullimet e qiejve.
Vepra e tij duket se merr formë edhe nga përvoja jetësore që ka mbi supe. Një autor i larguar prej vendlindjes, i vendosur në një vend “tjetër”, me gjuhë e tjetër komunikim, vepra e tij është mbase një ndër më përfaqësueset dhe komplekset në veçansinë e saj, duke u bërë njëkohësisht një grafi e tërë këtij korpusi veprash, pasi autori nuk ngurron të shkojë deri në kockë e përtej vdekjes, atje ku mbase një pjesë autorësh bashkëkohës e me fat të ngjashëm të tijin (mërgimtarë), nuk kanë guxuar “të degdisen”.
Emri i tij është përmendur vërtet si emër i talentuar, porse si përshfaqet talenti i tij?
Ndërsa kritika e letërsisë mbijeton si një institucion jo dhe aq i konsoliduar në gjerësi dhe i orientuar rastësisht, shkrimtarë të rinj, shpesh shumë interesantë, ndodh të kalojnë në heshtje. Një pjesë e të cilëve, si Ardian Kyçyku jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë.
Ardian Kyçyku në Bukuresht, jeton me vështrimin nga Shqipëria. Shqipëria shfaqet e ndihet në të gjithë krijimtarinë e tij që numëron jo pak tituj librash si: “Muza e Lojës”, “Lumenjtë e Saharasë”, “Diva ose Ngrënësi i Luleve”, “Sy”, “Si u pushtua Çmendustani”, etj.
Kyçyku nuk lëvron vetëm prozën, por shkruan esse dhe studime shkencore për letërsinë, mërgimin dhe teologjinë. Por edhe dramaturgji e vargje. Një krijim interesant, i veçantë e me vlera është dhe romani i tij, “Kisland”.
Ai shfaqet në mënyrë jo tradicionale, si një gjini e veçantë, lëvruar jo në mënyrë klasike e rrallë në letrat shqipe.

Stili dhe “kodet” e brendshme
Dashuri e frymë

Ardian Kyçyku vepron brenda një kodi metaforik dhe në heronjtë e veprës secili mund të gjejë vetveten dhe historinë origjinale të një kombi si Shqipëria.
“Kisland” ndërtohet i tëri mbi dashurinë, dashuri që duket sikur lëviz e tëra në varreza dhe mes aromës së vdekjes.
Në këtë roman (si dhe tek të tjerët e A. Kyçykut) mund të nënvizosh se simbolika është shumë e fortë dhe krejt vepra mund të quhet e tillë, e ngritur në një arkitekturë simbolike. Qoftë duke u nisur edhe nga mënyra se si autori i ka ngjizur dhe pagëzuar personazhet e veta.
 Ai rrëfen si një vëzhgues që futet nën lëkurën e personazhit, i cili është “qendra” dhe ngjan me “kalorësin” që udhëton në dashuri mes jetës dhe vdekjes, dehshëm kah kësaj të fundit me sukseset e joshjes që të gjallët nuk mund ta kenë plotërisht.
Stili i të shkruarit të tij është befasi. Mënyra e ndërtimit të tekstit, lidhja e kapitujve me njëri-tjetrin, jo në mënyrën e zakonshme tradiconale, me “parakapituj” e më pas me kapituj (X?V, XV, ?XI, X?I, X?X?I?I etj)., janë një element që mund të studiohet dhe deshifrohet si një drejtim më vete.
Personazhet e tij janë “teto Amerika” (emri i kontinentit të madh “mërgimtar” të të gjithëve, patjetër dhe të shqiptarëve), me të cilën dashurohen të gjithë e që ajo ka vetinë t’i joshë e bëjë për vete. Një damë e lindur “frymëjoshëse” që pavarësisht moshës nuk mund ta ndalet “së ngrëni burra”, të cilët e pasurojnë me “verdhushka” (flori) e që megjithëse është “shterpë” (nuk ka mbetur asnjëherë shtatzënë dhe nuk ka asnjë djalë apo vajzë të vetën), është joshësja më e madhe e meshkujve të cilët janë të lumtur të venë kryet tek ajo edhe pse e dinë se mbrapa do të vdesin.
“Zëri” është një tjetër personazh. Zëri i vetvetes. Mbiuni dhe nënuni, e djeshmja dhe e sotmja, koha e pakohësia. Pjesa e dukshme e Hiçit e cilëson autori. Të tjerë personazhe shfaqen sa realë dhe tokësorë, aq edhe në formatin e një bashkëbisedimi me vetveten e kujtimet. E dashura e tij Ariela, babai i saj - Kufitari, Portreti, xhaxhi doktori - alias Foto Grafi, vetë personazhi që quan veten me emrin Gined (Gloria in exelsis Deo = Lavdia në emrin e Zotit), Xhavahir Berberi, Fati, Çelo Memeci që i bie trumpetës, e dashura “e përjetshme” e pagëzuar si Ina, Shoko Gjoba, Vërdalla, Merre me Mendi, ish-shoku i fëmijërisë “Cubi”, kali- Nizami, [Ajo Ajo-ja], etj.
