„Bir i vdekur për së gjalli / bir i gjallë për së vdekuri” - Bisedë

Ardianë Pajaziti: Shqiptar, me një bagazh të pasur letrar dhe në pjesën e parë të vitit, si një i huaj jeni zgjedhur edhe rektor universiteti në Rumani. Si duket, Bukureshti ju ka mbështjellë ngrohtë për të reflektuar gjithë këtë pozitivitet në punën tuaj. Edhe pse supozim, a mendoni se do të ndodhte njëlloj sikur të jetonit në Shqipëri?
                                                                                                      
Ardian-Christian Kyçyku: Për mua Bukureshti është një qytet i dashur dhe tejet i hapur: askush, kurrë e me asnjë mënyrë nuk më ka shtyrë, apo detyruar të bëj, të mendoj a të zgjedh diçka. Duke ruajtur gati shenjtërisht thelbin e botës rumune në përgjithësi, pra mungesën e çdo ekspansioni, Bukureshti nuk më ka cënuar ndonjërin nga qytetet e tjerë të dashur, që nga Pogradeci e deri tek Selaniku, Laipcigu e Parisi.
Marrëdhëniet e mia me Shqipërinë nuk janë të tipit „më jep – të jap”. E kam kuptuar prej kohësh se jam njëfarë „bir i vdekur për së gjalli / bir i gjallë për së vdekuri” dhe di se librat e mi nuk kanë nevojë për asgjë. Kjo mjafton.

- Në një vend është thënë se nuk dëgjohet shumë për ju andej nga i keni edhe rrënjët, dhe nuk jeni botuar kujdesshëm për aq sa e meritoni. A vazhdojmë të jemi të pakujdesshëm me njerëzit tanë të suksesshëm nëpër botë?

Po çfarë të dëgjohet më, kur unë shkruaj?! Ndoshta nuk flitet (me plot gojën) e nuk shkruhet (me plot bojën) aq sa mund të duhej në një rast të tillë, por kjo nuk varet prej meje dhe as që e kam synuar ndonjëherë. Thelbi i librave endet brenda një shoqërie jo për t’u shitur e lavduar, por për të hapur sy. Sasia e smirës së sotme, gjer edhe kur smira është thjesht një pamundësi për t’u gëzuar me arritjet e tjetrit, nuk ka si ta shtojë kujdesin ndaj njerëzve, ose punëve me vlerë, ndonëse historikisht është dëshmuar se vepra e dikujt nuk mund të pengohet dot pafundësisht. Kohërat janë të rënda, kurse shumica e njerëzve – të lehtë. Prandaj „bëmat” e errëta të disave kundër vlerave, dikur pluhurosen, vjen „ngadhnjimi”, duartrokitjet, çmimet, dekoratat, hyhet në zyrtarí, si me thënë. Por më shpesh udha niset sëprapthi dhe shumica ndalen nëpër çmime, duartrokitje etj, pa mbërritur deri tek veprat.

- Padyshim se është një dhimbje se si nuk kemi një vëmendje për njerëzit tanë nëpër botë, e në anën tjetër, ju, në Universitete të Rumanisë keni ligjëruar lëndën “Elemente të kulturës dhe qytetërimit ballkanik”. Në të vërtetë, sa kemi kulturë dhe qytetërim shqiptar?

Dhimbje ndjejnë vetëm ata që kanë përkushtim ndaj kulturës, jo ata që do të duhej të ndjenin. Jo rrallë ndodh t’i qajmë hallet me ata që s’kanë asgjë në dorë, teksa ata që kanë diçka në dorë janë të bindur se kanë gjithçka në dorë, përjetë.
Sot shihet si qytëtërim një grup rregullash e ligjesh që kanë minim minimorum poezie dhe humori. Sa më të kontrollueshme të jenë fatet e anëtarëve të një bashkësie, aq më e qytetëruar duket shoqëria ku ata jetojnë. Po si mund të jetë më i qytetëruar një sahat, për shembull, se sa frymëmarrja?! Për shqiptarët, do të mjaftonte edhe thjesht Shqipja, që të krenohen se kanë një qytetërim të rrallë. Cilësia e një qytetërimi e bën historinë e vet të pasur, me poezi, metaforë, humor e tragjizëm, sepse vetëm cilësia synon të mbrojë diçka e të mos bëhet sasi. Kjo mbetet e patundshme dhe shihet qartë në këto kohëra kur shumë vetë i kërkojnë rrënjët e pemëve nëpër degë.

