"Pak para se të lindesha – pak para se të vdisja" - Bisedë


Flora N. Nikolla: Si dhe kur e kuptuat dashurinë tuaj për letërsinë?

Ardian-Christian Kyçyku: Më duket se përgjigja më e ndershme, në frymë letrare, do të ishte: pak para se të lindesha – pak para se të vdisja.

Cilët janë elementët që në tërësi përbëjnë dhe formëzojnë jetën e një shkrimtari profesionist?

Je shkrimtar kur nuk je asgjë tjetër, por edhe kur vetëm shkrimtar nuk je dot. Nga gërshetimi i këtyre dy jetëve të skajshme më duket se fitohet ai vështrim që përshkon kohërat dhe muret e së dukshmes dhe të së tashmes.

Cilët janë personazhet tuaja, si lindin dhe si zhvillohen ata; a ju interesojnë personazhet nga pikëpamaja psikanalitike, apo …

Pas një çasti të caktuar, - po e quaj edhe numur faqesh të shkruara, - është e vështirë ta ndash personazhin nga gjendja. Letërsia e ka zhvendosur tashmë forcën e rëndesës. Në thelbin e vëmendjes së saj nuk ka si të jetë më tipologjia, ndoshta ngaqë njeriu i sotëm ka kapërcyer çdo cak që e ruante brenda njeriut dhe shpesh kopjon gjendjet nëpër të cilat jeton, ose vdes pa e kuptuar. Psikanaliza u quajt me të drejtë një sëmundje që e pandeh veten ilaç. „Ata mburreshin se i kanë të gjitha ilaçet, unë nuk kisha asnjërën prej sëmundjeve”. Më qartë se ç’e kam shkruar këtu, zor ta them.

Si lind një vepër tek ju ... Çfarë ju nxit të shkruani ... ?

Për mua një vepër nuk lind, por vjen të vdesë sa më hijshëm. Më duken teatrale dhe të pagëlltitshme shprehjet me librin që është si fëmija, dhembjet e krijimit si ato të lindjes etj, etj. Ngaqë shpesh ajo që kam në shpirt e në kokë ndyshon prej asaj që më del nga pena, më tepër se një mamie, unë i ngjasoj një prifti, që ndihmon t’i dalë shpirti sa më bukur dikujt (librit përkatës) dhe të lerë në kujtesë gjurmë të hijshme.

Si dhe kur e përcaktoni titullin e librit? Komentoni me miqtë kur shkruani?

Varet nga libri. Romanet „Mortët”, „Një fis i lavdishëm e që jep shpirt”, „Engjëjt e tepërt”, „Kristali dhe hienat”, „Home”, „Puthmë, skelet”, „zv.Libri”, „Vdekja shkruan me dy duar”, për shembull, kanë nisur njëheresh me titujt. Kurse „Sy”, „Nata pas vitit zero”, „Vend për një kukull të vetme”, „Qielli në zarf”, „Një botë më tutje” etj janë mbyllur nga titujt.

A e mendoni lexuesin kur shkruani?

Jo, prej vitesh.

Keni shkruar mbi 30 vepra në shqip e rumanisht; cilën prej tyre do të veçonit?

Ndoshta epopenë „Mahnitja e papagajve”, që e kam shkruar në vitin 1991 në shqip dhe që nuk është botuar ende.

Në veprat tuaja ka edhe nota të realizmit magjik, nota që janë pa kursim në qytetin tuaj të lindjes, Pogradec… Sa i pranishëm është ky qytet në krijimtarinë tuaj?

„Realizmi magjik” është koncept i kritikës letrare dhe i është ngjitur stilit të disa prej librave të mi në mungesë të një togfjalëshi më të frymëzuar, ose më të saktë. Në trajtën e vet të kulluar, „realizmi magjik”, të cilin gjithmonë e kam quajtur „mbijeta, ose jeta që nuk shihet me të parën”, gjendet në folklorin ballkanik, veçanërisht në atë shqiptar. Shumicën e librave e kam shkruar nga brenda Pogradecit, atij të përjetshmit, ku në moshën 4-vjeçare shkrova për herë të parë në shqip dhe ku, për fat, ende nuk më ka shterur fëmijëria. Sa i përket historisë së letërsisë, trajta të Pogradecit të përhershëm, gjenden në të gjithë librat e mi, në disa gjuhë, përtej çdo mitizimi të vendlindjes dhe brenda së vërtetës se „shumë e do Zoti botën që ndryshon pak” (në krahasim me botën siç e ka krijuar Ai).