Është interesante të vëresh edhe emra vendesh, në të cilat Kyçyku vendos ngjarjet në librin e tij: Fusha e Çifteve, Ish Çmendina, restoranti “Ki$land”, Lagjia Burimi, Lumi i Madh (Kuçedra), Qyteti i Luleve - Enkelana, Sheshi i Akacjeve, Zona e Dashurisë, Barraka e Qymyrit, Lokali i beqarëve…
Afëria me vdekjen në këtë roman mund të duket fatale, por pikërisht prej kësaj mënyrë të pari, përjetimi bëhet më i fortë dhe më i vërtetë. Zëri i Kyçykut guxon të thotë me të lartë ato që projektimi ynë, dëshirat tona pëshpërisin mbase që në lindje, por që i fshihemi, apriori apo jo.
Heroin e ndjek një dashuri e hershme, që kur atëherë kur “në emër të popullit që pat vdekur pa dashuruar sa duhet”, kalëroi atë mëngjes drejt gjimnazit, “duke plasur në mushkëri flluskat e ulërimave të gëzimit”. Edhe më pas kur Gined Enkelana, “i dërguar i posaçëm i të vdekurve të atdheut”, po fejohej.
Pas disa ditësh, - medoemos e shtunë vjeshte, - do ta merrte Inën për krahu dhe do ta gdhinin në hotelin e zotit Shoko Gjoba, në shoqërinë e qirinjve, pijeve të zgjedhura, Portretit, trompetës, librave që kundërmonin era dashuri të fshehura me kujdes, në hallëmadhin shtrat që i priste ç’prej njëzet e kusur vjetësh. Në vend të sekretarit, firmosi zoti Hekuran Skeleti, në vend të kumbarës: zotërinjtë Merre Me Mend dhe Vëlla Hiçi, kurse për konfirmim nënshkruan zonjat Ina Tirana dhe Ariela Enkelana…”. (fq 294)
Si në një lajtmotiv përgjatë gjithë librit përsëriten vargjet:

“Kockat tuaja ç’u mblodhë
Një nga një porsi flori
në qivur të kuq me bojë
do shkruhi në histori...”.

Edhe këtu mund të thuhet se motivi i vdekjes është si një pé lidhës, që nuk trajtohet vetëm në raport me fatin individual dhe raportin shpirtëror, por duket si diçka me rrënjë më të thella dhe e parashtruar apo parashkruar më gjerazi.
Raporti i të ndjerit dhe të jetuarit shihet në proporcion me pasionin, sado i drejtë apo i zhdrejtë qoftë ky. Dhe si përbërës apo thelb i kësaj, këtu përvijohet sërish vdekja.

“Ai pohonte me një puthje symbyllur, sepse ai gjithmonë kishte të drejtë, kishte vetëm të drejtë, ngaqë shumicën e kohës e kishte të drejtë. Sepse ai ‘vetëm kur e kishte ngrehur ishte gjallë’. Rënkoi pa i hapur sytë dhe pati njëfarë frike se mos vithet e hatashme të saj, ato vithe të përkryera që i adhuronte vdekshëm edhe nga bota ëngjëllore mund të vrenjteshin, të egërsoheshin dhe, po të lëshonin ndonjë nga ato krismat e turpshme, ishin në gjendje ta ngjitnin çarçafin për tavani. E kapi një e qeshur me lot, pastaj lotët dhe e qeshura iu thanë, sepse kurmi i nxehtë i së dashurës u zhduk, u bë pluhur, u davarit drejt tavanit, kurse tavani mori trajtën e qiellit. Çarçafi paskësh qënë vetë Vdekja.... (fq. 9)
Meditimi filozofik shfaqet në një mënyrë vërtet shumë të natyrshme dhe organike, ndërsa autori rrëfen i vendosur mes dashurisë, jetës dhe vdekjes në raport me Qiellin. Rrëfimi i tij mund të shihet në këtë mënyrë jo vetëm në përpjestim me jetësimin, simbolikën, përjetimin dhe dashuritë por edhe me mistiken. Gjithë këto trajektore e përfshirje i japin veprës më shumë gjerësi duke e tentuar drejt universales.
“Zemra që aq herë, me shaka, në çaste krenarie mashkullore, i pat kujtuar jastëçkat ku gratë çlodhnin gjilpërat. Duhej të kishte aq vrima ajo zemër, sa tani s’kishe ku ta kapje, s’kishe ku ngulje gjilpërën. Jam i sëmurë, mendoi. Duhej të kisha dashuruar më pak. Më ndryshe. Më mendërisht. Se ja, bujt një ditë Zonja Vdekje edhe për një si unë, dhe Zonjës Vdekje nuk i hedh dot hi syve. Zonjën Vdekje nuk e magjeps dot si Zonjën Jetë, që i do të ndërkryerit si puna ime...”(fq 10)
Autori përpiqet të përvijojë një hero “ndryshe”, të trajtojë personazhin që nuk është pjesë “e turrmës”, megjithatë në të përditshmen e tij, që nuk është e zakonshme dhe “normale”, edhe për shkak të udhëve që vetë personazhi ndërton në mendje dhe me inteligjencën e tij. Të duket sikur gjithë kohës endesh në një atmosferë ireale dhe vetë me vetveten shtron pyetjen nëse personazhi kryesor është një “i gjallë”, apo lëviz në tjetër hapësirë dhe në koordinata të tjera?! Një atmosferë të tillë duket se edhe vetë mendësia e personazhit ndërtuar nga Kyçyku, e përforcon në raportet që ndërton e përshfaq përmes monologjeve, vetrrëfimeve dhe dialogjeve të sjella në kohë si memorje.
