“Duhet kuptuar se jo unë jam një prej tyre, por ata janë ca prej meje” - Bisedë

Ardianë Pajaziti: Nesër në të gjitha libraritë mund të gjendet romani juaj ”Ki$land”, të cilit, sipas një deklarate, iu deshën 22 vite për t’u prezantuar në Tiranë... Sa ishte e lodhshme kjo pritje?

Ardian-Christian Kyçyku: Në fakt, nuk ishte deklaratë, por përshkrim pa të keq i një ngjarjeje vetjake. Romanin e kam shkruar në dimrin e vitit 1992, pak pasi isha zhvendosur në Bukuresht, dhe ishte i pari që shkruaja jashtë hapësirës gjeografike shqiptare. Në vitin 2007 e ripashë dhe e botova me titullin “Puthmë skelet” - roman me fëmini. Disa kopje mbërritën në miq e të njohur dhe reagimet e tyre ishin mbresëlënës. Para pak muajsh, bashkë me shkrimtarin dhe botuesin e mirënjohur Naim Zoto biseduam për botimin e një libri në Tiranë dhe unë zgjodha Ki$land-in. Ky ishte dikur njëri nga titujt e padukshëm të romanit. Togfjalëshi “me fëmini”, sipas shqipes së protagonistit, duhet lexuar: “pa këtë histori”... Nuk bëhet fjalë për lodhje jo vetëm ngaqë ndërkohë kam shkruar e botuar shumë libra të tjerë, por edhe ngaqë shumica e librave të mi janë në njëfarë gjendjeje të vazhdueshme dorëshkrimesh; çdo botim i tyre mund të shihet si botim i parë, ose i ri.

Po në anën tjetër, çfarë emocioni të sjell momenti i pritur që romani “Ki$land”, mund të blihet edhe në Shqipëri?

Nuk shoh ëndrra me shitblerje librash. Për më tepër që ky roman është “i rëndë” dhe e sprovon lexuesin, por jo në kuptimin e mbrapshtë. Romani ka një shqipe, mund të emërtohet “e pavarur” dhe të cilën protagonisti e quan “shpirtërore”, një shqipe me “bashkëzanore” dhe “veçtingëllore”.
Njëra nga linjat është ngarendja e personazheve për të gjetur shpëtimin, për të mbushur kohën, ose thjesht për të mbijetuar përmes mirëqënies, dashurisë trupore, pijes, fjalëve pa bukë, pushtetit mbi shoshoqin etj. Të gjithë duken, ose edhe bëhen skllevër të diçkaje që nuk është thelbësore, por duke mbetur, për fat, të dënuar me dashuri (e këtu thelbi i dashurisë vërtet ngjan me thelbin e vdekjes, sepse çdo kuptim i gabuar i dashurisë është vdekje, e plotë, ose me këste).
Një linjë tjetër është ajo e historive. Se ka një histori, të cilën politikanët, por sidomos disa nga “të pushtetshmit e letrave” e trajtojnë si me qenë grua rrugësh. Pasi e shijojnë, ia vyshkin rininë, e përdhosin, e shesin për dy aspra bashkë me shpirtrat e tyre, të detyrojnë (ty, njeriun e pavarur) ta marrësh për grua, ‘në të mirë e në të keqe’, ‘derisa vdekja t’ju ndajë’, sepse s’ka tjetër(!) Ti duhet t’ua dish për nder, gjer në vdekje e më tej, atyre, sepse ‘vetëm kjo histori është’, ‘vetëm kjo letërsi mund të bëhet’; po nuk lëvize, turret ndonjë dështak, ose ndonjë hasm për jetë a vdekje, dhe ta rrëmben. Por protagonisti (që i zbulon vetes pseudonimin Gined Enkelana) e më pas romani, - se ata, nga një pikëpamje, janë një, jetë-tekst, emër-ngjarje, gjuhë-dashuri etj - nuk i kapërdijnë dot këto dogma. Për ta historia kryesore është ajo e padukshmja, e fshehta, me emër e mbiemër, e pakontrollueshme sa dhe si puthja.

Mund të na shpjegoni pse gjithë kjo vonesë, apo pengesë?

Mund të duket çudi, por shumë pikëpyetje që lidhen me fatin e këtij romani, madje edhe me ndonjë të fshehtë timen si autor, i kanë përgjigjet brenda tij, por kuptohet: në shqipen e mësipërme.

Më shumë ishte pengesë boshti i romanit, apo emri i autorit?

Për t’ju futur disi në gjuhën e romanit, jo pa humor, po përdor një përgjigje à la Gined Enkelana: “Duhet kuptuar se jo unë jam një prej tyre, por ata janë ca prej meje”. Them se nuk ka aq rëndësi pengesa, - e cila mund të jetë edhe thjesht koha e domosdoshme që disa gjëra të rivendosin natyrshmërinë, - se sa fakti që u kapërcye. Kur një letërsi hyn në fazën e pjekurisë së vet, shquhen disi më qartë dy lloje autorësh: ata që e çojnë letërsinë në drejtime të caktuara dhe ata që e ngrenë në lartësi të tjera. Sjellja e qarqeve letrare dhe e lexuesve në përgjithësi endet në hapësirën mes drejtimeve dhe lartësive. Këto shpesh nuk përkojnë mesveti dhe as që më duket jetike që të takohen.

Po çfarë ndryshoi në Tiranë që tashmë të shohin si emër të pranuar në letërsi?

Dua t’ju them se një shkrimtar i mërguar mësohet t’i shohë ndryshe ca gjëra, duke nisur me dashamirësinë e patundur të atyre që s’mund të flasin, duke vijuar me smirën e atyre që lëvdojnë zyrtarisht, ose për diplomaci të rëndomtë, dhembjen e çiltër të të pafuqishmëve, mllefin në trajtë shpërfilljeje të shtirur të disa të tjerëve, përkushtimin e aq njerëzve ndaj letërsisë etj.
Ki$land merr frymë e vigjëlon një botë e tërë përgjigjesh, por nga ato që pasurojnë sadopak dijen dhe ndjeshmërinë, jo kurreshtjet e shtypit, apo të historisë së letërsisë. Në roman janë gjallë pjesë të mëdha nga Tirana ime, e pacënuar dhe e pandryshueshme, pjesë nga Pogradeci, nga mërgimi, nga vështirësitë dhe vegimet e tij. Pas një libri të tillë, shumica e gjërave që na hanë kohë e nerva, përfshi çështjet e krenarisë vetjake, e humbin gati krejt peshën, madje edhe rolin e tyre.

Dhe për fund, pas Ki$land, çfarë mund të presin lexuesit shqiptarë nga ju?

Në Prishtinë, Buzuku ka pak që botoi vëllimin “Tregime të padukshme”, kurse Shtëpia Botuese PA sapo nxori në qarkullim romanin “Home”. Dalja në Tiranë e “Ki$land”-it erdhi si për të krijuar njëfarë open trilogy, që mund të lexohet nga kahe të ndryshëm, por që edhe mund të ndërpritet përkohësisht nga botimi i një libri të ri. Nuk mund të them cili pason.

U botua në www.kultplus.com