"Home" - një roman i mrekullueshem në letrat shqipe

Dr. RIAT AJAZAJ


Mrekullia e ketij romani ndjehet para së gjithash gjatë leximit të tij. Pastaj, si çdo takim i rrallë me mrekullinë, ajo ndjehet edhe më tej, mbetet poashtu gjatë në kujtesë. Por për të folur për këtë mrekulli nuk është e lehtë. Gjithsesi, për të folur si në përshkrim të mrekullisë. Megjithatë unë po përpiqem të provoj këtë sprovë të këndshme.

Fillesa

Një prej fillesave të mrekullisë së këtij romani të veçantë në letrat shqipe është qasja e letërsisë si lojë, një lojë e mahnitshme kuptimesh e simbolesh, që jepet me një mënyrë rrëfimi sa klasike po aq edhe postmoderne, sa realiste po aq edhe fantastike. Në këtë qasje prej loje konstruktohet historia e një emigranti prej një ngjarje në tjetrën, për ta dekonstruktuar atë menjëherë pas kësaj, duke i dhënë asaj një përmasë të pashembullt kolektive dhe duke e shëndërruar atë në një prototyp të emigrantit shqiptar postdiktatorial.
Pra fillesa e mrekullisë së këtij romani është para së gjithash loja me fjalët, që nis që me titullin e saj: “Home”. (Titulli i këtillë të ngacmon menjëherë krahasimin me ndonjërin nga romanet e hollë të Toni Morrisonit, apo me ndonjërin prej dialogjeve të figurave të saj afroamerikane, të folura në rrugë, prej aty ku ato ndjehen larg shtëpisë dhe mallohen për të.) Por këtu loja shkon më tutje dhe titulli dëfton njëkohësisht edhe emrin e protagonistit kryesor të romanit, mërgimtarit Home Çkena, për të cilin lexuesi njoftohet që në faqen 9, kur rrëfyesi tregon për vrasjen e tij, për të vazhduar mandej me jetën e tij, qoftë në mërgim, qoftë në atdhe. Nga fundi i romanit rrëfyesi, në vazhdën e dekonstruktimit të subjektit ― një element ky mjaft i arrirrë romanesk, po të mirret në konsideratë teoria e Kunderës për artin e romanit ― na jep hollësi të mëtejshme rreth lojës tejet rafinuese me fjalët. Ai na ve në dijeni më të hollësishme rreth kuptimit të kësaj fjale dhe lexuesi meson se përveç kuptimit shtëpi dhe kuptimit të përgjithshëm nga gjuha angleze, këtu mire të sajuar për emër njeriu, kjo fjalë përdoret edhe si një pyetje e zakonshme në zhargonin tiranas “Ho me, ç’kena?” (f.100). Një lojë e këtillë fjalësh le të kuptohet se njeriu, shtëpia apo vendlindja janë të lidhura ngushtë me gjuhën e folur, për të mos u ndalur vetëm aty. Loja letrare e këtij romani vazhdon më tutje, duke e bërë rrëfyesin e kësaj historie të dhimbshme, herë si bashkëpunëtor në sajimin e saj, herë si të përjashtuar nga ajo, si të tepërt dhe të panevojshëm; mandej, me anë të anketës, që i paraprin dhe e përmbyll romanin, edhe vetë lexuesin, herë si të përjashtuar, herë si bashkëpunëtor!