Si një lajtmotiv i pandashëm shfaqet “puthja” e ardhur si lutje, dëshirë, pasion, padurim, shpëtim, (n)gushtim etj., përmes fjalëve të të dashurave të tij dhe vetë Ginedit: Më puth!
Letrat e tij të dashurisë, mbi 200 të tilla, të fshehura në librat e Partisë dhe të shokut Enver, që autori i cilëson “letra pushteti të pamarrë”, janë dëshmi dhe dashuri. Dëshirë e largim që mbartin njëkohësisht ironinë, si një motiv të gjetur.
Personazhet të rrëmbejnë në universin e tyre sa tragjik aq komik, duke të bërë t’i shikosh një pjesë të vetvetes në dëshirimet dhe në udhëtimet e tyre (udhëtime që ti vetë mbase i ke bërë, qoftë edhe mendërisht apo në ndjesi).
Vetë përjetimet e autorit shfaqen në formën më të prekshme si një përvojë e pastër dhe e gjallë, që padyshim mund të lidhet drejtpërdrejt me jetën e tij “të mërguar”, në të tërë dimensionet e kësaj fjale. E ndërsa flet për migrimin ai është vërtet një ndjenjë ikjeje jo vetëm në kuptimin fizik, por një “braktisje” e largim “i shenjuar”, brumëzuar me trishtim. Në dëshirën për të lëvizur, për gjetur më mirë, për tu pasuruar…
Dilemat shqiptare, jetët “e përplasura” përherë përtej kufinjve mund të përqafen e paralelizohen realshëm në këtë formë fati njerëzor.
“Për aq sa duhet rreth grave të botës e mbushi me trishtim, ndonëse (ose pikërisht ngaqë) e nisi për hir dhe në emër të aq shqiptarëve që patën ndërruar botë pa parë botë me sy, por edhe si udhëtim nderimi ndaj atyre që e patën pasuruar. Zbuloi se paskësh qënë aq i lumtur dhe i lirë në atdhe, sa vërtet qe lindur për të mos lënë kockat tjetërkund. Po ik për ca kohë, shpalli, po kthehem në anën tjetër. S’ka më Gined Enkelana, rroftë Hekuran Skeleti! Më kërkoni ku të doni: në Romë, në Stokholm, në Athinë, në Bukuresht, në La Valetta, në Jerusalem, por këtu s’jam. Ose më kërkoni në varreza...”. (fq. 242)
Një trishtim njerëzor duket se buron nga brendia vetmitare e njeriut, e megjithatë mbase ky është thelbi i qënies së mërguar. Kjo e bën këtë qënie edhe më përzgjedhëse, edhe më të rrallë, edhe më të dhembshme.
Në këto udhëtime, megjithatë nuk humb kurrë ndjesia e vazhdimësisë (shfaqur së shumti në figurën e femrës). Lidhur me të bukurën, me pasionin që shfaqet edhe instiktivisht (gjysma trupore), edhe materialisht (fakte reale biografike, emra, rrugë).
E mbi të gjitha këto ëndrrat triumfojnë dhe përjeton së brendshmi se në fund të fundit e vetmja që ka vlerë është ndjesia, dashuria.
“Më helmonte më fort fakti që Ina, sipas të gjitha shenjave, ishte edhe më e ngujuar se unë. Ndoshta pikërisht kjo na pengonte të bashkoheshim. Unë isha i dashuruar dhe shpërfillja çdo gjë e qënie që merrte frymë sëprapthi, ajo – bijë e përunjur, e qetë, e epokës së vet, quajtur edhe “epoka jonë e lavdishme”. (fq 164)
Autori i vendos ngjarjet e tij mes Tiranës dhe Pogradecit, dy vende ku ka jetuar vetë për vite me radhë, e që për vetë shpjegimin e detajuar që u bën disa hapësirave dhe ngjarjeve duket se është një libër i lidhur ngushtësisht me jetën e tij reale, me përjetimet e veta e vjen si një rikthim te rrënjët, një rrëfim në thellësinë e vetes.