Kritika rumune e ka vendosur veprën tuaj në një vend nderi, pranë emrash si Markezi, Gogoli, Kafka, Istrati, Dostojevski etj, ndërsa praninë tuaj në letërsinë rumune e ka vlerësuar edhe si një hapje të kulturës rumune ndaj bijsh që vijnë nga kultura të tjera, të cilat kanë kaluar mes përvojash të hidhura ballkanike... Si do ti komentonit analizat e tyre? Me cilën shprehje jeni më dakord?


Padyshim që vlerësimet më nderojnë, por jam kujdesur që të mos i afrohen rrezikshëm punës sime të përditshme.

Jeni specializuar në Universitetin e Bukureshtit për letërsi të krahasuar dhe botërore. Si ndiheni kur shkruani në rumanisht dhe si kur shkruani në shqip, dy gjuhë për të cilat thuhet se kanë përafrime në strukturën e tyre të brendshme.

Shqipja dhe rumanishtja janë dy gjuhë të rralla dhe vërtet kanë përbashkësi, por janë, të paktën nga ana letrare, mjaft të ndryshme. E shkruara në dy gjuhë të qarkullimit të kufizuar, - ndonëse bëhet fjalë për mbi 30 milionë lexues të mundshëm, - është një ngjarje tejet vetjake, pakashumë si dashuria, ose vdekja, dhe çdo përcaktim do të mbetej i pakapërdishëm për lexuesin.
Tema e doktoratës sime ishte „Drejtime të modernizmit evropian dhe jehona të tyre në letërsinë shipe të mes dy luftrave”. Ishte studimi i parë dhe më i zgjeruari në rumanisht i disa prej klasikëve të shqipes (Konica, Poradeci, Koliqi, Kuteli, Fishta, Migjeni) në marrëdhënie me letërsinë evropiane. Nga periudha e doktoraturës në Universitetin e Bukureshtit, pata fatin të mësoja shumë gjëra, duke nisur me mekanizmat që kritika përdor për të nxjerrë dhjamë nga pleshti, duke vijuar me mangësitë e brendshme të disa autorëve dhe letërsive „të mëdha”, e duke mbaruar me sprovat që u janë dashur të përballojnë letërsitë e ashtuquajtura „të vogla” gjatë një globalizimi (gloBanalizim e kam quajtur diku), që ka nisur shumë më herët nga sa duket.

Shqipëria dhe Rumania, tradicionalisht kanë pasur marrëdhënie shumë të mira kulturore dhe historike mes tyre... Aktualisht si i shihni këto marrëdhënie? A ka bashkësi shqiptarësh në Rumani dhe cili është komenti juaj për këtë bashkësi?

Unë nuk kam asnjë lidhje e marrëdhënie me politikën e sot-it dhe kam pasur fatin të jetoj vetëm në vijim të lidhjeve të kahershme shqiptaro-rumune. Thuhet me të drejtë se bashkësia e këtushme shqiptare, dikur, ka ndikuar thelbësisht në bërjen e Shqipërisë moderne. Kjo mjafton që çdo bashkësi e tanishme të bëjë aq sa mundet vetëm për të mos njollosur kujtimin, ose amanetet e paraardhësve. Për fat të keq, edhe këtu, shumica e anëtarëve janë si puna e brirëve në thes: secili pandeh se i përket një tjetër koke, ose se është koka e të gjithë brirëve. Prandaj ata që janë zgjedhur të kryejnë diçka me vlerë mund të punojnë në paqe.