“Ne” në rrëfimin retrospektiv pas vrasjes

Si në tragjeditë e lashta greke (Sofokliu) rrëfimi i këtij romani nis pas vrasjes së protagonistit kryesor, pra pas ndodhjes së një “krimi”, si e quan rrëfyesi këtë ngjarje qysh në poezinë paraprijëse (f.7). Element tjetër i letërsisë së vjetër greke është edhe rrëfyesi kolektiv “ne”. (Te grekët e vjetër kjo mënyrë rrëfimi është dhënë permes korit të erinive. Në letërsinë botërore bashkëkohore një shembull më i përafërt është ai te romani Vjeshta e patriarkut të García Márquez, që fillon me vdekjen e patriarkut dhe “ne” jepet permes një rrëfyesi kolektiv popullor dhe gjithënacional.)
Në romanin e Kyçykut rrëfyesi kolektiv përbëhet nga shokët e protagonistit kryesor, poashtu mërgimtarë, që me kujtimin e përjetimeve me të dhe të kujtimeve të tij e ringjallin pjesë-pjesë në mënyrë retrospektive historinë e ikanakut Home Çkenës, i cili kishte ikur nga Shqipëria me një pasaportë të vdekuri. Fjalët dhe mendimet e protagonistit jepen herëpasherë në kursiv dhe lënë mbresën e të folmes në kor. “Ne” në këtë roman është pak a shumë “vreri i një brezi që s’kishte ku të kthehej” (f. 23), ngase vendi amë kishte marrë fund: “Njerëzit ishin bo kafsh fare.” (f. 47). Por “ne” e këtij rryfyesi kolektiv përbëhet këtu edhe nga njerëz, edhe nga shpirtra. Pasi Kyçyku përmbledh në rrefyesin e tij kolektiv edhe ata që janë fizikisht në jetë, edhe ata që s’janë. Pasaportat e të vdekurve që i kanë përvetësuar të gjallët shërbejnë këtu si hapje shtegu për në botën fantastike. Një gjë të tillë do ta kenë bërë shumë emigrantë në vitet e nëntëdhjeta dhe prandaj edhe shokët e protagonistit kryesor. Por përzierja e individuales me kolektiven, e fantastikes me realen bëhen pothuajse në të gjitha skutat e romanit. Me këtë ngjarja ngrihet në një sferë më të lartë dhe rrëfimi del më kollaj nga koha e tij autentike, që sillet rreth viteve ’99 (f. 50), rrëfimi bëhet kështu si i pakohë.

Një si shumë të tjerë

Home Çkena është një i ri nga Tirana. Ai ka më shumë se dhjetë vite që jeton në mërgim pa dokumenta të rregullta qëndrimi dhe pa patur mundësinë e kthimit në vendlindje. Ai punon si murator i shkathtë dhe i zoti, ai merret edhe me ndreqjen dhe rregullimin e varreve me matriale nga më të ndryshmet. Në roman jeta e tij jepet në mënyrë të fragmentarizuar, plotësohet pjesë-pjesë sipas këndvështrimit të rrëfyesit. Ai përshkruhet si njeri i gjatë dhe i fortë, me një shpirt fisnik dhe i dashur ndaj shokëve të tij. Përveç se pasioni për punën atë e shquan edhe pasioni për gratë, që në roman jepet i ndarë në mardhëniet e tij ndaj yllit të shpirtit të tij (f. 32), Suzit, një kryeqytetase që e njeh që në bankat e shkollës dhe që i bën një vizitë njëjavore, ndaj Endritës, një prostitute e re shqiptare dhe ndaj vejushës Martina, një vendëse, dashurinë e së cilës Home Çkena e fiton me pamjen dhe zgjauarësinë prej të huaji. Me këto raporte seksuale rrëfyesi e plotëson pak nga pak karakterin e figurës kryesore, duke dhënë thellësisht ndjeshmërine e burrit ndaj grave dhe anasjelltas. Kështu këto raporte jepen deri në intimitet, jepen të gjalla e dinamike. Janë këto tri përvoja të jetës së tij, që e mbushin atë me dashuri të madhe ndaj Suzit dhe njëherit edhe me xhelozi dhe sedër të thyer, për shkak të tradhëtisë që ajo i bën, për gjetjen mandej të ngushëllimit dhe të imitimit të asaj dashurie të madhe, që ai e ushqen për Suzin, te Endrita e re dhe te vejusha e bukur Martina, si të ishin ato njëfarë vazhdimi i asaj dashurie të madhe, por të munguar.
Poashtu permes përshkrimit të Endritës jepen hollësi të karakterit të pamoralshëm të Suzit dhe për shpirtin e pastër prej gjysmë malësori të Home Çkenës (prindërit e të cilit ishin shpërngulur prej malësisë në kryeqytet për shkakun e ndërtimit të një hidrocentrali në afërsi të fshatit të tyre), përmes Martinës një thellim të mëtejmë në shpirtin e gjysmë malësorit dhe atë lidhjen e veçantë të tij me vendlindjen, që shkon përtej kodit të gjuhës dhe merr të mistershme dhe mitike.
Përveç kujtimeve individuale dhe familjare nga vendindja romani ofron edhe shenja dhe kujtime me karakter kolektiv. Objektet kolektive që i ofrohen lexuesit nga vendlindja e lënë janë para së gjithash: Pallati i Kulturës, Sahati, Xhamia e Et’hem Beut, Lapraka (f. 47), mandej Biblioteka Kombëtare dhe Arkiva e Shtetit (f. 93). Ndërsa gjendja e Home Çkenës në vendin e huaj përshkruhet sa vijon:
Mirpo e dinim si qe tretur për dhjetë vjet e gjysmë nga malli, si pat ëndërruar të jetonte të paktën një ditë të qashtër, larg zhurmës së vaporëve, trenave nëntokësor, kujës e të vjellave të mejhanes, gromësimës së lavireve që punonin kryesisht me gojë, letrave frymëzënëse të Suzit.“ (f.13)