“Kur xhipi doli në atë verandë natyrore nga ku shihet liqeni dhe shtëpizat e hershme të Enkelanës, kuptova se jam lindur vetëm aty ku ndjehem njësoj zot e skllav i mjerë i Bukurisë. Prandaj isha lindur në Enkelanë – dhe Enkelanë ia vura emrin qytetit tim të lindjes. Isha i lumtur, sepse pushteti vinte e shkonte, kurse skllavëria s’të gënjente, ishte e pafundme, në këtë e n’atë botë”.
“Përjashta kishte rënë shi, ose kishin rënë lotët e mi; renda drejt shkollës, u stërmundova të mos humbja toruan, të mos sosja në oborrin e ish-Çmendinës për fëmijë, nën mimozat verbimtare, as nën poturet e kalit të Skënderbeut, as nën Sahat, as mes kolonave të Pallatit të Kulturës, as në parkun e Liqenit, as në sheshin me akacje e stola guri…” (fq 52).
Pavarësisht, Kyçyku nuk është i ngecur në grackën e autobiografisë apo të deshifrimit të ngushtë. Duke u nisur në kohën e përjetimit të situatave, të momenteve të veta ajo çfarë rrëfen është universale, po aq sa edhe cek dukuri e fakte historike, që trajtojnë çështje e probleme të lirisë me kohën e me pushtetin. Të lirisë me brendinë e njeriut, me dhimbjen e tij.
 “Kuajt ishin aq të mbarë e pa fat, sa nuk parandjenin që po i shtrijnë t’i vrasin. Mund të parandjenin tërmetin, katrahurat, përmbytjet, vdekjen e të zot etj, por nuk ua merrte mendja se ushtarët dhe oficeri ua ndehnin kokat që t’ua shponin. Se edhe kuajt kishin besim të plotë në ushtrinë popullore. Por çdo besimi i mjafton edhe vetëm një plumb, jo më katër. Mote më parë, kur ende secili kishte kalin e vet, po qe se kalit i thyhej këmba, vetë i zoti detyrohej ta vriste dhe e vriste duke qarë, se kali ishte rob i shtëpisë. Mirpo atdheu s’i duronte dot qaramanët dhe i kish zëvendësuar me ushtarë e oficerë. Ishte punë kockash: po të të thyhej kocka, këmba, zemra, plumbi të priste. Se kockat e ca qënieve nuk bëheshin më. Ngjanin me bukën e thyer”. (fq 197)
Vetë ai ka aftësinë të ndodhet në cilin vend të dojë, ku dhe kur të dojë.
Në raportet e thella me veten, me rrëfimin, besimin, në çështje të besimit dhe përtej, ai duket e ka zgjidhur “bastin” me jetën apo vdekjen, për ata që jetimin mund ta shtrojnë si të tillë. Ai përjeton fort e megjithatë personazhi i vet nuk i trembet Vdekjes, çmendjes së papritur, as dallgëve të panikut a ndonjë shtyse për të vrarë veten.
Personazhi i tij nuk i trembet as vetë Hiçit, me të cilin e lidhte një dialog i stërgjatë dhe përherë mahnitës. Porse siç e shënon vetë “Sapo kish zbritur në kohë dhe iu kujtua ç’duhej të bënte dhe pranoi haptas se i trembej vetëm një gjëjë në këtë botë: Harresës” (fq 15).
Në fund të fundit ai që përbën njeriun është “mëkati” dhe Kyçyku trajton çështjen e tij dhe çështje të faljes e pritjes, edhe pse në një mënyrë jo të zakonshme, apo moralizuese, apo (me)moralistike.
“Do të ishte ai i vërteti dhe i vetmi, ai i Portretit, sepse atë të shtunë vjeshte fejohej dhe, në fund të fundit, lindshëm kish të drejtë të mos i përgjigjej askujt, as atij mikut a mikes që mund të gabonte numurin, dhe t’i kushtohej më lirë vetvetes. Vajti u krodh në vaskë dhe u la me një ngadalësi lumturuese, njëlloj sikur të lahej nga mëkatet (ndonëse kjo do ta kish asgjësuar), duke himnizuar gjeninë”. (fq 17).
Pritja sipas tij është thelbi i botës njerëzore, asaj të gjallë dhe asaj të vdekur. “I vdekuri që pret pafundësisht, por edhe të gjallët që bëjnë këtë gjë të vdekurit s’kanë punë tjetër, iu drejtua ai njerëzisë. Mjafton t’u japësh një shkas për ta shtyrë pritjen dhe mund të presin me shekuj..”. E në fakt, as të ashtuquajturit të gjallë, nuk bëjnë ndryshe. E sipas Kyçykut, nuk bëjnë dot ndryshe ngaqë lenë mënjanë çështjes vetë Qiellin. “Ju pandehni se ai pret atje poshtë në qivur, në acar e zagushi, kurse ai endet qiejsh e ngjyrash dhe ndoshta ka harruar përjetë ç’bënte, ç’pati e ç’la këtu poshtë. Se Parajsa është shkallë e harresës së gjithçkaje të ulët e të vdekshme….”.
