Krijimi si rikujtim


HIQMET MEÇAJ

Home Çkena është një nga Ne. Ka pak nga të gjithë  Ne. Kështu pohojnë aty nga fundi i romanit gjithë ata Ne.
Home Çkena të bën për të qeshur deri sa të mos vdesësh dhe të pikëllon derisa të mos mbytesh në pikëllim.
Home Çkena ka ikur nga atdheu dhe mundohet ta rikrijojë atdheun e tij atje larg. E krijon si rikujtim, si një kullë me frëngji që të mbrohet, se Home nuk mund të rrojë dot pa kullë dhe pa u mbyllur në të. Është thelbi i qenies së tij mbrojtja nga hasmët dhe, kur nuk ka hasmë, duhet t'i rikrijojë ata, ndryshe s'ka se si të jetë nga një atdhe i kullave me frëngji pa patur hasmë.
Homes ia kanë prishur kullën e malësisë, fisi i hasmëve është shuar, e fundit grua që ka mbetur, kur ia çon e ëma foshnjë në shpërgënj e të bëjë ç'të dojë me të, e përkëdhel, (sa tmerr!) dhe kjo është një fyerje e turpshme për Homen, i cili priste prej saj plumbin.
Megjithatë Homja përpiqet të krijojë kullën e vet e bashkë me të edhe hasmët e vet. Kulla nuk shkon pa armë, ndaj Martina, arma pa plumb dhe shumë kohë e pambërthyer, bëhet kuadri përmbyllës i rikrijimit të atdheut diku larg, në dhera të huaja.
Pas kësaj Homja nuk ka ç'pret tjetër, veçse dy gjëra: të lërë pas një djalë, pasi ia ka ndërtuar kullën e më pas ta vrasin. Djali duhet të vazhdojë gjakmarrjen, kurse Homja duhet ta ketë shlyer.
Më kujtohet se si, para disa vjetësh këtu në Athinë e njoha edhe unë Home Çkenën. Ishte një djalë i gjatë e i fuqishëm, i mençur e punëtor. Desh të më takonte sepse shkruante vjersha. Deri këtu nuk ka gjë të veçantë, por, kur folëm për kanunin, për gjakmarrjen, burrërinë e gjëra të tjera, mendimet tona ishin krejt të kundërta. Kur më tha se babai i tij kishte vdekur me turp, se nuk e kishte marrë gjakun e të jatit, se atë gjak duhej ta merrte ai, nipi, unë fillova të qesh. Homes tim i skuqeshin sytë kur qeshja unë. Si të mos qeshja e në të njëjtën kohë të mos rrënqethesha. Gjyshi i tij ishte vrarë nga hasmi në vitin 1943 dhe Homja im nuk e njihte. Kishte vendosur t'i merrte hakun pas më shumë se gjashtëdhjetë vjetësh. Mirëpo problemi ishte se duhej të zgjidhte më të mirin e fisit të hasmit, pasi "dora" tretej prej kohësh nën dhé. I thashë Homes tim se këto janë komedira me tragjedi brënda, se komedia qëndron në faktin që ti nuk mendon ta nderosh gjyshin duke bërë gjëra që mbahen mënd, por duke u shndërruar në vrasës, duke i lënë edhe djalit një hasm pas.
A e dini pse nuk po vepronte Homja im? Nuk po vepronte sepse gruaja i kishte bërë vetëm çupa, dhe ishte betuar se do të merrte grua tjetër, në se fëmija i katërt nuk do t'i dilte djalë. Dhe Homja im ishte njëzet e gjashtë vjeç, me tre fëmijë e një në bark, raskapitej në punë të rënda t'i ushqente gjithë ato gojë, dhe kjo ndodhte pikërisht për hir të gjakmarrjes...
Romani i Kyçykut e krijon Homen si rikujtim, ashtu siç krijohet edhe hasmi i tij si rikujtim. Ç'rëndësi ka në se një njeri ka jetuar fizikisht pranë nesh, kur ai ndodhet i shtruar këmbëkryq brënda nesh, më i prekshëm e më i plotë. Ne e dimë atë përmendësh edhe pa e parë, kur dimë se prej nga vjen. Ai është si bima që, kur shkulet, merr bashkë me rrënjët edhe copëra të baltës e gurë nga trualli ku ka qënë. Kudo që ta mbjellësh, frutat e saj do të kenë shije të njëjtë me të mëparshmen.
"Jo rrallë, Home Çkena dilte nga trupi, na rrëmbente dhe na hipte në njëfarë qilimi fluturues dhe ndaleshim ku na donte zemra. Pas nja dhjetë vjet fluturimesh, pasi qemë ndalur të çmalleshim e të lanim ndonjë hesap nëpër fshatrat dhe qytetet nga vinim, filluam të udhëtonim nëpër botë". (f. e romanit  25-26).
Në një anketë të zhvilluar me nobelistë dhe personalitete letrarë nga e gjithë bota, u vlerësua si romani më i mirë i të gjitha kohëve Don Kishoti i Mançës. Kjo figurë është krijuar si rikujtim dhe ngjarjet brenda tij të duken aq të pavërteta sa të habisin. Don Kishoti i ngjan një të burgosuri të harruar në kujtesën popullore, për t'u rikujtuar pas shumë kohe, atëherë kur ngjan aq i pavërtetë, sa që na bën të qeshim, por edhe të prekemi, të ndjejmë edhe dhimbje kur shikojmë sa thellë dashuron ai një krijesë që e ka shpikur nga fantazia e vet, sa me heroizëm lufton kundër armiqve të njerëzimit, që ka ai në mëndje, por që nuk ekzistojnë, se janë bagëti, mullinj ere e shakuj vere.
Don Kishoti shkund pluhurin e kujtesës popullore dhe të librave, i krijon të gjitha si rikujtim.
Home Çkena i Kyçykut nuk del vetëm nga kujtesa popullore dhe librat, ai jeton në një cep të Ballkanit, udhëton me kullën e vet në shpirt nëpër botë, banon në shpirtrat e të gjithëve Ne, aq sa, kur e vret martina e pambërthyer dhe pa plumb, "ishim aq të kapitur, jetimë e të mrekulluar, saqë çdonjëri prej nesh mund të betohej se nuk ishim kaherë njerëz, shqiptarë në mish e eshtra, emra flakur vorbullave të mërgatës, po shpirtra.
Ose shpikje.  (f. e romanit 102).
Të jesh shpikje është gjë e vyer, sepse pikërisht shpikjet na kanë shtyrë gjithnjë përpara. Më mirë të jetosh si rikujtim, se sa të mos kujtohesh pasi ke jetuar.
Romani i Ardian-Christian Kyçykut është libër i vyer, sepse ka shpikjen brënda, ka atë që e presim prej kohe të na hipë në një qilim fluturues e të na çojë larg.


e hënë, 09-07-2007