Gjuha e simboleve

Një element tjetër përbërës i mrekullisë së këtij romani është gjuha e simboleve. Ajo i shërben plotësimit të plot-it, por edhe shtytjes për reflektime dhe mendime më abstrakte nga ana e lexuesit. Ajo është si një përmbledhje stacionesh metafizike nëpër të cilat kalon fatumi i emigrantit, përmbledh ngritjet dhe rënjet qoftë fizike, qoftë shpirtrore të tij.
Kështu, në vazhdën e rrëfimit mbi jetën e emigrantit në fjalë lexuesi has në shprehje të tilla si “Shkretëtira e Qerbelasë” (f. 16), “Numuri i Artë” (f. 27), “Fati i Mirë” (f. 44), “Varri i Lumturisë” (f. 61), “Besimi” (f. 63), “Kujtesës shqipe” (f. 79), “Varreza e përbashkët” (f.80), “Çelësi i Madh” (f.84), „pusi“ (f. 80), Parajsa (f. 71) që e pasurojnë mjaft karakterizimin e figures dhe botës që e rrethon.
Rrëfimi zgjatet paksa më shumë në simbolin e kullës: “Kulla” (f. 71 etj.). Protagonisti i romanit përshkruhet duke hyrë dhe duke dalë nga kulla, duke ndejtur dhe menduar për veten dhe familjen e tij, madje duke lexuar në kullën e mbushur përplot me libra. Kulla në këtë rast është bartur me vete në vend të huaj. Ajo është shenjë identifikuese individuale dhe kolektive. Ajo është simbol mbijetese. (“Ikanakët si puna jonë do të bëheshin trashëgimtar të kullës…” f. 71) Më tepër se sa objekt fizik, kulla na del këtu si produkt shpirtror, si ruajtje e vlerave të mira dhe e identitetit kulturor në një mjedis të huaj. Romani gërryen në botën e brendshme të mentalitetit të shqiptarit dhe mundohet ta spikatë anën më fisnike të shpirtit të tij.
Mbushja e kullës me heroinë, që ndodhë në rrethana të pasqaruara mirë për protagonistin, si pasojë e një kontrabande, sjellin përdhosjen e kullës (f. 69). Përdhosja e kullës është për t’u kuptuar si përdhosja shpirtërore individuale apo kolektive.
Motivi i kullës pasohet nga citime prej eposit të veriut (f. 42), me motivin e martinës (f.40) dhe me atë të faljes së gjaqeve (f.42). Lexuesi has poashtu në “trojet e Vdekjes” (f. 10), në “Guri Filozofik” (f. 12), në “Oda” (f. 43), në “Mikpritja” (f. 45), në ”Fryma e Shenjtë” (f. 46) etj., që vijnë nga bazeni kulturor verior. Përveç kësaj romani shquhet edhe për fjalë të shumta nga leksiku i gegnishtes. Si bie fjala: “bablok” (f.13), “të folmen” (f. 53), “sytë e vranët” (f. 54), „këqyrur“, „kurrgjë“ (f. 46) etj., etj..