Në veprën e tij autori Kyçyky trajton ndjesinë e të qënit i përkohshëm si njeri, jo i pavlefshëm si zë, apo si autor. Për të, krijimi letrar është një akt gëzimi, qoftë edhe i daljes sado shkurt nga e tanishmja. Dhe në fund të gjithë kësaj, pavarësisht çdo gjëje, ajo që ia vlen është dashuria.
 “Isha tejet i vetmuar që të më nevojitej përkushtimi, besimi, flijimet e ndokujt. Nuk kisha nevojë për dishepuj, po për dashuri. Shkurt fjala: në atë sallë u betova se jam lindur të dashuroj, të dashurohem, të rri i dashuruar në atë Dashuri, t’i jepem vetëm Dashurisë vetëm me dashurinë, për dashurinë, e të vdes vetëm nga dashuria”. (fq 118)
Vetë autori, në daljet e tij në media, pohon se “nëse ndodh të jesh i mërguar, do të vijë mbi ty një çast i ngrirjes së gjuhës dhe një ndjesi therëse e asgjësë…”, ndërsa shkruan për “gramatikën” e tij të mërgimit, ku sjell ndjesi dhe kujtime, i ndarë mes dy vendesh dhe kohësh.
Në fakt, “ndjesia e asgjësë” duket se prodhon njëlloj krijimtarie e që mbase është më e thellë se sa atëherë kur frymëzimi vjen nga “plotëria me gëzim”.
Megjithatë, ajo çfarë vlen të nënvizohet është se Kyçyku me gjithë simbolikën dhe imagjinatën e thellë, nuk sajon vende e qenie që lexuesi nuk mund t’i ketë. Dhe kjo jo se kur shkruan ka parasysh lexuesin apo veten. Porse rrëfimi vjen si mundësi për të “shkulur” tjetërsimin e shkallëzuar.
Kjo për të është e vetmja mundësi që i falet për të shkulur nga tjetërsimin e shkallëzuar të qënieve dhe gjërave të shtrenjta atë çka duhet ta njohin, - “kur nuk ia dalin mbanë, ose nuk pranojnë ta tretin në vete, - ata që ruajnë Kujtesën”. Është njëfarë mërgimi, por jo me dhembje klishe, i një bote të tërë në letër.
Dashuria me Arielën dhe ritakimi, me të cilin Fati nuk e deshi të martohej (ai kishte dashur të martohej me të gjithë femrat që pat njohur - megjithatë Ariela për të ishte e veçantë) kanë ngjyrën “e dheut”. Ata madje ritakohen në varreza për të nxjerrë nga varri skeletet e prindërve të Arielës e për t’i rivarrosur bashkë në një përmbushje të amanetit të tyre. Takimi ndodh pikërisht në kohën e “fejesës” së personazhit kryesor (autori flet në vetën e parë, si në një ‘rrëfim shpëtimtar’) me Urinë e pangopur që është “rrugëtorja” për tek Vdekja. Ai shenjon fate të rinj dhe rilind pas takimeve me dashuri-vdekje.
“Ishte aq e vetme, sa nuk e prekte më asgjë e rëndomtë. Ndofta edhe zhvarrimin dhe ribashkimin e prindërve i pat porositur jo aq nga ankthi ndaj amanetit që s’e tret dheri, se sa për t’i shtuar jetës një ngjarje sadopak të veçantë, një nga ato ngjarje që mprehin vetminë, të vegojnë sa mund të mbash dhe vetiu të afrojnë më shumë me Zotin”. (fq 33)
Harresa si shpëtim përshfaqet apo ndjehet në disa momente të veprës së tij. Është fundi i pashmangshëm, i ditur. Megjithatë personazhi nuk shkon “qetë” për këtë, porse për njohjen e thellë dhe mirëpranimin.
“Kështu foli hiri im… Foli dhe s’ia varët, kurse mua më rinoi. Keni dëgjuar ndonjëherë për Alzheimer-in? Për atë pushtim të shkallëzuar të harresës, të cilën pothuajse të gjithë e pandehin terr dhe hap drejt skëterrës? Ndonjë cinik nuk harron të shtojë se kush i ka bërë bisht deri tani, s’ka për t’i shpëtuar...” (Kap. III- fq 36).
Vallë pajtimi me fatin është një vdekje e përpiktë, e shkallëzuar qelizash kujtese, apo është një ringjallje qelizash harrese, pa të cilat thahemi si buka e mykur?
Kyçyku do të thotë se “të vdekurit jemi ne – dhe Zoti na mban në shpinë, ashtu siç na mbajnë prindërit në foshnjëri e më pas, siç mbajmë ne fëmijët tanë gjithë jetën, e sidomos siç mbajmë atë pjesë të librave që mund ta kishim shkruar më bukur”.
Personazhet e tij janë “pakica” dhe i tillë është edhe “kalorësi” i “Kisland”.
Çështja e pavarësisë dhe e përgjegjshmërisë duket si lojë fjalësh në një botë, ku, siç pandeh protagonisti i romanit “Kisland”, ndoshta “nuk vjen liria, por vetëm zgjerohet burgu”.
