Roman i groteskut të mërgimit dhe i risive estetike

ANTON ÇEFA


Autorin e romanit “Home”, - një grotesk origjinal në disa rrafshe krijuese estetike - e ka shqetësuar vazhdimisht, në esetë e tij teorike si dhe në krijimtarinë letrare, çështja e emigrimit. Në njërën nga esetë, ka shkruar: “Mërgimi është mallkim, ndëshkim, është vetmi metafizike në verbanen fushë a strofull a shkreti të Urës së Qabesë – urë që rri pezull mes një jete, së cilës i ka shterur uji, dhe një jete ku uji nuk është zbuluar ende. Dhe kush ik, vdes.” Kohët e fundit, këtë problem ai e ka bërë temë dhe subjekt të romanit “Home”. 1).
Protagonisti i romanit, Home Çkena, është një mërgimtar i dyfishtë. Qysh në moshën më të re, e kishin detyruar të zbriste nga malet. Në ditët e para në qytet, djali i paemër i bjeshkëve pat zbritur në fushën para pallatit, . . . të ndante me ta (me fëmijët e lagjes, sqarimi im, A. Ç.), një grusht fjalësh, që sapo i kish mësuar, . . . E që të dukej sa më pak i huaj, . . . , me atë zërin e rrallë, lindur për këngë të gjata kreshnikësh, pat përshëndetur “Ho me, ç’kena ?”. Dhe ia kishin krisur të gjithë të qeshurës . . . dhe kish qeshur edhe ai bashkë me ta, . . . dhe kish qarë pastaj i vetëm . . . duke kuptuar se pat zbritur të ndante me ta një grusht fjalësh të sapo mësuara, foshnjarake, dhe qe kthyer në vetminë e vet pa ato fjalë, por me një emër. Që atë ditë, atë e patën thirrur Home Çkena.”. Mërgimi është humbje dhe drama e humbjes fillon me humbjen e emrit.
Pastaj për Home Çkenën erdhi mërgimi i dytë, tani largimi nga atdheu, duke kapërcyër kufirin fshehurazi me pasaportën e një të vdekuri, mes plumbave që fishkëllenin. Atje nuk do t’i humbte vetëm emri. Do t’i humbte vetja: “Treqind shpirtna n’trup me i pasë…”. Sepse, “çdonjëri prej nesh (është fjala për grupin e mërgimtarëve, që përbën në roman një personazh kolektiv, të papërcaktuar) mund të betohej se nuk ishim kaherë njerëz, shqiptarë me mish e eshtra, emra të flakur vorbullave të mërgatës, po shpirtra. Ose shpikje.”.
Tek “Home” na shpërfaqet drama e mërgimtit në periudhën e diktaturës dhe pas asaj periudhe, dramë më tragjike se ajo e humbjes së identitetit etnik, ajo e humbjes së identitetit njerëzor, e harrimit të plotë, e mohimit më të skajshëm, e asgjësimit. Mërgimtari humb çdo lidhje; ai nuk i takon askujt. “Këmbët e mia nuk mbajnë erë”, . . . thotë Home Çkena me stilin sentencioz që e karakterizon, . . . “sepse nuk kanë më rrënjë”. Dhe më përtej, ai nuk i takon as vetes: “E ç’ të duhet jeta ndonjëherë?! , thotë në një rast tjetër Home Çkena, “Ata që kishe në atdhe kanë vdekur, ndërsa ti je mëse i vdekur për të gjithë ata që kanë ngelur atje . . . Je si ndonjë shpikje…” . Dhe në një rast tjetër: “Jo, jooo, s’jam këtu, s’jam atje, s’ja-a-a-am!” .