Fantastikja

Gjatë rikrijimit të jetës së protagonistit rrëfyesi kolektiv flet për të ashtuquajturat “tri lëngjet e jetës: gjaku, loti dhe drita” (f. 66), që i bëjnë fjalët, vendet dhe kujtimet (lexo kohët) të dalin në një raport krahasues mes veti. Që të tria këto elemente të rëndësishme të jetës në romanin e Kyçykut rishfaqen edhe në pyetjen retorike të bërë nga protagonisti kryesor: „Po s’pati kujtesë, si mund të ketë kohë?!” (f. 89) Veçse koha dhe hapsira këtu na dalin si të ndara mes vendit amë dhe vendit të huaj. Përveç se në kujtime e përjetime, protagonisti ndjen mall edhe për dritën e vendit të tij. Vizita e Suzit i sjell atij edhe lajmin e mbytjes makabre të vëllait, Sokolit, në një skaf, dhe hedhjes së gjymtyrëve të tij në detin Jon. Këtë lajm të keq rrëfyesi e shoqëron me parandjenja bestyte për “ditën e martë” (f. 32), për ditën me fuqi të mbrapshtë veprimi.
Drita e vendit të tij i vjen atij e mbushur me copëza nga historia e familjes. Ndër to edhe bartja e eshtrave të lokes dhe babës nga varreza e kryeqytetit për në ish fshatin e lindjes, një veprim ky i shtyrë nga një besim bestyt.
Për dhënjen e gjendjes së ndërmjetme të emigrantëve rrëfyesi kolektiv shërbehet jo vetëm me motive realiste, por edhe me motive fantastike, si janë ata “trembëdhjetë” ose “njëzetenjë” shpirtra që shkojnë gjithandej për të mësuar të “Të Vërtetën” (f.97) për shokun e tyre të vrarë.
Këtu fantastikja dhe realja i japin njëra-tjetrës derisa arrihet plotësimi i idesë romaneske të humbjes në fjalë, të tretjes së tërësishme aty. Në njëfarë mënyre Home Çkena është një fantazmë, një formë prej mishi e gjaku e atyre fjalëve tiranase “Ho me, çkena?” Ai edhe posedon një dokument identifikimi prej të vdekuri. Në njëfarë mënyre ai është mishërimi i fantazmës. Dhe kjo vjen te lexuesi falë mjeshtërisë së Kyçykut për të dhënë në mënyrë aq subtile përmasën e emigrimit postdiktatorial në vendin e tij. Por drita e vendit të tij i vjen Home Çkenës e ngarkuar me një botë tjetër. Dhe ajo botë me dritë tjetër ndonjëherë e ndjek dhe ia shti frikën atij:
Papritur , një si zog a qen a kafshë pa emër, kish filluar të kujiste. E nuk qe ndalur. E nuk kujiste dosido, por me një iiiiij shkundullues, që t’i përshkonte venat e gjakut si me penj zjarri.” (f. 65)
Kjo zhurmë e jashtme mjafton pra, ndërsa ai ndodhet në shtratin e vejushës Martina, që atij t’i vijë si kujë Alpesh që e frikëson dhe e tërhjekë në botën e saj fataliste. Ajo zhurmë e bën atë të bërtas:
Jo, jooo, s’jam këtu, s’jam atje, s’ja-a-a-am!” (f. 67)
Edhe motivi i martinës pa plumba duket të jetë konceptuar në këtë funksion. Karakteri mitik i armës te malësorët që mund të kërcasë edhe pa qenë e mbushur me plumba. Realja, organizimi dhe vrasja e njëmendë e protagonistit, veç sa shpalos një akt të fantastikes tashmë ekzistuese në botën e dhënë të romanit.
Motivet fantastike përveç se e rritin dramacitetin e plot-it, i japin romanit një dimension të përtejmë kohor dhe poashtu një vokacionin të errët poetik.