Fati i njeriut në konteksin shoqëror, individualja në kontekstin social dhe të një sistemi shoqëror dhe nën “timonin” e pushtetit e bën librin që në gjuhën e tij të jetë një vepër e mëtuar për përgjithësim në kuptimin e mirë të kësaj fjale, pikërisht prej personazheve të veçantë të saj.
“Nuk e trazoi kush, sepse Amerika qe detyruar ti falte shtetit gjysmën e kamjes që trashëgonte pas çdo bashkëshorti të vdekur. Dhe shteti ishte zemërgjerë kur s’ta priste mendja. Qe i ndershëm si pakkush, nuk ta prekte trashëgiminë dhe të qëndronte pranë, sepse e vidhnin të gjithë. Rrallë gjente shteti një djalë që ishte i ndershëm si puna jote, pa nuhatur se ti ishe i ndershëm ngaqë e kishe mendjen dhe kujtesën në anën krejt tjetër”. (fq 231)
Megjithatë, në fund të gjithçkaje, ajo që ka rëndësi është thelbi dhe e vërteta. Gjithë të tjerat zhduken, të vërtetat shfaqen dhe njeriu dhe jeta del zhveshur në udhëtim me kohën.
“Koha zvogëlonte botën dhe demaskonte lidhjet e padukshme që luanin hijshëm me shpirtrat”. (fq 234).
Ndarja deri në fund të këtij udhëtimi për çdokënd, për çdo qenie njerëzore nuk është një udhëtim pranveror, për më tepër kur detyrohesh të lëvizësh rrënjët drejt një toke “të huaj”. Pesha e lëvizjeve pa rrënjë, e të ikurave bëhet më e rëndë atëherë kur njeriu kupton se rrënjët e tij do të thahen e nuk do të ketë mundësi t’i mbjellë sërish apo të marrë frytet e një fare të re.
 “Po, - ia ktheu Gined Enkelana. Më ka kërcënuar me vdekje pezmi shekullor, padurimi, tërbimi i të qënit gjysma këtej / gjysma andej. Dhe pjekuria, afrimi i pleqërisë, paaftësia për të qënë prindi i dikujt…”.
Autori vjen natyrshëm dhe krijmi i tij nuk shfaqet si lojë e kurdisur, pavarësisht se mund të themi se vepra e tij është ndërtuar mbi një arkitekturë të vërtetë. Kufijtë mes të dukshmeve dhe të padukshmeve në veprën e Kyçykut janë pothuajse të tretur.
Pavarësisht caktimit të vendeve ku autori vendos ngjarjet duket sikur hapësirat që ai sjell nuk janë dhe aq të ndara nga njëra-tjetra dhe ai rindërton gati-gati mbi një hapësirë globale.
Gjithë vepra e tij duket se flet me gjuhën e kockave të mbledhura. Ai flet me gjuhën e të mërguarve që iu është dashur të enden dëshpërimisht nga një strehë në tjetrën. Ndaj, si natyrshëm në gjendje të tilla, gjëja e parë që bën njeriu (Ginedi - Hekuran Skeleti e me radhë) është përthithja e kujtimeve të çmuara rreth vetes, qofshin të dukshme a të padukshme, renditja e tyre, mbështjellja me fjalë, ose me heshtje, madje edhe përjetësimi i tyre deri në ndërrimin e banesës.
“As forca e thashethemeve nuk ishte më si njëherë-e-një-kohë. Atëhere mund të mësoje pothuajse gjithçka për gjithkënd, - kujt ia fut filani, kush ia fut filanes etj, - me një saktësi që e ndihmonte gjithkëndin të gjente një strofkë shpirtërore ku të jetonte ashtu siç e dinte vetëm ai. Tani secili qe rrasur në vete si ndonjë burgaxhi në kuvlinë e vet dhe s’pyeste për jetën e askujt. Kjo është skizma e vërtetë, tha tek afronte trompetën drejt buzëve. - Puthmë, - i qeshi trompetës”. (fq 256)
Përballë pasionit dhe puthjes megjithatë në jetë ka një udhëtar simotër që është heshtja e lëbyrtë, e dy shpirtrave jo dhe aq të ngjashëm, por që pranojnë njëri-tjetrin, jo aq prej thellësisë e harmonisë së natyrshme. Porse se njëri e plastelinon me butësi shpirtin e braktisur, duke e përdorur me ëmbëlsi nën rrotën e së përditshmes, të zakonshmes dhe të rëndomtës. Për një shpirt që synon hovet vërtesore nuk ka më vrastare se sa kjo zakonshmëri e shpirtrave të vegjël të frymuar në kompromise e komformitete.
E tillë është dhe njohja e marrëdhënia e Inës me shoferin e qytetit.