4. Jeni shqiptar që mendoni dhe i shihni ëndrrat në gjuhën e nënës, por, larg të qenit shqiptar, pasi që duhet të funksiononi në një shtet të huaj. Ndoshta një plagë në shpirt, por që ka reflektuar në letërsi. Të ndihmon të qenit larg vendit në nxjerrje më të mira artistike?

Nuk kam si të jem larg për sa kohë jetoj në Shqipërinë Time, që vërtet i ka rrënjët në libra, por që është shumë më tepër se letërsi, apo autizëm artistik. Në mbi njëzet vjet larg vendlindjes, m’u desh ta rikrijoja hapësirën time në letra, madje të përvetësoja edhe kohën e brendshme të librave. Kësisoj ndikimi i kufijve, i njerëzve të gjallë dhe i së përditshmes, u pakësua. Mund të këqyret edhe si një tretje e gjeografisë dhe e historisë vetjake në letërsi. U besoj plagëve edhe pasi mbyllen, njëlloj si në kohët kur nisa të shkruaja. Në njëfarë mënyre, jeta e njeriut është e rrethuar nga plagët, se, metaforikisht, edhe goja është një plagë, edhe maja e penës, edhe kalimi nga një hapësirë jetike në tjetrën, duke nisur që nga lindja, edhe veshët, edhe zanoret etj. Është mirë të mos harrojmë se theksi nuk bie kurrë mbi bashkëtingëlloret...

5. Nëse flasim për pikën lidhëse me kombin tuaj, cila është me e fuqishme: shpirtërore, letrare apo e ndonjë miqësie?

Lidhja është e trifishtë: librat e mi, unë brenda tyre dhe sërish ata brenda meje.

6. Ndalemi te letërsia. Duke pasur parasysh se të kanë konsideruar nëpër publikime të ndryshme si “Kont i ri i letrave”, kritikët rumunë të kanë quajtur si “muzë që duhet të mbajmë në qendër të vëmendjes”… Nëse vlerësoheni kështu, padyshim duhet të keni një shije më të hollë edhe në raport me letërsinë shqiptare. Çfarë mendoni, a po e bëjmë letërsinë, apo po bëhemi se po e bëjmë letërsinë?

Po, prej vitesh qarkullojnë shumë vlerësime, por shija ime ndaj letërsisë shqiptare nuk ka ndryshuar fare. Sepse shija është e shkruara ime, vetmia shpesh e paskajshme, e pakuptueshme nga jashtë, dhe që nuk ka për të dhënë ndonjëherë shpjegime.
Mendoj që secili prej nesh duhet të lexojë një letërsi sa më të vetën, sidomos kur shumica nuk lexon as me kokën, as me shpirtin e vet.

7. Megjithatë po shkruhet nga shqiptarët. Në këtë pikë, sapo jemi të guximshëm të lartësojmë veprat e merituara dhe në të njëjtën kohë t’i mëshojmë shkelm antivlerave. Apo po vazhdojmë të jemi një shoqëri elitare, që kemi nevojë për vetëkënaqësi dhe lajka në raport me njëri-tjetrin?

Ata që janë zgjedhur të bëjnë letërsi të madhe, po e bëjnë dhe kanë për ta bërë, ndërsa të tjerët, si në çdo letërsi, qoftë me qëllim, qoftë në pamundësi a qoftë për forcë zakoni, do t’u gëzohen lajkave, derisa ta kuptojnë se lajkat janë ana tjetër e harresës.

8. Dhe për fund, nga këndvështrimi i një mërgimtari, si e sheh kombin shqiptar në tërësi, është në rënie, apo në ngritje të vlerave?


Në epokën e tanishme, ndonëse tingëllon si lojë fjalësh: kur bjenë Vlerat, rritet vlera, dhe kur bie Vlera, rriten vlerat.