Humori dhe Ironia

Humori dhe ironia janë mjete tejet të rëndësishme stilistike në prozën e Kyçykut. Edhe këtu tonet e errëta dhe melankolike, që zakonisht karakterizojnë prozën e tij, përzihen me një humor herë të zi e herë të bardhë dhe krijojnë një klimë shumë tërhjekëse leximi.
Humori fillon me fallusin e Home Çkenës që zor se do të mund të ulej edhe pas vdekjes:
Ndoshta për Home Çkenën hëpërhë do të nevojitej një qivur me vrimë. Shpresonim, gjithsesi, që Home Çkenës t’i ulej. (f.13)
(Ky episod të kujton varret e etruskëve që i shenjonin, në rastin e burrave, me një fallus të gdhendur përmbi, dhe, në rastin e grave, me një prehën gruaje, dhe që tregojnë për një filozofi pagane për jetën, për një rit të pushtetshëm tejet jetë-etur.)
Humori mandej vijon më tutje në vazhdën e lojës, si te fjalët e Endritës kur ishte pyetur për natën e kaluar bashkë me Home Çkenën:
U qamë! – buzëqeshi ajo.
Ishin të mençura vajzat tona. Kish futur mes “a”-së një “i”, ose anasjelltas, dhe i kishte zbuluar shqipes një tjetër përmasë frymëzuese. (56/57)
Komentari i rrëfyesit e plotëson plot shije dellin e lindur për humor te shqiptarët. Shprehje të tjera si “Çelësi kopil” (f. 93), “(ish-Kafsha)” (f. 86) apo “një kafshë e tranzicionit” (f. 51) ngacmojnë një qeshje të shpenguar te lexuesi.
Humori bëhet ndonjëherë në situatë shumë dramatike, si në rastin kur Home Çkena përcjell Suzin në aeroport dhe papritmas ndalet e pyetet nga polici për letërnjoftimin, të cilin ky i fundit nuk e ka, ngaqë është një emigrant ilegal. Këtu ndërhyn Suzi dhe fillon të mbulojë me puthje sa policin sa të dashurin e saj, në përpjekje për ta zbutur qëndrimin e policit. (f. 32) Edhe komentaret e rrëfyesit, se mos Suzi që në këtë situatë të ketë mbetur shtatëzanë edhe me policin edhe me të dashurin e saj, janë përplot humor.
Humori bëhet ndonjëherë edhe përmes krahasimit, si te shembulli kur për Suzin edhe qielli duket si antar i Al Kaidës. (f.36)
Me humor jepen edhe copëza nga takimi me ministrin: „Ca zëra kishin kërkuar sjelljen e atdheut këtu, ose zhvendosjen e mërgimit atje.“ (f. 53)
Poashtu gjetje mirë të gërshetuara humoristiko-ironike janë quajtja e Endritës shtatmbëdhjetë vjeçare „Orë mali“ (f. 50), që e jep në mënyrë shumë metaforike profesionin e saj prej prostitute. E tillë është edhe përndjekja e Home Çkenës nga albanologu, i cili i del atij në pritë (f. 67).
Si ironike jepen edhe takimet me ambasadorin dhe ministrin shqiptar në vendin e huaj dhe përgjithësisht nëpunësve nga atdheu, që nuk janë në gjendje të krijojnë një raport më të shëndoshë me diasporën. Këtu nuk mungojnë nofkat “Qymyr” (f. 78), “shkëlqëzinë” (f. 78) për ambasadorin, gjuha snobe e të cilit poashtu vihet në thumb: “braktisësit e mëmëdheut, dhitë e zeza që s’ishin dhi kuqezi…” (f. 78)
Ironia kthehet nga vlerat e fryra dhe të rrejshme atdhetare. Kështu ironizohet harresa e traditës së mikpritjes dhe e kthimit të saj në “Mik-pritë” (f.46). I tillë është edhe motivi i dheut nga Shqipëria (f.72), gjegjësisht mbushja e kullës me thasët me dhé të rrejshëm (f. 69). Poashtu ironia kthehet edhe kundër diskriminimit regjional veri-jug, si në rastin kur Home Çkena quhet me përbuzje “malok” (f. 24, etj.).