 “Në dy muaj heshtjesh të përbashkëta, si në qosh të një strehimi nëntokësor, si në pritje të një bombardimi që vonohet, mjaftuan që ajo të vidhte vesin e plastelinës: bëhej si ta bëje. Atëbotë kish kuptuar sa të rrezikshëm ishin këta njerëzit tanë, njerëzit e zakonshëm, këta fatlumët binjakë shpirtërorë të atyre që mbledhin stolitë e të vdekurve në një”. (fq 333)
Me gjithë këtë njeriu mbetet përherë një qenie e pakënaqur, e paplotësuar në tërinë e saj, pa cekur kurrë fundin e skajet më të mundshme, pasi gjithmonë do të shtyhet në skaje e dhimbje të reja.
“Por a ishte një kulm lumturie kur ndokush ta kuptonte shpirtin?! Pse turreshim të gjithë e qurraviteshim që askush s’na kupton si duhet, sa duhet, kur e ku duhet?! Po sikur ai kuptim të ishte vetë ferri? Shpirti s’kishte paqe kur e kuptonin. Ai mund të kishte paqe vetëm kur ndiqej të kuptohej nga dikush dhe bëhej gjithnjë e më i pakuptueshëm. Sepse i pakuptueshëm shqipërohej vërtet i gjallë... Hoxha dhe prifti”. (fq 344).
Të duket se tej e tej, libri përshkohet nga një frymë mistike, një frymë mistike legjendash e gjuhë përtejsore, që asesi mbetet shqiptare.
“Është mirë, shpirt, është vërtet mirë, i thoshte Bajlozi nga larg. Do të mbetemi kështu, nyjëtuar si shpirtra siamezë: kjo dashuri e fshehtë, ne të tre dhe Ai që e shkroi”. (fq 348)
Ideja e vazhdimësisë jepet në të njëjtën linjë, edhe si shpresë përtëritëse që shfaqet herë pas here. Një vazhdimësi që vjen edhe përmes të të shkruarit, si një mbarsje që vjen edhe në trajtën e gërmave. Fryma është ajo që nis dhe përmbyll në këtë kuptim.
“Puthmë, skelet, - shqiptoi vetiu, dhe afroi kokën, që edhe fëmija i Portretit, ndoshta djali i tij i ardhshëm, ta puthte. Je për mua si ai shenjtori që puthi leprozin... Puthmë, skelet?! Kjo shprehje mund të bëhet një ditë libër, shtoi....”. (fq 350)
Në fund kupton se e gjithë vepra në fakt nuk është për të shpëtuar rrënjët, as për të shpëtuar prej harrimit, porse, për të përsëritur për të disatën herë, një vallëzim me dashurinë, një krijim që në qendër ka dashurinë dhe vetë autori e nënvizon këtë në libër.
“Tani po rri symbyllur, siç më ndodh shpesh, dhe po i kumtoj shkrimtarit që të mos e nisë romanin tonë me ndonjë vdekje, vrasje etj, se ashtu nisin të gjithë librat që duan të mposhtin harrimin. Jo, le ta nisë me një zhvarrim. Me dy ish bashkëshortë që janë dashuruar çdo ditë e më shumë, më thellë, më hyjnisht. Pastaj shohim e bëjmë. Nën titull, të gdhendë shënimin ‘Të gjitha ngjashmëritë janë të rastit’, ose ‘Asnjë ngjashmëri nuk është e rastit’…”(fq 358)
Ndërsa vëren se të dyja kopjet duhet të jenë rreptësisht, madje mrekullisht të barasvlershme e njëra të paktën, duhet të mbërrijë në bibliotekën e dashur të lagjes autori duket se “zbulohet” më në fund se heroi i këtij romani është vetë ai. Kështu, ballina e librit është disi e veçantë, “njëfarë flamuri i Zonës së Dashurisë”. Lart e poshtë përshkuhet nga një shirit i verdhë (si floriri, dashuria, e gjalla etj), në mes: një shirit i zi (vdekja, dija, mposhtja e zjarrmive të errëta të trupit, të themi) dhe në qendër të zisë: një qiri i rrallë nga ata me dy fitila, tek digjet si me buzëqeshje. “Flaka mund t’i ngjajë një dhëmballe, se dashuria e vërtetë është e rrezikshme edhe sikur vetëm një dhëmb t’i mbetet në gojë. Kam pasur fatin ta gjej qiririn tonë dhe ta fotografoj”, shkruan në libër Kyçyku, ndërsa më vonë vëren se thotë se këto të gjitha i kam parë në ëndërr, “mirëpo e gjithë jeta, sidomos gjërat dhe qëniet më të shtrenjta na bëhen ëndrra me kalimin e kohës”.
