Një “botë e re” në një realitet të “panjohur”

VEHIP PRODA
  
Sapo mbarova së lexuari, me një frymë, romanin “Ëngjëjt e Tepërt” të shkrimtarit, studjuesit dhe intelektualit të shquar Adrian-Christian Kyçyku.
E pohoj që në fillim: e gjeta veten në një dimension tjetër kohor, gjeografik, psikik.
Unë jam lexues, kur është fjala për letërsinë, ndonëse studjues i çështjes kombëtare, sociale dhe politike. Si lexues, të them se kam kaluar pak libra nëpër duar, do gënjeja, por të them se kam lexuar një letërsi të re për nga konstrukti, ndërthurja, tema, mënyra e të treguarit, ambienti veprues-përshkrues; nga këndvështrimi, gjykimi dhe përqasja; nga gjuha e “fabulës”, nuk do të gënjeja aspak. Dhe ja ku m’u “faneps” produkti allaardiançe!
Një ndjesi e brendshme apokaliptike, një trazim shpirtëror, një marramendje dhe bredhje në një ambient të “paparë”, të panjohur, të pangrënë e të panxënë.
Një batërdi dhe një llokoçitje jete plot erë të trazuar dhe të rëndë erërash nga jeta e “rrugëve të jetës” ku në pyetje është një gjë a shumë gjëra: të jesh a të mos jesh, të rrosh a të mos rrosh, nëse je-pse je, nëse s’je-e çë pastaj që s’je?!
Një teatër absurd, që të trazon shpirtin dhe zorrët, një perversitet “madhështor” me një personazh kryesor e të tjerë episodikë, në vend të të cilëve mund të vije dhjetra, qindra, mijëra, miljona episodikësh, me emër a pa emër, në teatrin surreal të jetës njerëzore.
Një peisazh grotesk i fatkeqësisë, ku njeriu duket se është në mëshirën e fatit të jetës, para një erozioni gërryes dhe ozonit shoqëror të çarë.
Një rrokopujë tragjiko-komike, pjellë e hardallosjes në emër të “Eldorados”, e cila, sa hap e mbyll sytë, kthehet nga ëmdërr në zhgjëndërr të handakosur si “shpërblim” i naivitetit “foshnjor” i shfaqur si marrëzi kolektive.
Një “nënluks” dhe nënvendosje e ardhur nga vullneti i “llumit”, në “botën e re” të dalldisur nga luksi i kushedingaardhur, psejo, nga jashtqitja e djeshme-mbimarrje e sotme si rezultat i “qorroglusë” dhe i “vullnetit të mirë” të një naiviteti të çmendshem, me hir a me pahir!
Ngjarja ndodh në një vend, por hiq emrat e përveçëm dhe në vend të tij mund të vije emrin e aksh vendi, veçse në Ballkan, asnjë metër larg kufijve të tij gjeostrategjikë, gjeopolitikë, gjeoekonomikë, gjeofizikë, gjeopsikikë. Jo se s’ka “kampionë” të tillë jashtë Ballkanit, por sepse Ballkani është “projekt pilot”!...
Në epiqendër të gjithë kësaj “fabule” është një shqiptar, “Ai”, me shpirt e jetë “bohemi”…
Dëftimi grotesk i ngjarjes(jeve), zhargoni herë-herë “rrugaçëror” brenda një gjuhe të pastër, ka një shtresëzim a mbivendosje që përngjan me mbivendosjen e pronave, të krimeve, të pervesiteteve e pushteteve dhe nenvendosjen e jetës. Njerëzia kthehet në botën e jermit! Do të duhet kohë, shumë kohë që fjala e njerëzisë, ashtu si jeta, të ketë pak vlerë.
Nejse! “Ai” kishte ikur nga sytë këmbët! Prej hardallosjes, hallakatjes, hakërrosjes a hakmarrjes, gjykojeni vetë. Pse, qysh, si e tek s’ka më rëndësi. Rëndësi ka ta njihni, sepse që të kesh duhet të dish, të dish duhet të mësosh, që të mësosh duhet të jetosh e të lexosh…, pse jo “Ëngjëjt e Tepërt” dhe produktet e tjera të Ardianit.
Pa ego, pa ide, pa ideal, “Ai” donte të ikte përsëri. Të ikte sa më parë, kësaj here nga kjo botë, për “kushedi” ku. Mendja i qe mbushur plotë, atje larg mëmëdheut, për një vetëflijim(vetëflijosje) që dukej si ëndërr-më shumë zhgjëndërr . Boshllëk në qiell, boshllëk në tokë, kudo: atje ku i ra koka, atje ku lind dhe ku perëndon. Gripi i hardallosjes qënkërka më i keq se gripi i verdhë, se gripi i pulave dhe i derrave! Domethënë është krizë! Krizë urie, krizë besimi, krizë shpirtërore, krizë ekonomike…”O lumë e det e Virua!”
Diku digjet toka, diku shkrihet akulli, diku del cunami, tjetërkund shpërthen llava, këtej rrëshqet toka, andej sulet raketa, gjithkund rrëmben vdekja, jo nga Zoti por nga “boti”! E njëta gjë që ndodh në natyrë, e njëjta gjë ndodh në shoqëri e në shpirt! “Moj koka e qënit moj qëne qëne s’dijte për veten tënde!” Doemos, vjen vetrrënqethja, vetrrënimi, vetasgjësimi-kamikazllëku natyror dhe njerëzor. “Ai” e ka thënë qartë: “ia vlen të vethedhësh trutë në erë!” Kjo nga që “Ai” “kishte zbuluar një jetë tjetër!”. “Bukur”, “shumë bukur”! Mbase kjo është “filozofia” e kamikazllëkut. Varfëria e jetës sjell varfërinë e trupit, varfërinë e shpirtit! Boshllëk, humnerë dhe arratisje së gjalli, e shpirtit dhe më pas e trupit.
O Zot, sa pak e paskam njohur botën e psherëtimave, të ngulçeve, të rënkimeve, të llokoçitjeve, të ëndërrave dhe zhgjëndërrave. Cudi, këtu jemi e asgjë “s’dimë”! S’dimë asgjë nga ato që ndodhin në këtë “Gropë”, siç e ka emërtuar “Ai” këtë Ballkanin tonë. Një gropë që ha së pari jetë…!
Ardian-Christian Kyçyku, bën një perifrazim të jetës ashtu shkarazi në dukje, por një autopsi, në fakt, të së përditshmes 24 orëshe, të asaj poshtë te “lumpeni” se “lartë” s’të lënë gromësimat dhe shtërzimet! Lartë e poshtë-poshtë e lartë, kështu është jeta. “Në ato maja rripa-rripa, herë ma hipe-herë ta hipa”! Prandaj, nuk i thonë kotë: “Mos u gëzo o I gëzuar, mos u hidhëro o I hidhëruar”!
Po e lë këtu, për të mos e mbyllur kapitullin…”E lëshon por s’të lëshon”, thotë populli. Ah, ç’më kape në këtë “moshë” o Ardian-Christian Kyçyku! Ta dish mirë: edhe në këtë “moshë” do të të ndjek, do të të lexoj…! “Profesionalizmi lë gjurmë në jetën e njeriut”…


Tiranë, Maj 2010