Në historinë shumëshekullore të arsimit të lartë rumun, për herë të parë një i huaj zgjidhet rektor universiteti në Rumani. Sipas mediave shqiptare, Senati i Universitetit Rumun të Shkencave dhe Arteve (URSA) “Gheorghe Cristea”, në Bukuresht, me një staf prej 25 pedagogësh, ju zgjodhi (njëzëri, me vota të fshehta) rektor të këtij universiteti … Me sa di, Mitrush Kuteli ka qënë drejtor i Bankës Bujqësore të Rumanisë… Duket si një vazhdim fisnik i traditës poradecare e gjitha kjo…

Arritjet e shqiptarëve në Rumani asnjëherë nuk kanë qenë të pakta. Mitrush Kuteli arriti drejtor në Bankën Bujqësore të Rumanisë; Vangjel Zhapa, - një ndër më të pasurit shqiptarë të Evropës, - ndihmoi Veqilharxhin për botimin e abetares, dhuroi të holla për themelimin e Akademisë Rumune, për hartimin e të parit fjalor enciklopedik rumun etj; familja Gjika i fali Rumanisë plot 11 princër e sundimtarë, një humaniste të rangut evropian, Elena Gjikën, një prift e martir, Monsinjorin Vladimir Gjika etj; Viktor Eftimiu nga Boboshtica ishte drejtor i Teatrit Kombëtar Rumun dhe anëtar i Akademisë Rumune. Shembujt janë të shumtë. Po për mua ka po aq rëndësi fakti që Himni Kombëtar i Shqipërisë u krijua këtu, që Lasgushi e Mitrushi shkruan e botuan këtu disa nga kryeveprat e letërsisë shqiptare moderne, që disa nga veprat e Naimit u botuan së pari në Bukuresht, por edhe që tim eti dhe mua na u dha të shkruanim e botonim këtu mbi 40 tituj librash shkencorë e letrarë në të dyja gjuhët, që Revista Haemus erdhi në numurin e saj të 50-të, me mbi 5 mijë faqe, që Shtëpia Botuese Librarium Haemus ka nxjerrë tashmë nga shtypi disa kolana letrare, historike, dialogje, kujtime, antologji autorësh e poezish, në radhë të parë nga kulturat shqiptare dhe rumune.

Cila është marrëdhënia juaj me botën e studentëve... këtë herë si pedagog … Jepni lëndët: Elemente të kulturës dhe qytetërimit ballkanik, Fenomeni Audio-vizual, Imagologjia etj.

I kam quajtur gjithmonë studentët „kolegë të ardhshëm”. Shumica e tyre punojnë tani në pika kyçe të shoqërisë rumune, ose evropiane. Ndjek prej vitesh një parim, të cilin e kam emërtuar „tryeza e rrumbullakët me një cep të vetëm”, ku gjithçka mund të diskutohet hapur, por pa u harruar se atje ku hyjnë shumë mamí, siç thotë populli, foshnja del e gjymtë. Në lëndën „Elemente të kulturës dhe qytetërimit ballkanik”, vite më parë, hartova dhe mbajta një cikël leksionesh kushtuar folklorit dhe letërsisë shqipe, që njiheshin shumë pak, ose shumë shtrembër.

Jeni anëtar i Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë qysh në vitin 1998. Si funksionin kjo organizatë, e cila ka qënë edhe gjatë regjimit komunist atje …, si dhe sa janë të lidhur shkrimtarët rumunë mes tyre?

Bashkimi i Shkrimtarëve të Rumanisë është themeluar në vitin 1908 nga një grup shkrimtarësh që jetonin në Bukuresht. Shoqata e atëhershme ndryshonte nga e sotmja. Statuti i tanishëm është përpiluar dhe pranuar në vitin 1949. Gjatë diktaturës, jo pak shkrimtarë rumunë, në një mënyrë, ose në një tjetër, bënë qëndresë. Disa u dëbuan nga Rumania, ose hoqën dorë nga shtetësia rumune dhe u arratisën. Vështirë të gjesh në Ballkan shkrimtarë që të mos qahen nga dobësia dhe pabesia e sivëllezërve, por autorët rumunë më duken mjaftueshëm të lidhur me shoshoqin.
Bashkimi i Shkrimtarëve i mbështet anëtarët e vet sipas mundësive. Në varësi të secilit rast, autorit i paguhen dy udhëtime jashtë shtetit, kur është i ftuar në ndonjë veprimtari ndërkombëtare; i shlyhen shpenzime të ndryshme mjekësore dhe ka si dhuratë një gropë varri. Nuk është për të qeshur, po të kihet para sysh sa kushton sot një «banesë e amëshuar». Gjithashtu, Salla e famshme e Pasqyrave, ku bëhen promovime e tubime letrare, i vihet në dispozicion falas çdo anëtari, nëse ai bën kërkesë, saherë të jetë nevoja. Bashkimi i Shkrimtarëve të Rumanisë organizon përvit edhe disa festivale, konkurse e veprimtari të tjera letrare të nivelit të lartë. Mjafton të përmendet Festivali Ditë dhe Netë Letërsie, që zhvillohet në qytezën Neptun, buzë Detit të Zi, dhe ku marrin pjesë autorë të shquar nga e gjithë bota.