Përfundim

I gjithë brumi letrar i këtij romani mbi kohën postdiktatoriale, një kohe me trandje të pashembullta shoqërore, lëviz mes Hiçit dhe Zotit, apo më mirë mes një ngatërrimi të këtyre dy kuptimeve krejt të kundërta. Në mungesë të një dashurie ndërnjerëzore falas, ashtu si thuhet në fillim të “Anketës”, me të cilën edhe hapet romani, njerëzit rreken ta marrin Hiçin për Zot dhe kështu të shkaktojnë dhimbje e vuajtje mizore ndërmjet veti. Pasojë e këtij ngatërrimi është edhe krimi që tregohet në këtë roman, gjegjësisht përpjekja për sqarimin dhe zbardhjen etij.
Pra, romani përshkohet edhe nga një frymë religjioze prej të cilës priret përgjithësisht arti letrar i Kyçykut dhe që gjithmonë ngërthen në vete një dozë të theksuar iluminizmi, që i shërben përndritjes së diskursit shqiptar.
Në faqen e brendshme të kopertinës është dhëne edhe njoftimi se fotografia në ballinë eshtë fotografia e vetë autorit, e bërë në Pogradec në vitin 1972, kur ai ka qenë në moshën tre vjeçare. Poashtu edhe në fund të librit është dhënë pas emrit të autorit: Home, pranverë 2005.
Dhe si ta kuptojmë këtë afrim të jashtëm të autorit, qoftë me sajimin e këtillë të emrit të protagonitit dhe të jetës së tij, qoftë me të folmen tiranase dhe të vendlindjes së tij përgjithësisht? Si bisedë mes emigrantësh, si bisedë mes tyre dhe atdheut, si dhimbje për atë degradim të tillë shoqëror, si simpati për vlera të mirfillta shoqërore, si akuzë?
Me këtë gjetje gjeniale autori sikur ua bën një pyetje të gjithë lexuesve të tij, të tashmëve dhe të ardhmëve: “Ho me, ç’kena?” Një pyetje që sikur na çon te sa shumë pyetje të tjera ekzistenciale, ne, gjithmonë në frymën e romanit pra, si individë dhe si kolektivitet. Dhe ato do të mund të ishin: “Ho me, e mbijetuat diktaturën?”, “Ho me, e ruajtët trupin të padëmtuar? Po shpirtin?” “Ho me, i hapët më në fund sytë, pasi e patë botën me sy? U bëtë më njerëzorë, më kafshorë, më të dashur me njëri-tjetrin, më të butë…?!”
Të gjitha këto pyetje ngacmohen nga mrekullia e romanit në fjalë dhe që e bën atë unikat, megjithatë pak më ndryshe se te grekët e vjetër, pak më ndryshe se te Toni Morrison, pak më ndryshe se te García Márquez. Krejt si në artin e mrekullueshëm të Ardian-Christian Kyçykut!