Home Çkena dikur kishte ëndërruar të ndërtonte “Kullën” e tij, të martohej me Suzin e tij të dashur dhe të krijonte familjen e tij, të trashëgohej; kish ëndërruar të kthehej në atdhe dhe, me djersën e derdhur rrugëve të botës, të ndërtonte edhe një vilë pushimi në Tiranë. Dhe, mbi të gjitha, nuk pat dashur të groposej në dhé të huaj. “Flinte i veshur edhe nga prirja e vetishme për t’ia mbathur. Si të gjithë ne (mërgimtarët, shënimi im, A. Ç.), edhe Home Çkena rronte përgjysmë, i përvëluar që t’ia mbathte një sahat e më parë nga shtrati ku dergjej”.
Pas vrasjes së Home Çkenës, të pafuqishëm të pranojë se ai qe një vegim a një shpikje, grupi i emigrantëve, që vihet në rolin e rrëfimtarit, bën përpjekje të parreshtura për të grumbulluar të dhëna rreth jetës dhe vdekjes së tij dhe, mbasi takimet me njerëz e personalitete të institucioneve të ndryshme në mërgim e në atdhe nuk japin fryt, përpilon një anketë, më së tepërmi, i sugjeruar nga një bibliotekare, e cila i kishte thënë se pat dëgjuar se në një roman, që ishte ende në dorëshkrim, gjenden të dhëna për Home Çkenën. Romani nuk u gjet, por grupi i mërgimtarëve mësoi, “si nëpër mjegull” se autori kishte ngrënë faqen e fundit të dorëshkrimit, e cila paskësh qenë një pyetësor “i një lloji të veçantë”. Kështu grupi i emigrantëve harton një pyetësor “të ngjashëm” me atë të dorëshkrimit dhe u jep porosi lexuesve të plotësojnë “Anketën që s’është mbyllur” dhe mbasi ta nënshkruajnë, ta mbledhin shuk e ta hanë “me qëllim që të bëhet pjesë e gjakut, ose e eshtrave të tyre”.

* * *
           
Qysh në citimet e shënuara nën titullin e romanit (në faqen e brendshme), të nxjerra jo pa qëllim nga Cikli i Kangëve të Kreshnikëve, prej trojeve të të cilit vjen vetë protagonisti i romanit, lexuesi parapërgatitet për të rrokur mesazhin e vepres: “Edhe treqind shpirtna n’trup me i pasë . . . ”, atij, mërgimtarit Home Çkena, nuk do t’i mbetej asnjë, dhe deri tek epilogu, që përmendëm më lart, i gjithë teksti dhe nënteksti i veprës, nëpërmjet shumë risive estetike, bëhet dukuri artistike që duhet përjetuar e zbuluar nga lexuesi. Kështu, “Home” bëhet për letërsinë tonë shembull i një vepre narrative, që, duke i dhënë një dimension të skajshëm estetikës receptive të H. R. Jauss-it (kujto interpretimet e tij për “Horizontet e pritjes”) dhe të V. Isser-it (kujto mendimet e tij për plotësimin e “vendeve të zbrazura”) realizon me mjeshtëri struktura artistike për një lexues aktiv, të kulturuar dhe të pajisur me përvojë të pasur estetike.
Jo rralllë, duke ecur nëpër shtigje të tilla estetike, sa të larmishme aq novatore, lexuesi tërhiqet drejt problemeve jetësore kardinale, trajton dilemat e qenësisë së tij dhe e vë lexuesin në prag të reflektimeve. Nëpërmjet kalimeve të atypëratyshme nga realitetet jetësore në realitete fiktive, krijohet rasti për interpretime të karakterit metafizik, çka ai e realizon me një mjeshtëri të vërtetë artistike dhe me një hollësi gjykimi për t’u admiruar. Ai vetë pohon në roman: “Si të gjithë ne, mes dyshimit se shpirti mund të jetë gjer edhe një fije mosbesimi: që filan gjë, një aromë, një ngjarje, një gjest, apo edhe vetë Vdekja janë thërrime të një ëndrre, të një filmi – dhe se, falë krisjes që hap në jetë e në kujtesë mërgimi, njeriu mund të kërcejë nga filmi tek e vërteta, ose nga pjesa filmike e së vërtetës në trojet e vërteta të filmit . . .”

