"Perlat, koha, thonjëzat..." - Bisedë


Ardianë Pajaziti:“Perla”, është libri juaj që u vlerësua nga shteti shqiptar dhe u nderua me Çmimin “Penda e Argjendtë”, për kategorinë e tregimit, dhe këtë vendim ju e mësuat përderisa vazhdoni punën në Bukuresht, e babai juaj ishte prezent për ta pranuar Çmimin. Nuk e prisje Çmimin që nuk e more mundin të jesh i pranishëm atje, apo thjesht nuk e pe të udhës që të shkoje?

Ardian-Christian Kyçyku: Disa nga librat e mi më të rëndësishëm ndodhen prej vitesh në Tiranë. Im atë është lexuesi i parë i të gjitha shkrimeve të mia. Në këtë këndvështrim, mungesa ime ishte e papërfillshme.

Me librin “Perla”, ti ishe i nominuar, që do të thotë nuk aplikove, por të përzgjodhën; po të ishte ndryshe, a do të aplikoje?

- Ështe në nderin e jurisë që e zgjodhi librin, si edhe në nderin tim. Pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e autorit në këto gjëra më duket e pavend, si përçapje për të ngrënë bukën e tjetrit.

Dhe ky libër doli të jetë më perlë se sa perlat, pasi shënoi një rikthim të vëmendjes së shtetit shqiptar karshi letrave të tua. I vlerëson si të vonuar? 

- Unë kam qenë duke shkruar dhe nuk e kam zakon t’i shoh ngjarjet sipas çiftit shteti - autori. Vëmendja ka qenë e vazhdueshme dhe në rritje, por njerëz ose qarqe kalimtare e shprehnin me mospërfillje të shtirur. Vërtet ndonjëherë, si doktor në letërsi të krahasuar, më është dukur e ulët që të heshtet zyrtarisht ndaj librash si Mortët, Nata pas vitit zero, Home, Sy, Engjëjt e tepërt, zv.Libri, Puthmë skelet etj, por janë me qindra esetë dhe artikujt e shkruar për ta. Nga ana tjetër, fjala e atyre që heshtin kur duhet folur, me kohë e humb vlerën, ndoshta ngaqë bartësit e saj mbeten në njëfarë perpetum harakiri të ndërgjegjes.

Kur ishte Çmimi i Parë nga shteti shqiptar, që po pasohet nga ky i freskëti? 

Më është dhënë një çmim edhe në vitin 1989, për romanin „Triumfi i Proteut”. Kalova disa ditënetë ankthi atëhere, sepse njëri nga anëtarët e jurisë, që quhej Demokrat, qe ngritur e kish ulërirë: „Po ky është jashtë normave të realizmit socialist, more; si t’i dhënkemi Çmim Kombëtar?! Ky do rrasur brenda”. Bëra atëhere një shaka, që ishte gjithaq e rrezikshme sa edhe romani: Po doli se jam brenda, do mbetem jashtë; po doli se jam jashtë, do bie brenda. Gjërat ecën mbarë dhe tani, pas gati çerek shekulli, jam jashtë kufijve zyrtarë, jashtë realizmit socialist, por brenda Letërsisë.

Dhe prej atëherë, tituj të shumtë janë botuar nga ju, të cilët janë vlerësuar nga popuj e kritikë të huaj, por jo edhe nga ata shqiptarë. Padyshim se duhet të keni një mendim për këtë, pse gjithë kjo distancë: se populli shqiptar ka një shije më të hollë, apo se i duhet kohë për të kuptuar të bukurën?

Dëshmitë e botuara thonë të kundërtën. Pak autorë të tjerë, jo vetëm në shqip, kanë pasur e kanë vlerësime të ngjashme ndaj librave. Të mos e ngatërrojmë kritikën zyrtare me atë të gjallën, e as lexuesin e zgjedhur me shijet që sundojnë shoqërinë e një periudhë të caktuar.

Mirpo duhet të kesh një përshtypje personale se pse ndodhi gjithë kjo heshtje, si e vlerësoni? 

Padyshim, me të gjitha hollësitë e mundshme, por kam vendosur kaherë që ta ruaj për librat.

Je pajtuar ndopak, të kanë thyer zemrën me ndarjen e këtij çmimi? 

Ka shumë autorë që prishin çmime dhe shumë çmime që prishin autorë. Në rastin tim, kur librat dëshmojnë qartë se nuk ndodh e para, s’ka se si të ndodhë e dyta. Zemra ime është e zënë me të tjera gjëra.

Dhe pikërisht kjo fashitje erdhi me rezultatin e një libri të futur në kategorinë e tregimit. Sa është i rëndësishëm një çmim për këtë kategori, apo thënë më ndryshe, sa e do tregimin? 

Shkruaj tregime qysh nga dimri i vitit 1985. Deri tani më janë botuar disa vëllime, që mund të lexohen edhe si romane të shumëfishtë. Më të freskëtin, „Tregime të padukshme”, Buzuku, - që ka botuar edhe „Si u pushtua Çmendustani (2004), - e nxori nga shtypi në Prishtinë para një muaji.

Nëse do të bëje një krahasim me romanin, cili është më me vlerë për ju? 

Romani është më fort arratí, kurse tregimi – terapi.

Ministrja Kumbaro, pas publikimit të listës me fituesit, ka paralajmëruar se në vitin  tjetër të jepet vetëm një çmim. Si e vlerësoni, u bëhet padrejtësi shumë autorëve, apo e bën më të fuqishëm çmimin e vetëm që do të jepet?

Ndoshta ka ardhur koha që ndjeshmëria e autorëve të shqipes dhe durimi i tyre shpesh i shpërdoruar me mërira e ankesa, të mësohen me një çmim të vetëm.

Dhe për fund, rrethanat e kombit shqiptar kanë ndryshuar, e në anën tjetër çmimi “Penda e argjendtë” vlerësohet si Çmim Kombëtar, por pa u përfshirë autorët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e të Luginës së Preshevës. A ka ardhur koha që të kemi me të vërtetë një çmim kombëtar për letërsi, pa bërë dallime në troje?

Letërsia e mirëfilltë është bota me më pak troje në botë. Hëpërhë një çmim i tillë ka rrezik t’i shtojë kufijtë e padukshëm mes autorëve që jetojnë në zona të ndryshme të shqipes. Por ajo që quajmë kohë dhe që, në fakt, është bindja e shkallëzuar e secilit prej nesh se një ditë përnjimend ka për të ikur kësaj bote, do ta bëjë të vetën.

U botua në www.kultplus.com