“Atëhere pse një copëzë ëndërr të mos na bëhet jetë e mirëfilltë, e vërtetë?! Në filmin tim gjërat kanë rrjedhur siç do të t’i rrëfej. Zëre se unë jam një shkrimtar, kurse Gined Enkelana – heroi i një romanit tim me dashuri. Në fakt, Ginedi vërtet është heroi im. Edhe në romanin Kisland mbajmë pseudonime. As ti s’ke emrin e vërtetë, por quhesh Ina. Lus Zotin që dallimi mes dashurisë ashtu siç ka qënë dhe dashurisë ashtu siç është shkruar të mos jetë më i madh se ndryshimet që pëson një shpirt kur jeton me emrin e vërtetë dhe me pseudonim. bënë të ditur jo pa trishtim se çiftet nuk shkelnin më asaj ane. Ngujoheshin nëpër motele e hotele e shtëpira të posaçme dhe përpusheshin atje, pa ditur se ne, tek i përgjonim, jo vetëm u merrnim falas nga pak magji, por edhe i mbronim nga syri i keq. Se kishim vdekur para kohe”. (fq 358)
Në një përballje të gjallë e të natyrshme, Kyçyku vë afër jetën dhe vdekjen në pikëlidhje me dashurinë, e cila bëhet boshti dhe qendëresa e gjithçkaje. Ndërsa përsiatet me dëshirën për të harruar, (“Ideja ishte që, para kthimit në botën tjetër, nja një muaj para (muaj mjalti a nektari hyjnor, tha) ta pajiste Hyu me një zgjidhje nga ajo që njerëzia i patën vënë pseudonimin Alzheimer. Do ta gjente ai atë zgjidhje, prandaj edhe hyri në bisedë me sëmundjen. Lermë pa gërditur qoftë edhe vetëm një grimcë nga kjo dashuri, tha. Ose lermë vetëm shqipen time. Edhe po s’ma diti njeri tjetër, ti lerma. Merrma emrin, pseudonimet, metaforat, fuqitë, ëndrrat, fytyrat e dashura dhe aromat, por shqipen time mos e ngacmo, ose qoftë edhe një grimë nga kjo dashuri. Do t’i kem në vend të pikës nga ku do të mund ta ngjall krejt dashurinë, ose shqipen time kapitulli X?????, fq 362), autori e kërkon vdekjen të ëmbël apo të rrëmbyeshme, megjithatë “të gjaktë” (puthje, plumb). Dhe paralelshëm me të, përjeton kohën më të kulmuar të dashurisë.
“Pastaj, si puthja a si plumbi, të vijë të më marrë zonja Vdekje. Dhe të shoh si në kinemanë time më të dashur, si në film, kohërat kur isha i dashuruar, i njomë dhe i paprishur, gjysma shpirt / gjysma dashuri, gjysma unë / gjysma ajo....”. (fq 362).
Kyçyku, pavarësisht dhembjes, pavarësisht vallëzimit me vdekjen beson te lumturia e së shumti te lindjet e reja.
“Aty heshtja ishte edhe ajo pseudonim i mbase vetë Jetës, dhe atij iu kujtua dijetari Nikodim që pat pyetur: Po si mund të lindet njeriu kur është plak? A mund të hyjë ai për sëdyti në barkun e nënës së vet dhe të lindet?... ....Ç`ka lindur nga mishi është mish; por ç`ka lindur nga Fryma është frymë. Mos u mrekullo që të thashë: ‘Duhet të lindni sërish’. Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por ti nuk e di nga vjen, as ku po shkon; kështu është edhe çdo njeri që ka lindur nga Fryma”. (fq 366)
Dhe kodi që mbart këtë lindje fshihet te kujtesa. Te lindjet përtej mishtores e që mëtojnë thellësinë. Tek ato të vërtetat që në thelb kanë frymën.
“Po kthehem në Kujtesë. Kam jetuar aq gjatë në harresën e shumicës, saqë s’e kam të vështirë të mbyllem në Kujtesë. Kërkomëni ku të doni, po jo gjëkundi tjetër” (fq 366)
Për sa i përket estetikës kompozicionale, romani i Kyçykut është ndërtuar sipas parimeve të një leximi shumënivelësh dhe të paralelshëm. Një ngjarje “bosht” dashurie, rreth së cilës vërtiten dhjetëra ngjarje të tjera, jo më pak të rëndëisshme, një personazh “kryesor”, i cili është njëkohësisht i shumëpersonazhshëm në emra e botë të përmbysura e të rikrijuara. Në realitet e në imagjinatë. Siç vëren studiuesi Ragip Sylaj, Ardian-Christian Kyçyku është mjeshtër i rrëfimit. “Motivet e ritmeve të gulçuara të jetës nën diktaturën komuniste janë preokupim i këtij autori për ta strukturuar ngrehinën e tij artistike. Por, ajo që është me rëndësi parësore për veprën e këtij autori në materializimin e tyre është origjinaliteti estetik... Në faqet e librave të lidhur stilistikisht është shtrirë harta shpirtërore e narratorit, ku janë vënë piketat që e ndajnë fushën e së bukurës e të së shëmtuarës, mbi të cilën identifikohet filozofia poetike, si filozofi e ekzistencës”. (Ragip Sylaj, “Estetika e misterit”).

Ardian Kyçyku është një mjeshtër i metaforës. Libri vetë ngjan me një metaforë të madhe me një mënyrë letrare plot finesë e thellësi psikanalitike. Stili i Kyçykut vjen me vërtetësinë e metaperceptimit, si një depërtim ku bashkohet fort edhe intuita, më i thellë mbase edhe se psikanaliza.