* * *

Duke shtjelluar dramën e emigracionit, apo, për ta thënë më saktë, të ikjes nga atdheu, që ndodhi në periudhën e diktaturës dhe mbasi u rrëzua ajo, dhe sidomos pasojat e tij, autori ka hapur shtigje për të na dhënë hollësi nga më të ndryshmet për jetën e popullit tonë në kohën e regjimit komunist dhe në këtë periudhë që në e quajmë “tranzicion”.
Drama e mërgimit është e dyfishtë: ajo rëndon jetën e mërgimtarit dhe po aq edhe të atdheut, i cili është bërë dhe bëhet shkak që shqiptari të detyrohet ta braktisë, duke shpresuar një jetë më të qetë shpirtërisht dhe më të begatshme ekonomikisht. Atdheu është shndërruar nënjë truall ku vrasësit as që ndjenin se po vrasin, kurse ata që vriteshin s’kishin si t’ia merrnin për keq ndokujt”. Ose: “ashtu si shumica dërrmuese e gjërave dhe e qenieve të kësaj bote, edhe çmimi i arsyeve për të vrarë dikë, kishte rënë.” “Kur nëna të hedh si me qenë kopil, ose kur mbetesh kopil nga që nëna ka vdekur – arsyeton Home, duke bërë aluzion për atdheun, - duhet të përshtatesh me kushtet e reja .” Emigrantët, të tëhuajtur nga atdheu dhe të zhgënjyer nga mërgimi, “patën besuar, shpresuar, se një kohë e mbrapshtë përthith e tret të gjitha vuajtjet, zhgënjimet dhe llahtarat e mundshme, duke lënë pas vetes vetëm paqe dhe jo rrallë lumturi. Mirpo koha e mbrapshtë që iu ra të përballnin, pat thithur njëherazi me llahtaret, zhgënjimet, vuajtjet, etj., edhe copëza paqeje, lumturie, ëndrrash fëminore, domethënë jetë. Prandaj para syve të tyre hapej e babëzitur goja e vetë Hiçit.
Duke ironizuar interesimin e politikës në atdhe për bijtë e mërguar, Home Çkena iu drejtohej shokëve: “Hajde, çuna, se do vijë e djathta në fuqi dhe s’do na harrojë. E djathta s’harron askënd. Hajde, çuna, se do vijë e majta në fuqi dhe s’do na harrojë. E majta s’harron askënd. Hajde, çuna, se do vijë qendra në pushtet, do vijë rrethina, do vijë katrori, rrethi, koni…”.
Me një metaforë të zgjedhur shpërfaqet mërgimi si një ciklon që merr me vete kë të mundet dhe nuk ka të ngopur: “Një zhurmë brofi nga bronket e kryeqytetit dhe u dynd mbi e mes ngrehinave, u rrotullua, u bukos, mbeti me barrë, u mufat, u rrit si ndonjë bukë e stërmadhe me qiqra, gjersa shpërtheu e lindi tinguj të çuditshëm, deri sa u shndërrua në kujë zogu, qeni a kafshe pa emër, por mbase edhe kujë orteku e, më pas, u bë ciklon i padukshëm që s’para njihte emra, mbiemra, gërma e numra . . . Cikloni nxirrte, ose shpikte, një tjetër lloj oshëtime, fishkëllime, vringëllime: - I-i-i-i-jjj! . . . Na rrëmbeu nga tryeza, . . . na ngriti pezull, . . . na endi nga një krahinë ajri në tjetrën, nga një shtëllungë tymi në tjetrën, na hipi lart e na rroposi poshtë, . . . dhe asnjëri nga ne nuk e mori vesh nga na erdhi shqipërimi i asaj kuje, që nuk rreshti së ngjethuri shpirtra me atë “Duam biiij, duam biiij!
Problemi i emigracionit nuk është i ri në letërsinë tonë. E reja në romanin e Kyçykut sendërtohet në zbulimin e “anës tjetër të pasqyrës”, në një këndvështrim krejt të ri të këtij problemi, në absurdin e mërgimit që njëmendëson shkëputjen e të gjitha lidhjeve me atdheun dhe humbjen e vetë atdheut, çka e mundon protagonistin e romanit dhe gjithë grupin e mërgimtarëve: “Na endeshin rreth kokash, si ca aureola të copëtuara më dysh, në trajtë gjysmash hëne, pikëpyetjet e kahershme të Home Çkenës, etja për të gjetur se si bëhet jeta kur humbim një vend ku duam të kthehemi; një vend ku s’kthehemi dot as tani e as më; kur humbim një vend ku s’duam të kthehemi . . . Mungesa e përgjigjeve ishte, sipas tij, edhe sprova e madhe e mërgimit: synoje një hapësirë që s’të përkiste më dhe së cilës i përkisje qysh nga lindja . . .”.

* * *
           
Më tërheq interesi estetik të them dy fjalë edhe për stilin si tipar i shprehjes gjuhësore, që formësohet nga personaliteti letrar i autorit dhe që pasqyron këndvështrimin filozofik të jetës e të botës, kulturën dhe vetë psikologjinë e tij. Në këto hulli, mendoj unë, duhet kuptuar sentenca proverbiale e Buffon-it “Stili është njeriu”. Njeriu si kulturë, si talent, si etje për ta njohur e dëshmuar të vërtetën, të mirën dhe të bukurën, dhe njeriu si nerv psikik, që nuk duron padrejtësinë, të keqen, të ultën; por vuan, reagon e revoltohet ndaj tyre.
Duke shtjelluar absurdin në dramën e mërgimit, stili, në përgjithësi ironik, në përputhje më përmbajtjen e romanit, vezullon me reflektime filozofike e ndriçime psikologjike, që shpesh u japin frazave dhe fjalive natyrën sentencioze, fraza që e shprehin dhe nuk e shprehin të plotë mendimin, a e “zbulojnë duke e mbuluar”.
Do t’i quaja “shprehje të përmbysyra” disa ndërtime frazash që njëmendësojnë gjykime që aty për aty kundërshtojnë njëri-tjetrin, duke i dhënë një hijeshi të veçantë shprehjeje tekstit artistik. Një shembull: “Mbase gjuha juaj amtare, ose thjeshtë kujtesa, kanë nevojë për pak lëng të hidhur letrash të ëmbla, apo për pak lëng të ëmbël letrash të hidhura”. Herë të tjera, duke kaluar ndërtimi, më së tepërmi parataksik, nga nja situatë në tjetrën njëmendësohen brenda frazave kapërcime të befasishme me shumë efekt psikologjik: “Ne e kemi mbajtur në krahë, e kemi prekur, i kemi puthur ballin para se ta mbështillnim me qefín, ne kemi qenë në autopsinë e tij (si me thënë: në ditëlindjen, dasmën, etj.)”. Ose “Kishim kryer çdo veprim me sigurinë e ca kukullave të kurdisura nga një kukull e kurdisur mjeshtërisht, thua se e prisnim prishjen e tij; larg qoftë: mezi e prisnim.
Veçoritë gjuhësore të stilit që, duke synuar një trase ironike, marrin ngjyrimet më të ndryshme të komicitetit, sarkazmës, ekzagjerimit, licenciozitetit, etj., përkapen fuqishëm edhe në leksik. Ambasadorin tonë në mërgim, për të cilin bashkatdhetarët janë “debila”, “dhi të zeza”, autori e quan “shkëlqezi” dhe për “dhitë e zeza” thotë “nuk ishin dhi kuq e zi”. Aty-këtu, nëpërmjet lojërave të fjalëve dëshmohen situata, gjykime, etj. me shumë vlerë: “Bota po përmbysej, sipas bacës, kjo dukej sheshit qoftë edhe përmes një fjale: Mikpritja ishtë bërë Mik-pritë”.
E pasurojnë dhe i japin larmi stilit përshkrimet e natyrës dhe sidomos të gjendjeve shpirtërore, më një hijeshi të rrallë artistike, p. sh., “…Kishim dalë të gjithë në breg të detit, para një dielli që ulej mbi horizont si saç i portokalltë, me prush nga ai i fëminive tona, duke zhgarravitur ëmbël hijet e anijeve dhe të zogjve të vonuar . . .”.
Me një bukuri të rrallë, ngarkesë emocionale e filozofike njëheri, jepen momentet e vdekjes së protagonistit: “Ne dëgjuam vetëm krismën. Një e vetme. Dhe nuk qe krismë nga ato të stërnjohurat. Ishte më fort si një kollitje, si dalje e një fjolle të trashë tymi nga bronket. Ndoshta e atillë ishte jeta brenda njeriut: një fjollë tymi, krejt e ndryshme nga pjesa tjetër e ajrit, e dritës dhe e territ, një fjollë të cilën gjithçka synonte ta shkulte nga trupi, ose të paktën ta joshte, ta mashtronte për të dalë jashtë, e pastaj ta përpinte sa hap e mbyll sytë, sa hap e mbyll jetë... Fjolla e Home Çkenës u thith vetëtimthi nga jeta që rrinte jashtë në pritë mbase qysh nga ditëlindja e tij, dhe ai kuptoi se fjolla nuk ishte shpirti. Ai farë sfungjeri vigan dhe i babëzitur (jeta) nuk e kapërdinte dot shpirtin dhe, për këtë shkak, gjithçka që përpinte e pandehte shpirt . . . I vrari e kuptoi se fjolla që sapo e pat braktisur u përzje me tingujt e mprehtë e paqtues të këmbanave dhe me vajtimin e erës. Këmbanat dhe kuja duket sikur u grindën mesveti se cila të qante a të kumbonte më fort për mërgimtarin dyzetvjeçar, që do të vdiste dy herë jetim: pa tokë dhe pa lënë trashëgimtar . . . S’ia pat marrë mendja kurrë se një fjollë e vetme mund të dëbonte, ose të mbante të rrënjosur në trup të njeriut aq helm dhe ëmbëlsi të papërsëritshme”.
Bota e personazheve ka dallojat e veta, duke iu përputhur absurdit e groteskut. Protagonisti na paraqitet si personazh real, punëtor me kulturë, që vendos marrëdhënie të vetëdijshme me dukuritë jetësore, njerëzit, situatat, ngjarjet, filozofinë, moralin, politikën, kulturën, ekonominë, deri tek raportet me Zotin dhe Hiçin; por edhe si personazh fantastik, bile edhe si i vdekur që “jo rrallë dilte nga trupi”, ose bisedonte e luante letrash në përtejbotën me mjekun e vdekur, që i kishte bërë autopsinë. Më përtej, ekzistenca e tij luhatet: njeri i gjallë - shpikje, ose shpikje - njeri i gjallë.
Një mori personazhesh episodikë i takojnë kësaj jetë dhe të përtejmes, po edhe as të kësaj, as të asaj, por të krijuara nga fantazia. Disa sende të rëndomta si Çelësi, Kulla, Martina, Plumbi, si në përralla, kryejnë veprime nga më të të ndryshmet. Ato dalin në më se një rrafsh të simbolikës, a edhe jashtë çdo simbolike. Çelësi “mund të gjente Kullën e ndërtuar me aq stërmundime nga Home Çkena, ta pushtonte, të sajonte ca dokumente, t’i mbushte me vula e firma dhe ta merrte trashëgim për jetë”, ose edhe “të shqyrtonte varrezat”, por që “nuk mund të hapte dyert që hap miqësia e leku”; Martina “nuk qe grua, ndonëse shpesh qe më e gjallë se çdo grua dhe mund të shtrydhte lotët e një breznie grash sikur të ishin shami”.
Si për të na kujtuar Rablenë që e pati lindur Pantagryelin nga veshi i së ëmës, a Kafkën që e shndërron personazhin kryesor të romanit “Metamorfoza”, Grigor Samsën, në një insekt gjigant; në romanin e Kyçykut, “Djali i Home Çkenës, që s’e pat ngjizur dot me asnjërën nga të dashurat e jetës, pat zbuluar brenda të atit atë permasë nëne . . . dhe qe dyndur të lindej si kurrndonjëherë: nga fallusi”, por nuk u lind asnjëherë dhe as gjatë autopsisë.
Për kohën e diktaturës, Baca (i ati i Home Çkenës), me urtinë e peshuar të maleve, kish thënë disa herë: “Kësaj jete i mungonte lëngu i tretë, ai kryesori, se gjaku e loti nuk ia lehtësokëshin dot shpirtin njeriut.”. “Është një pikëz dashurie falas”, ky lëng i tretë, që shëron shpirtrat dhe mundëson paqen dhe begatinë. Mesazhi më sublim që letërsia mund t’i japë atdheut dhe popullit tonë sot e përgjithmonë është kjo pikëz dashurie e dhënë falas.

1). A.-Ch. Kyçyku, “Muret e dyfishtë”, Revista HAEMUS, Nr. 2-3 / 1999.