Jeni përfshirë në disa antologji të prozatorëve të shquar të Rumanisë, në fjalorin "Shkrimtarë rumunë të viteve '80-'90", në enciklopedinë "Who's Who in Romania" dhe në një histori të letërsisë rumune.

Është e vërtetë, por këto janë ngjarje jashtëletrare, sado që duken vendimtare për ecurinë e të shkruarit.

Nga viti 1998 jeni bashkëthemelues dhe njëri nga drejtuesit e revistës dygjuhëshe (shqip e rumanisht) për kulturën dhe traditat evropiane "Haemus", që botohet në Bukuresht… Cili është qëllimi i kësaj reviste dhe sa e ka arritur në këto vite?

Nëse do të krenohesh për ndonjë gjë, ji krenar për atë që bëri Zoti, thoshte Shën Pavli. Tim eti dhe mua na e fali Zoti këtë hapësirë kulturore që mban emrin Haemus dhe ne mundohemi ta çojmë deri atje ku mundet njeriu. Numuri i parë doli më 28 Nëntor 1998. Me rastin e 10-vjetorit të themelimit të Haemus-it, në një ese që ruan të paprekur idealizmin e fillesave, shkrova se "… kur ishim në vdekje, revista Haemus u bë për ne jetë fjale e fjalë jete; kur ishte jetë, Haemus-i mbeti mbi-jetë, ose folé mbijetese; kur u dynd kaosi, mbeti më e dukshmja pasuri e patundshme. Në njëfarë mënyre, historia e shkurtër e revistës sonë mund të këqyret edhe si një dramë e disave që nuk qëndruan dot në atdhe dhe e atyre që nuk ikën dot nga atdheu. U shtjellua si një dramë që prekte heraherës edhe trojet e tragjedisë së heshtur, edhe të komedisë së pavetëdijshme të të paftuarve dhe të cilën hapësira e mërgatës e përktheu dalëngadalë në një përmasë të re vështrimi.
Jo pak vetë e shihnin ndërkaq kulturën si kopje të skllavëruar të gjeografisë, madje si një ngrehinë me kufij, zyra, roje, shefa, zëdhënësa, ministrí, diplomatë, qenër kufiri etj. Haemus-i qëndroi jashtë përfytyrimeve të këtij lloji, por jashtë rri zakonisht edhe ajri, sidomos jashtë kufijve. Mjegulla që mbushi mushkëritë dhe trutë e Ballkanit gjatë këtyre dhjetë viteve lypi jo rrallë hartimin e një programi kulturor, falë të cilit, në përputhje me një filozofi të mangët, popujt e vegjël në numur duhet të zmadhojnë kulturat e tyre, se vetëm kështu do të mund të përfillen (jo të milen pa mëshirë, të shpalcërohen) nga kulturat e mëdha të popujve të mëdhenj. Ky ishte, në fakt, një tjetër mjet i kulturave që po ligen dhe s’kanë me çfarë të mbahen gjallë për të zhvatur frymën e „të vegjëlve”. Ishte një tregti e tipit: më jep shpirt – të jap lekë dhe ca emër". Nuk iu lëviz asnjë presje këtyre që përmenda. Dua të shtoj vetëm se përkushtimi, frymëzimi dhe mjeshtëria me të cilat im atë, Kopi Kyçyku, e nisi dhe po e vijon veprimtarinë në Haemus, mbetet një shembull për vlerat që mund të nxjerrë bota shqiptare, dhe jo vetëm shqiptare.

Ndjesia për krijimet tuaja që janë përkthyer e botuar në mbi dhjetë gjuhë të huaja… 

Nuk përjetoj ndonjë ndjesi të veçantë. Sot ka plot të paftuar, që, pa ditur krejt gjuhën e vet amtare, përkthehen, - me mëditje, ose jo, - në gjuhë të huaja, pa përmendur autorë jo krejt pa vlera, por pa Vepër e vlerë të qëndrueshme, që qarkullojnë e trymbetohen anembanë sipas ca kriteresh që vetëm me kulturën s'lidhen. Nuk kam shkruar kurrë që të më përkthejë njeri. Jam mirënjohës kur kjo ndodh dhe aq.

Sa me vete e keni Shqiperinë dhe Pogradecin në Bukuresht?

Tri herë njëheresh: sa të mos shkruaj përçart, të mos shkruaj në emër të tjetërkujt, dhe sa askush të mos flasë përçart në emër të gjërave që shkruaj unë.

Si e shihni Shqiperinë në këtë 100 - vjetor?

Si zemrën e thyer të dikujt shumë të shtrenjtë. Vetëm se zemra nuk është si buka e thyer për njeriun. Zoti mund ta rikrijojë zemrën në një çast të vetëm; më ka ndodhur jo pak herë, në mërgim dhe jashtë tij.

Mendoni se do të jeni i pranishëm në kremtimet e Pavaresise së Shqipërisë?

Secilës ftesë nga Shqipëria zyrtare për tek unë deri më tash i janë dashur nga dhjetë vjet rrugë. Njëzet e ca vjet kanë mjaftuar që librat, aq sa njihen e nuk njihen, të më përfaqësojnë mua dhe jo unë ata. Nuk dua të jap sqarime të mëtejshme, se do të duket sikur po hyjmë në letërsi më shumë nga sa duhet.

Si e cilësoni nismën AE? Mendoni se do të mund t’i afrojë shqiptarët e këtej dhe andej kufirit?

Nisma më duket me vlerë dhe ju uroj nga zemra, duke ditur që puna juaj do të trandë ca tabu e krenarira të pashëndetshme. Por me kohë, shpresoj dhe uroj që nisma të sjellë mirëkuptim dhe ta vonojë sadopak vrasjen e shkallëzuar që u bëhet vlerave të gjalla duke ngritur në qiell vetëm vlerat e atyre që kanë vdekur, ose të atyre që vetëm janë gjallë. Nëse pranoni një mendim të çiltër: duhen ftuar edhe ata shqiptarë që, për shumë arsye, kanë jetuar e krijojnë në vendin e tyre si me qenë në vend të huaj. Se nuk mjafton vetëm të mos jetosh në Shqipëri për të krijuar vlera të rralla. Nga ana tjetër, vetëdija e fëmijëve të sotëm duhet çliruar nga modeli i atij që mërgon dhe bën çudira jashtë kufijve, duke i lënë të skërmiten e të fiken në anonimát ata që nuk ikin...

Historikisht Shqipëria është shfaqur si një rrjetë ëndërrash jashtë kufijve, pastaj ka nisur të ngjizet si realitet brenda tyre. Këto ëndrra janë dhembje nga ato që nuk i rrëfen dot as letërsia, nuk janë qenër që lehin rreth një çifligu. Përgjegjësia e atyre që drejtojnë në (çdo) të tashme fatet e Shqipërisë më duket tejet e madhe. Dhe ata që e kanë parë të paktën një herë vdekjen me sy e dinë mirë sa i pafuqishëm është njeriu, pavarësisht se sa i madh e i pushtetshëm mund të duket e ta shohë veten. Vdekja nuk është shaka, ose është nga ato shumë të paktat shaka që nuk i bën ti. Para saj, të gjitha duhen dhe do shlyhen gjer në qindarkën e fundit. Shkrimtarët dhe artistët do ta kryejnë misonin e tyre më së miri, jashtë a brenda, ose thjesht në letrat pa kufij, kurse politikanëve u mbetet të bëjnë çmos për të afruar ëndrrën më jetëgjatë me realitetin më të prekshëm, që askush të mos ndihet në atdhe si hije a as jashtë si jetim me prindërit gjallë, ose më keq akoma: si fatzi të cilit ia kanë vjedhur e përdhosur shtëpinë nga themelet, në mungesë.

Tiranë-Bukuresht, gusht 2012. 
U botua në vëlimin "Albanian Excellence", 
me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë